SHPËRNDAJE

Deputeti i Parlamentit të Serbisë nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka thënë se do të jetë zë i fuqishëm në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Sikurse kam punuar deri më tani, edhe më tutje do të vazhdoj të angazhohem dhe të punoj fuqishëm për t’i zgjidhur problemet me të cilat preokupohen shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka premtuar se deputetët shqiptarë do të jenë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Deputetët shqiptarë vazhdimisht e kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve, mirëpo nuk kemi pasur fuqi për t’i ndryshuar gjërat. Tash pasi jemi dy deputetë në Parlamentin e Republikës së Serbisë do të angazhohemi edhe më fuqishëm për t’i mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve. Kjo është detyra jonë primare, në mënyrë që gjithë atyre problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët t’u ofrohet zgjidhje konkrete”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka shprehur optimizëm se qeveria e re e Serbisë do të jetë më konstruktive ndaj respektimit të të drejtave të shqiptarëve për shkak të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. “Vetë fakti se Serbia ndodhet në fazën përfundimtare të integrimit në Bashkimin Evropian dhe pavarësisht se sa zgjat ajo fazë, Serbia do të jetë e detyruar ta ndryshojë legjislaturën e brendshme dhe ta harmonizojë atë me BE-në, në aspekt të respektimit të të drejtave të njeriut, qofshin ato individuale apo kolektive. Ky është një shans të cilën po tentojmë ta shfrytëzojmë me qellim që të arrijmë t’i zgjidhim problemet e shqiptarëve dhe ta avancojmë kualitetin e jetës në Luginën e Preshevës”, ka theksuar Kamberi. Po ashtu, Kamberi ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë edhe më tutje duhet ta përkrahin Luginën e Preshevës nëpërmjet fuqizimit të fondit të veçantë. “Mendoj se ky fond duhet të fuqizohet, nëpërmjet të cilit duhet të përkrahen projektet konkrete, të cilat janë në interes të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Prandaj, presim që qeveria e ardhshme e Kosovës ta vazhdojë dhe ta fuqizojë rolin e saj në drejtim të ndihmës konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, është shprehur Kamberi.

“Epoka e re”: Z. Kamberi, çfarë vlerësimi keni për gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës?

Kamberi: Vazhdimisht gjendja në Luginën e Preshevës është e brishtë, për shkak të vazhdimit të diskriminimit shtetëror, sidomos në sferën e të drejtave kolektive në arsim, në përdorim zyrtar të gjuhës si dhe në integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Pikërisht kjo është një ndër objektivat tona që ta arrijmë, që numri i shqiptarëve të cilët do të punësohen në institucionet shtetërore të jetë konform strukturës së popullatës në këto komuna.

 

“Epoka e re”: Cili do të jetë roli juaj si deputet në Parlamentin e Serbisë?

Kamberi: Sikurse kam punuar deri më tani, edhe më tutje do të vazhdoj të angazhohem dhe të punoj fuqishëm për t’i zgjidhur problemet me të cilat preokupohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

 

“Epoka e re”: Do ta keni më të lehtë t’i mbroni interesat e shqiptarëve si dhe t’i realizoni kërkesat e tyre, meqë tash do të jenë dy deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?

Kamberi: Normalisht se do ta kemi më të lehtë. Fakti se tani kemi dy mandate në Parlamentin e Serbisë tregon për forcën tonë politike. Është me rëndësi momenti në të cilin gjendet Serbia. Pra, gjatë këtij procesi të bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian, Serbia do të jetë e detyruar t’i aprovojë standardet e BE-së në shumë sfera, mirëpo në radhë të parë është çështja e respektimit të të drejtave të pakicave, qofshin ato të drejta individuale apo kolektive, me të cilat praktikisht kemi probleme në Luginën e Preshevës.

 

“Epoka e re”: Do të jetë më i fuqishëm zëri i shqiptarëve tash e tutje në parlamentin serb?

Kamberi: Deputetët shqiptarë vazhdimisht e kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve, mirëpo nuk kemi pasur fuqi për t’i ndryshuar gjërat. Por, tash, pasi jemi dy deputetë në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të angazhohemi edhe më fuqishëm t’i mbrojmë të drejtat dhe interesat e shqiptarëve. Kjo është detyra jonë primare, në mënyrë që të gjithë atyre problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët t’u ofrojmë zgjidhje konkrete. Në këtë drejtim deri më tani është parë se nuk mjafton angazhimi vetëm me pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por se duhet të jemi aktivë edhe në nivelin më të lartë shtetëror, në mënyrë që të bëjmë presion që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt që është e mundur.

 

“Epoka e re”: Çfarë ndryshimesh do të sillni për Luginën e Preshevës gjatë këtij mandati?

Kamberi: Gjatë këtij mandati do ta japim kontributin dhe angazhimin tonë maksimal që të realizohen të gjitha ato kërkesa të cilat bashkë me subjektet e tjera më herët i kemi futur në programin e masave urgjente për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Besoj se këto kërkesa do të mund të realizohen pasi Serbia është në fazën e pakthim drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

“Epoka e re”: Z. Kamberi, meqë në Republikën e Serbisë kemi një qeveri të re, prisni që kjo qeveri të jetë më konstruktive se qeveria e kaluar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Kamberi: Vetë fakti se Serbia ndodhet në fazën përfundimtare të integrimit në Bashkimin Evropian dhe pavarësisht se sa zgjat ajo fazë, Serbia do të jetë e detyruar ta ndryshojë legjislaturën e brendshme dhe të harmonizojë atë me standardet e BE-së në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, qofshin ato individuale apo kolektive. Ky është një shans të cilën po tentojmë ta shfrytëzojmë me qëllim që të arrijmë t’i zgjidhim problemet e shqiptarëve dhe ta avancojmë kualitetin e jetës në Luginën e Preshevës.

 

“Epoka e re”: Z. Kamberi, çfarë vlerësimi keni për nivelin e bashkëpunimit me Kosovën dhe a prisni mbështetje më të madhe nga qeveria e ardhshme?

Kamberi: Fillimisht dua ta vlerësoj shumë pozitivisht nismën e re nga dy qeveritë shqiptare, të cilat kanë krijuar një fond të veçantë për Luginën e Preshevës. Mendoj se ky fond duhet të fuqizohet, nëpërmjet të cilit duhet të përkrahen projektet konkrete që janë në interes të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Prandaj, presim që qeveria e ardhshme e Kosovës ta vazhdojë dhe ta fuqizojë rolin e saj në drejtim të ndihmës konkrete që duhet ofruar shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Po ashtu, bashkëpunimi i cili ekziston aktualisht do të duhej të ishte në nivel më intensiv dhe më i dukshëm edhe në të ardhmen, në mënyrë që të dëshmohet se edhe Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, kanë interesim për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.