SHPËRNDAJE

Gjatë intervistës së zhvilluar nga portali jonë, Egje dhe Adriatik, kryetari i KDNj-së dhe njohësi i çështjeve politike në Luginë, Belgzim Kamberi, shprehet se përpos politikës diskriminuese që vjen nga Beogradi zyrtar, politika lokale shqiptare është e paaftë që të ndërtojë politika drejt realizimit të ndonjë autonomie politike dhe kulturore. Madje, ai vazhdon, se kjo politike lokale u tregua e paaftë që të realizojë jetësimin e Referendumit të vitit 1992 për bashkëngjitje me Kosovë, ani pse thonë që e kanë qellim sublim politik.

Ea-sk: Meqë jeni kryetar i KDNj-së, mund të na thoni shkurtimisht diçka për këtë institucion dhe punën që bëni në dobi të qytetarëve të Luginës?

Belgzim Kamberi: Përpos përpjekjeve dhe angazhimeve të vazhdueshme në evidentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut; Këshilli për të Drejtat e Njeriut, si organizatë joqeveritare, përpiqet që t’i sensibilizoj institucionet dhe organet vendimmarëse vendore e të huaja, ashtu që të përmirësohet niveli i të drejtave të njeriut dhe kombëtare të të gjithë qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; në përputhje me të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht. Në këtë kuptim, KDNJ ka ndikuar, jo pak herë pozitivisht, që gjendja e të drejtave të njeriut dhe ajo e të drejtave kombëtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; të gëzojë një përkushtim më të madh nga ana e institucioneve vendimmarëse.

Ea-sk: Sa respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në Luginën e Preshevës?

Belgzim Kamberi: Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë cenohen ende në një shkallë mjaft të lartë. Serbia nuk shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për t’i avancuar të drejtat e pakicave kombëtare sikur komunitete. Mbase i parandalon vazhdimisht duke përdorur të gjitha mjetet dhe mekanizmat e saj, qofshin ato edhe joligjore. Serbia përpiqet t’i përkufizojë të drejtat e shqiptarëve në të drejta individuale duke i mohuar të drejtat e tyre kombëtare-kolektive. Në thelb, problemi qëndron te modeli kushtetues i Serbisë, që pasohet edhe me organizimin e tanishëm territorial dhe politik të shtetit, që nuk garantojnë të drejtat e duhura për komunitetet minoritare shoqërore në përgjithësi dhe ato kombëtare në veçanti; por as zhvillim ekonomik për rajonet e margjinalizuara. Modeli i sotshëm shtetëror është Serbia vetëm për serbët. Një model para-modern shtetëror që thellon pabarazitë në të gjitha kontekstet dhe aspektet. Në Serbinë e sotme të Vuçiqit, vetëm metodat e shtypjes janë moderne. Ato maskohen me një diskurs paqësor « demokratik » dhe « evropian ». Shtypja e dikurshme tradicionale serbe është zëvëndësuar me format e « padukshme » bashkëkohore të shtypjes. Nën rrethim të « legjitimuar » ushtarako–policor, me nënpërfaqësim sistemor dhe me mungesë të « arsyetuar »  investimesh e zhvillimi ekonomik; migrimi i « vetëvullnetshëm » ka zëvëndësuar zhvendosjen e detyrueshme. Shuarja e dikurshme e dhunshme e rezistencës qytetare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është zëvëndësuar tanimë me pasivizimin e tanishëm të saj, nëpërmjet korruptimit dhe shantazhimit të elitave lokale nga shteti. Serbia e Vuçiqit – politikisht populliste, kulturalisht konservatore dhe ekonomikisht neoliberale – vetëm se përforcon regresin, diskriminimin dhe shtypjen tradicionale shtetërore serbe. Realisht, pas rënies së sistemit monist, Serbia ka përzgjedhur të rikthehet aty ku ka qenë para Jugosllavisë socialiste; ku dëshmon se dëshiron të mbetet ende shpirtërisht, me vetëdije dhe me vullnet politik. Gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit, Serbia vërtetoi se nuk dëshiron të shkëputet nga tradita e saj regresive të nacionalizmit hegjemonist serb, të mishëruar me fanatizmin fetar pan-sllavist. Pushtetari i vetëm serb i cili e filloi shkëputjen nga kjo traditë, Zoran Gjingjiqi, përfundoi i vrarë nga vetë strukturat e shtetit serb. Serbia nuk dëshiron të ndryshojë në këtë paradigmë. Ajo ka ndryshuar metodën, por jo përmbajtjen. Mjetin, por jo qëllimin. Me metoda dhe mjete “paqësore dhe evropiane”, ajo ka për qëllim të sotshëm të forcohet politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht; për t’i sunduar nesër përsëri të tjerët. Sikurse dje. Me këtë botëkuptim politik dominues tradicional; natyrisht se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si rajon me shumicë shqiptare në Serbi; mbeten treva më e pazhvilluar, më e getoizuar dhe më e diskriminuar e shtetit serb, e ndoshta edhe e tërë rajonit; me shkallën më të lartë të papunësisë, e ku përfshirja e komunitetit shqiptar nëpër institucione shtetërore mbetet në shpërputhje drastike me strukturën demografike etnike shtetërore.

Ea-sk: Shumë shpesh dëgjojmë nëpër media, se të drejtat e shqiptarëve të Luginës, nuk respektohen aq shumë nga Beogradi zyrtar? Sa ka punuar në këtë drejtim institucioni që ju drejtoni?

Qeveria dhe organet e tjera vendimmarëse shtetërore janë ato të cilat e kanë mandatin, përgjegjësinë dhe kapacitetet për të përmirësuar pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Mbase, Serbia përpiqet vazhdimisht të ndërtoi një imazh të rrejshëm, se shqiptarët nuk i shfrytëzojnë mundësitë ligjore për realizimin e të drejtave të tyre, duke e kamufluar kështu diskriminimin e saj shtetëror. Si organizatë joqeveritare lokale, ne nuk e kemi mandatin dhe kapacitetet e duhura për ta përmirësuar pozitën juridike, ekonomike dhe politike të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ne mundemi vetëm të sensibilizojmë opinionin publik dhe organet përgjegjëse, lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut; një gjë që përpiqemi ta bëjmë vazhdimisht, edhe pse jemi shumë të kufizuar me resurse njerëzore dhe financiare, ku pothuajse veprojmë ekskluzivisht mbi baza vullnetare. Por, nuk kanë munguar rastet kur veprimtaria e KDNJ ka nxitur reagimin pozitiv të instancave përgjegjëse; sikurse për shembull, me rastin e çështjes së (mos)njohjes së diplomave nga Kosova në Serbi; ku trysnia e KDNJ-së ka ndikuar pozitivisht në marrëveshjen e mëvonshme për diplomat e Kosovës, që është arritur në Bruksel midis delegacionave nga Kosova dhe Serbia; edhe pse pastaj, po e njëjta marrëveshje politike është shpallur anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë, duke vërtetuar kësisoj qëndrimin e njohur të KDNJ-së, se esenca e problemit është Kushtetuta e Republikës së Serbisë. Pastaj, ka pasur edhe shumë problematika të tjera të fushave të ndryshme, ku kontributi dhe angazhimi i KDNJ-së kanë ndikuar pozitivisht në zgjidhjen dhe sensibilizimin e tyre. Por, natyrisht se edhe ne i kemi dobësitë dhe mangësitë tona; ndonëse nuk ka dyshim se KDNJ mbetet organizata joqeveritare lokale më e respektuar dhe më e vlerësuar nga ana e instancave vendore dhe ndërkombëtare (jo)qeveritare të cilat e trajtojnë çështjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Ea-sk: Fillimi i këtij viti nxënësit shqiptar i gjeti pa libra të mjaftueshme, si i vlerësoni përpjekjet e institucioneve komunale dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar  për zgjidhjen e këtij problemi?

Belgzim Kamberi: Çdo vit hasim në të njëjtat probleme në arsim, ku shkollarët janë viktima para së gjithash të politikave të Serbisë; por në një masë më të vogël edhe të institucioneve lokale shqiptare. Së pari, Serbia nuk tregon gatishmëri për të zgjidhur realisht problemin me tekstet mësimore dhe planprogramet në shkollat e mesme dhe fillore në gjuhën shqipe. Me politikat e saj arsimore, Serbia përpiqet të ndërtoj një identitet të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës sa më të distancuar nga tradita, kultura dhe historia kombëtare e tyre. Kjo reflektohet sidomos me politikat shtetërore me plan—programet dhe tekstet mësimore, ku ndalohet madje edhe paraqitja e flamurit kombëtar shqiptar në emër të kushtetushmërisë. Megjithatë, nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar i cili merret me propozimin e teksteve shqipe, janë miratuar deri tash 86 tekste nga Ministria e Arsimit në Serbi, ku hasim në problematika me politikat redaktuese të teksteve mësimore. Nevojiten ende rreth 100 tituj për shkollën fillore dhe rreth 400 për shkollën e mesme. Në anën tjetër, institucionet lokale shqiptare, si pushtetet lokale dhe Këshilli Kombëtar, nuk e kanë prioritet kryesor të tyre përmirësimin e cilësisë në arsim. Ato arsimin e shohin njëherësh si ndërmarrje për punësimin e militantëve partiakë dhe familjarëve të tyre. Kjo qasje e tyre ndikon keq në mundësinë e zgjidhjes së çështjes së tektsteve mësimore dhe plan-progameve; ngase ata nuk ushtrojnë trysninë e duhur dhe nuk ofrojnë kontribut, kapacitete dhe energji të mjaftueshme për këtë problematikë. Pra, cilësia e arsimit në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është degraduar thellësisht gjatë njëzet viteve të fundit për shkak të mungesës së vullnetit dhe aftësisë së organeve përgjegjëse të shtetit për t’i përmirësuar kapacitetet e institucioneve arsimore të ciklit të ulët dhe të mesëm; duke e mundësuar degradimin e tyre edhe nga politikat e institucioneve lokale, të udhëhequra nga politika shqiptare, që abuzojnë vazhdimisht lirshëm me ligjin nëpër shkolla për interesat e saj, në kundërshpërblim të lojalitetit të saj politik ndaj qeverive serbe.

Ea-sk: Përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi, shqiptarët i gjeti të përfaqësuar me dy deputetë në këtë institucion. Sa mund të dëgjohet zëri i këtyre deputetëve dhe apo bëjnë punën sipas zotërimeve që kanë dhëne?

Belgzim Kamberi: Me një përjashtim të shkurtër kohor; shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë pasur vazhdimisht përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës pluraliste të Serbisë. Megjithatë, kjo ka shërbyer deri tani ekskluzivisht në rrafshin e përfaqësimit politik në legjislativin shtetëror, ngase asnjë shumicë e deritanishme parlamentare serbe nuk ka shprehur gatishmëri dhe interesim serioz për t’i përfshirë përfaqësuesit politikë shqiptarë në organet dhe politikat qeverisëse. Ndryshe nga Kosova, ku përfaqësimi i serbëve të Kosovës në parlamentin dhe në qeverinë kosovare është i rezervuar dhe i garantuar me Kushtetutë; shqiptarët në Serbi nuk gëzojnë ndonjë mekanizëm ligjor të diskriminimit pozitiv i cili do ta garantonte përfaqësimin e tyre në parlamentin dhe në qeverinë serbe. Sido që të jetë, elementi pozitiv i pjesëmarrjes së deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Serbisë është se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përfaqësohen në organin vendimmarrës shtetëror nëpërmjet përfaqësuesve të tyre legjitim, por ai negativ është se ky përfaqësim institucional përkufizohet vetëm në këtë dimension politik dhe nuk ka sjellur rezultate të dëshiruara dhe të nevojshme për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Mbase Qeveria e Republikës së Serbisë nuk ka as sot ndonjë plan dhe program serioz për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën; por qeveria arsyetohet nëpërmjet ekzistencës dhe veprimit simbolik të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si organ qeveritar për këtë rajon. Prandaj, zëri i deputetëve shqiptarë dëgjohet pothuajse vetëm për opinionin publik-mediatik dhe për instancat të cilat nuk i përkasin strukturave qeveritare, ngase të gjitha qeveritë respektive serbe nuk kanë reflektuar interesim që të përfillin kërkesat e deputetëve shqiptarë. Realisht, zëri i dy deputetëve dëgjohet nga ata që nuk vendosin dhe nuk dëgjohet nga ata që vendosin. Si pakicë esktreme numerike në kuvend dhe në cilësinë e opozitarëve, dy deputetët shqiptarë janë të pafuqishëm që të zgjidhin ndonjë problem serioz në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kësisoj, ata janë pjesë përbërëse e pafuqisë së përgjithshme politike dhe institucionale momentale të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Por në vend, se të përpiqen të flirtojnë me strukturat e qeverisë serbe për të përfituar ndonjë zgjidhje të çështjeve minore politike, siç ka ndodhur zakonisht deri më tani; si të shpërfillur që janë realisht nga qeveria serbe, dy deputetët shqiptarë duhen të bëjnë edhe më shumë opozitarizëm aktiv parlamentar ndaj qeverisë serbe dhe të reflektojnë qartësisht në parlamentin serb kundërshtimin politik të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me politikat qeverisëse serbe.

EA-Sk: Ditëve të fundit, tema kryesore në Luginë, është dalja apo mosdalja në zgjedhjet për Këshill Nacional të Shqiptarëve. 

Sa dobi do të kenë shqiptarët nga pjesëmarrja e partive politike shqiptare në këto zgjedhje?

Belgzim Kamberi: Së pari, KKSH-ja nuk mjafton si mekanizëm për t’i zgjidhur problemet e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës, por ai mund të ndihmoj këto procese dhe duhet të shfrytëzohet si i tillë. Lidhur me këto fusha, problemi nuk është KKSH-ja; por rendi kushtetues serb me ligjet e ndryshme, që burojnë nga kjo Kushtetutë. KKSH-ja është një institucion i pamjaftueshëm, por që mund t’i ndihmoj proceset për të cilat ka kompentenca, aq më shumë, nëse KKSH-ja nuk do të sabotohej nga shteti që nuk e do avancim të të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe nuk do të degradohej nga vetë partitë politike lokale shqiptare për interesat e tyre. Megjithatë, e mira e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse shqiptare në zgjedhje do të ishte që KKSH-ja do të kishte së paku më shumë legjitimitet politik. E keqja do të jetë se ajo pjesëmarrje, me mendësinë aktuale të mendimit dhe të veprimit politik, nuk do të ndikoj në përmirësimin e efikasitetit, zhvillimit dhe profesionalizimit të KKSH-së. Fatkeqësisht, politika lokale shqiptare jo vetëm që nuk reziston ndaj politikës diskriminuese shtetërore serbe, por nuk ndërton as politika drejt realizimit të ndonjë autonomie politike dhe kulturore, e aq më pak drejt realizimit të jetësimit të Referendumit të vitit 1992 për bashkëngjitje me Kosovën; të cilin thonë se kanë si qëllim sublim politik. KKSH-ja mund të jep kontributin e tij në pjesën e autonomisë kulturore, sado e pamjaftueshme që është realisht; porse do të ishte megjithatë një hap i vogël përpara. Por, të gjitha elementet ekzistuese tregojnë se zgjedhjet për KKSH-në nuk do ta ndryshojnë kursin aktual politik. Mund të ndryshojë përbërja e KKSH-së, emrat e drejtuesve të tij; por jo politika saj në veçanti dhe ajo në raport me procesin e përgjithshëm politik në përgjithësi. Më shumë jemi duke u orientuar drejt vazhdimit të gjendjes ekzsituese regresive, sesa drejt ndonjë ndryshimi pozitiv të zhvillimeve politike, kjo edhe me fajin e politikanëve lokal shqiptarë. Politika vendore shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është sot substancialisht dhe strukturalisht e defaktorizuar. Pa program dhe vizion politik, ajo është kryesisht e orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave të individëve nëpër parti politike, duke shfaqur mungesë të kapaciteteve për t’u profesionalizuar dhe modernizuar, e duke vërtetuar njëkohësisht se nuk e gjen veten në Serbinë post-Millosheviqiane. Në fakt, ajo përfitoj nga kjo gjendje për të maskuar paaftësinë dhe abuzimet e saja. Sikurse nuk arriti dhjetë vite ta krijoj një organ të përbashkët efikas dhe funksional politik, ajo dështoi edhe në krijimin e një Këshilli Kombëtar që do të kishte kapacitetin e duhur profesional dhe politik për ta avancuar çështjen e shqiptarëve në Serbi. Përderisa në njërën anë, Kushtetuta e Serbisë, si dhe legjislacioni për pakicat nacionale, nuk mundësojnë avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të komuniteteve joserbe në Serbi, në anën tjetër, papjekuria e spektrit politik shqiptar është gjithashtu ajo që nuk e mundëson avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të shqiptarëve. Në thelb, politika shqiptare shërben sot para së gjithash për interesat e përfaqësuesve të saj, e jo për interesat e atyre që përfaqësojnë. Prandaj, spektri politik shqiptar i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për dështimet e procesit politik të nisur pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis forcave të sigurisë serbe dhe kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Një proces që ka dështuar në realizimin e të gjitha synimeve të saja kryesore.

Ea-sk: Sa është i nevojshëm uniteti politik përballë këtyre zgjedhjeve? 

Belgzim Kamberi: Uniteti politik është i nevojshëm dhe i domosdoshëm në kuptimin përmbajtjesor politik, të veprimit politik ndaj diskriminimit shtetëror. Pra, përtej këtyre zgjedhjeve. Por; uniteti që promovojnë partitë politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është propagandë dhe manipulim klasik politik, në shërbim të instrumentalizimit të qytetarëve shqiptarë për ruajtjen e status-quo dhe gjendjes ekzistuese, e cila i konvenon elitave lokale politike. Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar ishin një rast i mirë për të shikuar përtej interesave partiake, familjare dhe individuale politike. Për ta ndryshuar kursin e tanishëm politik në drejtim të ndërtimit të politikave për ta avancuar idenë e vetëqeverisjes rajonale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; duke përdorur si mekanizëm edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, sado që kompetencat e tij janë shumë të kufizuara (mbase po kufizohen edhe më shumë tani) dhe që me këtë Kushtetutë dhe legjislacion, ato përkufizohen në një nivel shumë të ultë të autonomisë kulturore. Fatkeqësisht, edhe kësaj herë, reflektohet niveli i ulët politik i lidershipit aktual dominues politik shqiptar, të orientuar kryesisht në realizimin e interesave korruptive politike, në bashkëpunim të heshtur me organet shtetërore, në këmbim të ruajtjes së gjendjes së tanishme politike.

Ea-sk:  Vonesat në vendime,  për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet për KNSH nga partitë politike në Luginë, i shihni si arsyeje për ndonjë vendim më racional, apo për interesa të ngushta klanore? 

Belgzim Kamberi: Vonesat janë kryesisht në funksion të taktizimeve dhe interesave të partive politike, që mendojnë më shumë për zotërimin e tanishëm dhe të ardhshëm të pushtetit lokal, ku ka më shumë fonde dhe kompetenca, sesa për shkak të ndonjë koncepti politik lidhur me të ardhmen e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. /presheva.com, EA-Sk/