SHPËRNDAJE

Gjyqtari i njohur i futbollit shqiptar, Tanush Latifi, përfundon në prangat e Policisë së Korçës, pasi dje pasdite në automjetin që ai po udhëtonte me një tjetër person, janë kapur me një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Sipas të dhënave zyrtare të drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, droga ishte fshehur në pjesën e prapakolpit të automjetit, që drejtohej nga Dhimitër Dudumi, gjithashtu nga Gjirokastra.

Arbitri Latifi ishte i ulur në sediljen e pasagjerit gjatë momentit të ndalimit nga policia. 40-vjeçari është një nga arbitrat më të njohur të kolegjiumit të Gjirokastrës në dekadën e fundit. Disa vite më parë ai ka qenë gjyqtar elitar në Kategorinë Superiore, madje edhe një pretendent për të marrë stemën e FIFA-s.

“Nga strukturat e sektorit kundër narkotikëve Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe me Strukturat e Kontrollit të Brendshëm, sot (dje) u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “TOLEDO”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Tanush Latifi, 40 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë oficer policie në Gjirokastër. Dhimitër Dudumi, 26 vjeç, banues në Gjirokastër. Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin rrugor Pogradec- Korçë, në automjetin Seat, me targa AA 153 IM, u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale: 21 kg e 456 gr lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, automjeti me targa AA 153 IM, 5 aparate celulari dhe një shumë prej 17.000 lekësh të reja”, citohej dje në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Korçës.

Sipas kësaj të fundit, droga vinte nga Gjirokastra dhe kishte si destinacion shtetin grek.