SHPËRNDAJE

Intervistë me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi

Pra, procesi i integrimit të Serbisë në BE është një shans për ne, të cilin dëshirojmë ta shfrytëzojmë. Ky shans nuk duhet lënë në duart e huaja

Intervistoi: Dashnim Hebibi

* Zoti Kamberi, para se të fillojmë të bashkëbisedojmë, ju urojmë sukses në detyrën e deputetit në Parlamentin e ri të Serbisë. 

Kamberi: Ju falënderoj për këtë përkrahje.

 

* Ju kemi parë në disa prononcime e deklarata që i ke dhënë nëpër disa media shqiptare, por ne kësaj here do të përpiqemi të bashkëbisedojmë për ca gjëra që nuk i ke thënë, ose për të cilat nuk të janë bërë pyetje nga ata që të kanë intervistuar. E ke pritur se do të zgjidhesh deputet, kur dihet se vetëm PVD-ja (Partia për Veprim Demokratik) ishte pjesëmarrëse në këto zgjedhje, pjesë e së cilës jeni edhe ju?

Kamberi: Pavarësisht se kishim vendosur, me gjithë përpjekjet e shumta që ta kemi një listë të përbashkët me subjektet tjera, që në këto zgjedhje të paraqitemi vetë si parti, kemi qenë optimistë se do t’ia dalim që të sigurojmë përfaqësimin tonë në Parlamentin republikan. Personalisht, meqë brenda partisë kemi pasur marrëveshje të atillë që deri në fund të vitit 2014, për shkak të vazhdimësisë së punëve të nisura, mandatin e deputetit do ta ushtrojë kryetari i PVD-së, z. Riza Halimi, ndërsa pjesën tjetër do ta ushtroja unë, e kam ditur që do të jem deputet.

 

* Si e ke ndjerë veten në momentin kur e ke marrë lajmin se je i zgjedhur deputet?

Kamberi: Natyrisht, kur pas një pune më tepër se njëmujore dhe një aktiviteti të të gjitha strukturave të PVD-së në të gjitha vendbanimet shqiptare në Luginën e Preshevës (vetëm PVD-ja e ka strukturën e vet të shtrirë në çdo vendbanim shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), ti arrin ta sigurosh atë që ke pretenduar si parti, e para që ndjen është një relaksim nga një barrë e madhe, e cila ishte shoqëruar edhe me gëzimin e atyre shumë aktivistëve me të cilët bashkërisht i kemi pritur rezultatet e zgjedhjeve të 16 marsit.

 

* E sheh atë si detyrë të vështirë?

Kamberi: Veç që është një privilegj, besimi që gjithë ata njerëz ta japin për ta ushtruar një detyrë, nga e cila priten rezultate konkrete në të mirë të të gjithëve, të jesh deputet shqiptar në Parlamentin e një shteti çfarë është Serbia, nuk mund të konsiderohet detyrë e lehtë.

 

Zëri ynë do të jetë edhe më i fuqishëm 

 

* Dihet se Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë probleme të ndryshme. Shpresoni se në mandatin tuaj sado pak do ta ngrini zërin e reales për këto komuna shqiptare?

Kamberi: Nuk mund të them se edhe deri më tash zëri i shqiptarëve nuk është dëgjuar. Në cilësinë e deputetit të vetëm shqiptar në atë institucion, z. Riza Halimi ka qenë një zëdhënës i vërtetë i të gjitha problemeve me të cilat po ballafaqohen shqiptarët. Duke u rritur forca jonë politike tani në dy mandate, ky zë mendoj do të jetë edhe më i fuqishëm. Rezultati i parë i dy mandateve është se e kemi rrënuar tërë atë falsitet të regjistrimit të popullatës në Serbi më 2011, rezultatet e të cilit dëshironin të dëshmonin se në këto tri komuna ka vetëm rreth 1 200 banorë shqiptarë (kjo për shkak se shqiptarët e kanë bojkotuar procesin e regjistrimit).

 

* Ndoshta është më e lehtë që të dëgjohet zëri i këtyre trevave edhe te faktori ndërkombëtar për problemet që janë të grumbulluara me dekada?

Kamberi: Pikërisht kjo është esenca e qëllimit tonë. Për shkak se Serbia gjendet në fazën përfundimtare të integrimit në BE, ajo është e detyruar që me rezultate konkrete t’i përmirësojë të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut dhe pakicave. Obligimet e parapara në Kapitujt 23 dhe 24 të procesit të saj të integrimit në BE janë të rëndësishme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shumë delegacione nga BE-ja do të jenë të pranishme në terren për t’i verifikuar raportet që shteti do t’i dërgojë nëpër strukturat e BE-së, dhe është afër mendsh që përfaqësuesit shqiptarë duhet t’i japin mendimet dhe vërejtjet e veta për situatën në rajon. Do të ishte plotësisht dështuese nëse në emër të shqiptarëve ato të dhëna i jep dikush tjetër. Pra, procesi i integrimit të Serbisë në BE është një shans për ne, të cilin dëshirojmë ta shfrytëzojmë. Ky shans nuk duhet lënë në duart e huaja.

 

* E ke menduar se cila do të jetë fjala juaj e parë në foltoren e Parlamentit serb?

Kamberi: Varësisht nga tema e cila do të jetë në rend dite, do të jenë edhe diskutimet e tona. Por, një gjë është e sigurt, prioriteti ynë është platforma e masave urgjente dhe kërkesat që dalin nga ai program, të cilin ia kemi paraqitur edhe Qeverisë së kaluar.

 

* Sigurisht se keni shumë kërkesa dhe shumëçka për të diskutuar, por cili do të jetë më emergjenti?

Kamberi: Përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore që veprojnë nëpër komunat tona, apo janë të karakterit rajonal, është skandaloz. Numri i shqiptarëve të punësuar nëpër ato institucione, ose është tepër simbolik, ose nuk ka fare. Kjo, p.sh. do të jetë njëra ndër kërkesat tona prioritare.

 

Do të marrim qëndrime varësisht nga situata

 

* Nëse nënçmoheni në Parlament, cila do të ishte alternativa juaj për t’ua dëshmuar se e kanë gabim dhe me këtë mentalitet është e vështirë të shkohet në BE?

Kamberi: Ne jemi aty për t’i përfaqësuar kërkesat e shqiptarëve që e kanë mbështetjen në standardet e përcaktuara nga BE-ja. Prandaj, do të kërkojmë që të trajtohemi si partner në zgjidhjen e atyre kërkesave. Çfarëdo sjellje tjetër e cilitdo autoritet në Beograd do të jetë e papranueshme. Varësisht nga situata, ne edhe do t’i marrim qëndrimet tona.

 

* Të kisha lutur që gjatë bisedës të mos bësh reklamë për subjektin që ju i takoni, se nuk i dihet, ndoshta mund të ketë luhatje, e kalon diku tjetër, sepse, tek e fundit, kjo nuk ju ka ndodhur vetëm ju. Prandaj, kisha dashur të marrë një mendim nga Ju se çka nëse e përfundoni mandatin tuaj dhe asgjë nuk është realizuar nga kërkesat tuaja?

Kamberi: Një që është e sigurt, në një parti politike, para së gjithash, njeriu qëndron për shkak të përqafimit të programit politik që ka ajo parti. Prandaj, në pozitë apo opozitë, unë do të jem aty ku e kam nisur angazhimin tim politik, pra në PVD. Sinqerisht shpresoj që për shkak të obligimeve që ka ndaj BE-së, dhe gjithë asaj që u cek më lart, nuk do të mbetemi pa rezultate konkrete, e sa ato do të jenë të kënaqshme, mbetet të shihet. Ne, brenda subjektit tonë do t’i bëjmë vlerësim punës sonë pas çdo cikli të caktuar kohor dhe bashkërisht do të marrim qëndrimin për veprimet e mëtejshme, pa e pritur fundin e mandatit për vlerësim.

 

* Tash më po dihet Qeveria e re. Komenti juaj? Si është bashkëpunimi juaj me deputetin Riza Halimi, pasi e keni edhe kryetar partie?

 

Kamberi: Z. Halimi është lider i padiskutueshëm i PVD-së, njeri me përvojë të gjatë politike dhe me përvojë në Parlament, prandaj për mua paraqet lehtësim të punës sime fakti që bashkë me të do ta ushtrojmë këtë detyrë me përgjegjësi të madhe.

 

* Jeni i mendimit se z.Halimi është lodhur dhe do të duhej t’i jepej hapësirë ndonjë politikani të ri të këtyre trevave?

Kamberi: Sikur çdo subjekt tjetër, edhe PVD-ja ka nevojë dhe është e domosdoshme hapja e dyerve për angazhimin e kuadrove të reja. Ne besoj se këtë do ta bëjmë gjatë zgjedhjeve partiake të radhës, të cilat do t’i kemi së shpejti. Duke pasur parasysh faktin se në politikë përvoja nuk krijohet brenda një kohe të shkurtër, nuk mendoj se Riza Halimi është person që duhet të ndahet nga jeta politike. PVD-ja dhe Lugina Preshevës ende kanë nevojë për atë. Natyrisht, zgjedhjet partiake do të dëshmojnë se kush duhet të mbetet lider i subjektit tonë.

 

* Po thoni se PVD-ja është e fortë, parti me rezultate, por ato dihen se nuk ishin kështu. Të paktën këtë e tregojnë zgjedhjet e kaluara lokale, por në rregull, a do të freskohet kjo parti me të rinj kur dihet se është subjekt politik me një përvojë të madhe?

 

PVD-ja është parti me rezultate

 

Kamberi: Po them se PVD-ja është parti me rezultate, sepse ajo arriti që vetë t’i fitojë mandatet e dy deputetëve dhe se ajo e ka shumicën absolute të Këshillit Nacional, se ajo është i vetmi subjekt shqiptar që përfshin Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën dhe se në këto tri komuna ka 25 këshilltarë. Partia e dytë pas nesh i ka 17 këshilltarë.

Sa i përket angazhimit të të rinjve, pajtohem absolutisht me këtë. Në fundin e dhjetorit të vitit që shkoi, në një eveniment të jashtëzakonshëm, dega e PVD-së në Bujanoc ka arritur që në anëtarësinë e vet të regjistrojë rreth 300 të rinj, kryesisht studentë. Ky është një rezultat konkret.

 

* Tash, Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i kenë dy deputetë. A do të jetë më e lehtë për t’u realizuar të paktën disa nga problemet e mëdha që i ka kjo trevë?

– Mendoj se përgjigjja në këtë pyetje është dhënë më lart.

 

* Keni pasur ndonjë takim gjatë kësaj kohe me ndonjë politikanë të njohur serb?

Kamberi: Një takim protokollar e kemi pasur këto ditë me presidentin e Serbisë, të cilit ia kemi paraqitur kërkesat tona nga platforma e masave urgjente.

 

* Me cilën parti serbe mendoni se bashkëpunimi do të jetë më i lehtë?

Kamberi: Ajo që ne insistojmë është që të konsiderohemi partner real në zgjidhjen e problemeve të shumta të popullatës sonë. Tek e fundit, edhe jemi zgjedhur për atë. Pra, insistojmë që Qeveria e re e Serbisë të ketë qasje tjetër ndaj shqiptarëve dhe problemeve të tyre. 

 

* Ndërsa, në anën tjetër, një pjesë e madhe e popullatës së këtyre trevave nuk ju njohin si përfaqësues, meqë nuk kanë dalë në zgjedhje. Cili është komenti juaj?

Kamberi: Janë disa liderë politikë që po deklarojnë se nuk na njohin. Është e kundërta e asaj që thoni ju. Një pjesë e madhe e popullatës, me votën e vet, na e ka dhënë përkrahjen. 

 

* Është përmendur se janë vjedhur vota në këto zgjedhje, e pastaj edhe janë falur, vetëm e vetëm që faktori ndërkombëtar të shohë se shqiptarët kanë dy deputetë dhe prandaj të mos aludojnë se janë të shtypur?

Kamberi: Ata liderë politikë që kanë marrë qëndrime të gabuara rreth këtyre zgjedhjeve, me qëllim të shfajësimit, në radhë të parë ndaj elektoratit të vet, po dëshirojnë të dëshmojnë për “vjedhje masive”. 

Porosia që e morën nga ambasadori amerikan në Beograd ishte: “Jetoni me rezultatin e zgjedhjeve”. Porosia që morën nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë para zgjedhjeve ishte: “Dilni në zgjedhje dhe zgjidhini përfaqësuesit tuaj”.

Qëllimi ynë është ta dëshmojmë të kundërtën, që shqiptarët janë të shtypur dhe të diskriminuar nga shteti, i cili po pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. 

 

* Keni qenë kryetar i Bujanocit, pastaj e keni një karrierë të madhe politike. Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për këto treva, në prag të hyrjes së Serbisë në BE?

Kamberi: Mendoj se kontributi ynë kryesor është që ta sensibilizojmë Bashkimin Evropian dhe strukturat e tij se Serbia nuk mund të konsiderohet se i ka plotësuar standardet e integrimit derisa nuk eliminon çdo formë të diskriminimit ndaj shqiptarëve. Në këtë drejtim, ndihmë konkrete duhet të japin edhe autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë dhe bashkërisht të kontribuojmë që pozita jonë të avancohet.

 

* Sa morët përkrahje nga Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës me të marrë lajmin se Lugina e Preshevës i fitoi dy deputetë në Parlamentin e Serbisë?

Kamberi: Edhe Tirana, edhe Prishtina zyrtare janë përpjekur për ta dhënë një kontribut që shqiptarët të marrin pjesë në këto zgjedhje bashkërisht me një listë. Kryeministri i Kosovës, në mbrëmjen e 15 marsit, edhe personalisht ftoi për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe ishte ndihma më e drejtpërdrejtë që na është dhënë në atë moment.

 

Çështjet madhore duhet të zgjidhen në bashkëpunim me Prishtinën dhe Tiranën 

 

* Në anën tjetër, përmendët se aktivistë të PVD-së ishin bashkorganizatorë të Referendumit të 1, 2 marsit të vitit 1992 e, në anën tjetër, në Parlamentin serb. A ka diçka të ngatërruar në këtë rast. Si t’i sqarohet popullatës së kësaj ane se duhet të pajtohemi me realitetin dhe ato të mbeten në histori, si dëshira?

Kamberi: Kjo është e qartë për të gjithë. Nuk e kanë të qartë vetëm ata, të cilët, për t’i ruajtur privilegjet e veta të nivelit lokal dhe duke dashur të krijojnë monopol politik mbi politikën në Luginën e Preshevës, dalin me qëndrime se po bëhet kjo apo ajo. Edhe Ligji për zgjedhjet parlamentare, sikur ai për zgjedhjet lokale, e ka burimin e vet në Kushtetutën e Serbisë. Është farsë politike se dikush s’po e njeh shtetin. Tek e fundja, zgjedhjet janë vetëm mekanizëm për t’i krijuar institucionet. Si do të sillen tash bojkotuesit e zgjedhjeve: Do ta njohin apo jo Qeverinë e Serbisë? Nëse ata vendosin që të mos e njohin Qeverinë e dalë nga zgjedhjet, të cilat ata i kanë bojkotuar, atëherë do t’i mbeten besnikë politikës së vet. Por, nëse ata do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me ministritë, sikur edhe deri më tani, farsa e tyre politike po del në shesh.

Ne po angazhohemi që në kushtet në të cilat po jetojmë ta përmirësojmë pozitën e shqiptarëve, krejt me qëllim që ta pengojmë shpërnguljen e tyre. Sepse, nëse na dëmtohet bërthama kombëtare në Bujanoc dhe ndryshojnë balancat etnike, ne mund ta humbin edhe pushtetin lokal. Çështjet e tjera madhore duhet të zgjidhen në bashkëpunim me Prishtinën dhe Tiranën.

 

* Pse, sipas teje, nuk është i bashkuar faktori politik në Luginën e Preshevës?

Kamberi: Tendenca e disave që të krijojnë dhe ta ruajnë për vete monopolin e politikës në Luginën e Preshevës është problem kryesor për një unitet. Bajraktarizmi pra është dukuria që po na dëmton më së shumti. Të kesh 10 parti të regjistruara në një popullatë, e cila për çdo ditë po largohet, flet për ambiciet bajraktariste. Apo, ta quajë lider politik veten kryetari i një partie me vetëm dy këshilltarë komunalë, që nënkupton më pak se 1 000 vota, është kulmi i absurdit politik.

 

* Kush do ta marrë përgjegjësinë që nuk jeni bashkë ndërmjet veti, për ç’gjë keni marrë vërejtje edhe nga Qeveria aktuale e Shqipërisë dhe e Kosovës?

Kamberi: E thashë edhe me herët, edhe Tirana edhe Prishtina ka kërkuar unitet në veprim, pra në pjesëmarrje. PVD-ja e ka respektuar atë qëndrim dhe ka arritur t’i fitojë dy mandate deputeti.

 

* Na thoni sinqerisht, a do kishit pranuar të jeni në Qeverinë e Serbisë, nëse do të ju kishin ftuar ata?

 

Kamberi: Kryeministri i ardhshëm i Serbisë ka premtuar disa herë se do ta bëjë Qeverinë si Bajern Muncheni. Si tifoz i Real Madridit, personalisht, nuk e shoh veten në atë ekip. Por, sa i përket PVD-së, në rast se vjen një ofertë e këtillë, me siguri do ta shqyrtojmë dhe do të marrim qëndrim.

 

Trupi Koordinues nuk është duke e luajtur asnjë rol pozitiv

 

* Po përmendet edhe Trupi Koordinues për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Çka kemi fituar nga ky trup?

Kamberi: Trupi Koordinues nuk është duke e luajtur për momentin asnjë rol konkret pozitiv. Kërkesa jonë do të jetë që ky organ, ose ta luajë rolin për të cilin është themeluar (të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të shumta nëpër këto komuna), ose më mirë të mos ekzistojë. Trupi Koordinues është themeluar që, veç tjerash, të krijojë përfaqësimin adekuat të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore. Shtrohet pyetja se si do ta realizojë atë rol, kur Trupi Koordinues vetë nuk ka përbërje integruese. Nga mbi 26 të punësuar, vetëm tre janë shqiptarë. Pra, me këtë rol që po luan, Trupi Koordinues, jo vetëm që duk është i dobishëm, aq më tepër ai është edhe i dëmshëm.

 

* Atëherë, si mendoni se do të duhej të punojë ky Trup Koordinues?

 

Kamberi: Mendoj se Trupi Koordinues duhet ta luajë atë rol dhe t’i ushtrojë ato funksione për të cilat është themeluar: sigurimi i kushteve për përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucione dhe zhvillimi ekonomik lokal janë dy nga prioritetet të cilat duhet t’i garantojë ky institucion.

 

* E keni përmendur një plan shtatë pikësh. Cili është ai?

Kamberi: Platforma e masave urgjente është dokumenti, i cili është aprovuar nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, pas krizës së Lapidarit në Preshevë në vitin e kaluar. Është dokument me shumë kërkesa të radhitura në shtatë kapituj (prandaj edhe emërtimi shatë pikësh) që kanë të bëjnë me ndërmarrjen e masave emergjente për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve: siguria, decentralizimi, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, çështjet sociale janë temat kryesore të këtij plani.

 

* Është përmendur se këto tri komuna janë fuqi baroti. Edhe kështu ka qenë, por, sipas jush, do të ndryshojë mendim Qeveria e re serbe?

Kamberi: Jam i bindur se pa eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit të popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat në mënyrë sistematike po na imponohen me vite, bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që Serbia të bëhet pjesë e BE-së. Besoj se eliminimi i këtij diskriminimi është parakusht i stabilitetit rajonal dhe raporteve të relaksuara ndërmjet Kosovë dhe Shqipërisë me Serbinë. Në afat më të gjatë, jam i bindur se stabiliteti rajonal nuk mund të ndërtohet duke krijuar standarde të dyfishta të të drejtave individuale dhe kolektive. Dua të them se nuk mund të ketë stabilitet nëse serbëve në Kosovë u mundësohen të drejta që janë mbi nivelin e standardeve të BE-së, ndërkohë që shqiptarëve u pamundësohen të drejtat e garantuara me standardet e BE-së.

 

* Po me ambasadat e huaja që janë në Beograd, keni pasur ndonjë takim tashmë kur dihet se jeni deputet?

Kamberi: Kontaktet tona me Ambasadën shqiptare në Beograd të rregullta janë. E kemi vizituar edhe zyrën e Kosovës në Beograd, por natyrisht prej misioneve ndërkombëtare kontaktet më të rregullta janë me Misionin e OSBE-së, të BE-së dhe të gjithë ambasadat perëndimore.

 

Plani shtatëpikësh i përfshin edhe nevojat e shqiptarëve të Medvegjës

 

* Për Medvegjën e kam vetëm një pyetje: Çka do të bëni për të, kur dihet se në çfarë situate është?

Kamberi: Kërkesat tona që dalin nga plani shtatëpikësh nuk kanë të bëjnë vetëm me Preshevën dhe Bujanocin, ai i përfshin edhe nevojat e shqiptarëve të Medvegjës.

 

* Do të na interesonte të mësojmë nëse PVD-ja ka investuar, apo po investon në mediet lokale. Shpresoj se do të marrim përgjigje korrekte, edhe pse ndoshta nuk do të ishte mirë të shtrohet kjo pyetje, por të mbetet si pyetje të paktën. Komenti juaj? 

Kamberi: Çdo subjekt politik në prag të zgjedhjeve, apo edhe pas tyre, dëshiron që aktiviteti i tij politik të jetë i përcjellë nga mediet. Prandaj, nuk do të them asgjë sensacionale nëse them se aktivitetin e PVD-së gjatë zgjedhjeve të fundit e kanë përcjellë mediet lokale. 

 

* Të kthehemi pak nga Diaspora shqiptare, kur dihet se këto treva kanë një numër të madh të mërgimtarëve. Sa jeni në kontakt me ata dhe sa jeni i kënaqur me angazhimin e tyre për të mirën e përgjithshme?

Kamberi: Kontaktet e mia janë më tepër personale me shumë miq e të afërm edhe në Diasporë.

 

* Keni marrë ndonjë uratë nga ndonjë shoqatë, apo organizatë e mërgatës?

Kamberi: Shumë prej tyre më kanë dërguar urime për detyrën e re.

 

* Do të kishit pranuar ndonjë sugjerim nga ata nëse ju vjen?

Kamberi: Pa dyshim që po. Cili do lloj sugjerimi me interes të përgjithshëm është i mirëseardhur.

 

* Z. Kamberi të falënderojmë për këtë intervistë dhe për kohën tuaj. Natyrisht se kemi edhe për shumëçka të flasim, por do të na interesonte se a do të kishit pranuar të takoheshit me kryetarin e Bujanocit dhe kryetarin e Kuvendit Komunal të Komunës prej nga vini edhe Ju, të pini kafe dhe të bashkoheni për të mirën e atyre trevave, që mezi e presin një bashkim të tillë?

Kamberi: Kjo nuk do të ishte kurrfarë risie. Gjatë krizës së Lapidarit në Preshevë vitin e kaluar, ne kemi bashkëvepruar, edhe pse unë personalisht kam qenë pjesë e opozitës. Edhe PVD-ja, edhe unë personalisht kam marrë pjesë, në kuadër të delegacionit të përbashkët, në takimet me kryeministrin dhe zv./kryeministrin e Serbisë në korrikun dhe tetorin e kaluar. Personalisht kam marrë pjesë në hartimin e programit të masave urgjente. PVD-ja asnjëherë, edhe pse ka pasur shumë vërejtje në procesin e zgjedhjeve lokale të vitit 2012, nuk ka deklaruar se nuk i njeh institucionet (kryetarët) e dalë nga ato zgjedhje.

Është krejtësisht e kundërta ajo që po ndodh pas këtyre zgjedhjeve. Si në kor janë ngritur burrat e pushteteve lokale, se nuk i njohin deputetët e PVD-së. Nëse nuk do ta njohin Qeverinë e re, s’ka asgjë të keqe, por nëse e njohin atë që ka dalë nga zgjedhjet, që ata burra e kanë bojkotuar, i mbetet opinionit të vlerësojë se kush qenka fajtori. /dialogplus.ch, presheva.com/