SHPËRNDAJE

Njëri nga dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në seancën e fundit plenare i kërkoi ministrit të Arsimit furnizimin me tekste shkollore për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Kjo nuk i pëlqeu kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në një intervistë për Tribunën, Kamberi tregon se si shefi i qeverisë serbe e humbi kontrollin dhe reagoi në mënyrë skandaloze. Në vend se të jepte përgjigje për libra, ai kërkonte nga shqiptarët që t’i shlyejnë borxhet për shfrytëzim të energjisë elektrike.

Kamberi, flet edhe raportet me deputetët e tjerë në Parlamentin e Serbisë, sikundër që tregon edhe për kërkesat që e ka ndërmend t’i parashtrojë në të ardhmen.

 

Tribuna: Zoti Kamberi, keni pasur një polemikë interesante me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ju kërkonit libra shqip, e ai kërkonte nga shqiptarët e Luginës pagesën e faturave të energjisë elektrike. Keni arritur ta kuptoni, pse ai zgjodhi t’u kundërpërgjigjet në këtë formë? 

Kamberi: Në kuadër të raportimit të rregullt të qeverisë në parlament, çdo të enjte të fundit, unë e pyeta ministrin e Arsimit rreth domosdoshmërisë së furnizimit me tekste shkollore falas të nxënësve shqiptarë. Me këtë rast i përkujtova obligimet të cilin shtetit i ka vënë Komiteti Këshilldhënës i Konventës në kuadër të të drejtave të komuniteteve. Si duket kjo edhe e revoltoi kryeministrin, dhe në një situatë në të cilën e humbi kontrollin filloi të kontestojë këtë të drejtë fundamentale të fëmijëve tanë me pagesën e rrymës. Është reagim skandaloz, sepse vetë Kushtetuta e Serbisë në nenin 8 përcakton që të drejtat e pakicave duhet të shfrytëzohen drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuara.

 

Tribuna: A është e vërtetë se shqiptarët e Luginës nuk i shlyejnë faturat e energjisë? 

Kamberi: Mund të ketë raste që shqiptarët me rregull nuk paguajnë faturat e rrymës elektrike, por, nuk janë aspak më drastike se sa nëpër vendet tjera. Sigurisht që borxhi I Kompanisë shtetërore “Simponga Vranja” për rrymën elektrike është shumë më i madh se sa borxhi i gjithë shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

 

Tribuna : Ju vazhdimisht keni kërkuar reciprocitet në të drejta me serbët që jetojnë në Kosovë? Pse nuk ia rikujtuat atij se ata nuk paguajnë për energji elektrike? 

Kamberi: Unë isha i orientuar të kërkoje realizimin e atyre të drejtave të shqiptarëve që janë të garantuara me dokumentet fundamentale për të drejtat e njeriut dhe pakicave.

 

Tribuna: A mund të na sqaroni më tepër këtë çështjen e librave. Ju po kërkoni që librat të jenë të përkthyera në gjuhë shqipe, apo që ato të jenë të njëjta me librat shkollorë në Kosovë apo Shqipëri?

Kamberi: Problemi i mungesës së teksteve shkollore është ndër problemet kryesore të arsimit shqip në Luginë të Preshevës. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, sipas ligjit është kompetent të propozojë cilat tekste shkollore preferon të shfrytëzohen. Deri më tani është arritur që përafërsisht 50 % e teksteve dhe të sigurohet, qofshin ato nga Shqipëria, Kosova, apo të autorëve lokalë apo edhe përkthime. Normal, mënyra më e lehtë për ne do të ishte që Ministria e Arsimit në Beograd të lejojë përdorimin e teksteve nga Kosova dhe Shqipëria. Mjerisht, këtu ka ngecje. Por, sipas ligjit, në Serbi fëmijët e shkollës fillore prej klasës së parë deri në të katërtën furnizohen me tekste shkollore falas, të financuara nga qeveria. Fëmijët shqiptarë këtë të drejtë e kanë gëzuar vetëm pjesërisht. Prandaj, vërejtja ime ishte se ata po diskriminohen.

 

Tribuna: Cila do jetë kërkesa e radhës për kryeministrin serb? 

Kamberi: Kërkesat tona janë të përcaktuara me platformën e masave urgjente të aprovuar në marsin e vitit të kaluar nga i gjithë spektri politik shqiptar në Luginë të Preshevës. Ne kemi mundësi që çdo të martë dhe të enjte të shtrojmë pyetje për kryeministrin apo ministrat në veçanti, ndërsa të enjten e fundit të muajit, i shtrojmë pyetjet drejtpërdrejtë qeverisë e cila duhet të raportojë në parlament. Janë shumë çështje të rëndësishme të cilat duhet t’i shtrojmë me radhë.

 

Tribuna: E ndjeni veten të pafuqishëm në Kuvendin e Serbisë, duke marrë parasysh faktin se jeni vetëm dy shqiptarë në Kuvend? 

Kamberi: Përshtypja është këtu se dje ishte kryeministri ai që doli i pafuqishëm, sepse, argumenteve të paraqitura dhe në ligje të bazuara iu përgjigj me akuza kolektive, duke inkriminuar gjithë shqiptarët e këtyre komunave.

 

Tribuna: Çfarë raportesh mbani me kolegët serbë. Komunikoni me ta, bashkëpunoni?

Kamberi: Raporte kolegjialitetit formal. Bashkëpunim konkret kemi vetëm me tre deputetët e SDA të Sulejman Ugljanin me të cilët kemi edhe grupin e përbashkët parlamentarë.