SHPËRNDAJE

Dr. Altin Cekodhima, gastrohepatolog: Kapsllëku është shenjë dhe jo sëmundje. Njohja me shkaqet, parandalimin dhe trajtimin në kohë

Kapsllëku është përcaktuar si situatë kur zorra juaj ka më pak se tre defekime (jashtëqitje), në javë.

Në kapsllëk (konstipacion) materialet fekale janë të forta, të thata, të vogla në madhësi dhe që dalin me vështirësi.

Shumë njerëz që kanë kapsllëk kanë dhimbje gjatë defekimit dhe shpeshherë kanë tendosje, fryrje dhe ndjesinë e një zorre të mbushur.

Shumë njerëz mendojnë se kanë kapsllëk në qoftë se nuk dalin jashtë çdo ditë.

Gjithsesi, jashtëqitje (defekim) normal mund jetë tre herë në ditë deri në tre herë në javë.

Kjo varet nga personi.

Altin Cekodhima, doktor gastrohepatolog sqaron se kapsllëku është shenjë dhe jo sëmundje.

“Pothuajse çdo njeri mund të ketë kapsllëk në jetën e tij dhe shkaku më tipik është një dietë e varfër.

Në shumë raste është i përkohshëm dhe jo serioz.

Njohja me shkaqet, parandalimin dhe trajtimin mund të ndihmojë shumë njerëz në lehtësimin e këtij problemi”, shpjegon mjeku.

 

ÇFARË E SHKAKTON KAPSLLËKUN (KONSTIPACIONIN)?

Për të kuptuar konstipacionin të vjen në ndihmë njohuria sesi punon zorra e trashë.

Pasi ushqimet kalojnë ne zorrën e trashë kjo e fundit thith ujin nga ushqimet ndërkohë që ai kthehet në mbetje ushqimore ose në feçe.

Muskujt e zorrës kontraktohen duke i shtyrë ato në drejtim të rektumit.

Kur feçet arrijnë në rektum ato janë të forta sepse një pjesë e mirë e ujit është përthithur.

Konstipacioni ndodh kur zorra përthith më shumë ujë ose kur muskujt kontaktues të zorrës punojnë ngadalë. Si rezultat feçet bëhen të forta dhe të thata.

Shkaqet kryesore të kapsllëkut janë;

dieta e varfër në fibra ushqimore;

mungesa e aktivitetit fizik (zakonisht te të moshuarit);

medikamentet;

qumështi;

sindromi i zorrës së irritueshme;

ndryshime në mënyrën e jetesës ose rutinës si p.sh. shtatzënia, moshimi dhe udhëtimet;

abuzime me laksativët (medikamentet që ndihmojnë në jashtëqitje);

injorimi i nevojës urgjente për të defekuar;

humbje e lëngjeve të trupit (dehidrimi);

sëmundje të veçanta ose situata të veçanta; probleme me zorrën dhe rektumin;

probleme me funksionin intestinal.

DIETA E VARFËR NË FIBRA

Njerëzit të cilët përdorin një dietë të pasur me fibra ushqimore kanë më pak gjasa të vuajnë nga kapsllëku, kurse dieta e varfër në fibra është një nga arsyet më të shpeshta pse ai ndodh.

Disa ushqime të varfra me fibra janë mishi, djathi, veza.

Fibrat gjenden në frutat, perimet dhe te drithërat të cilat trupi ynë nuk arrin t’i tresë.

Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtë në ujë dhe janë të buta dhe të rrëshqitshme në zorrë.

Fibrat e patretshme kalojnë nëpër zorrë pa pësuar ndryshime.

Këto dy lloj fenomenesh ndihmojnë në parandalimin e tharjes dhe fortësisë së feçeve duke i bërë ato lehtësisht të lëvizshme nëpër zorrë.

Ushqimi i varfër me fibra krijon kapsllëk veçanërisht te personat e moshës së tretë, gjë që çon në humbjen e interesit për të ngrënë dhe në zgjedhjen e ushqimeve të gatshme ose gjysmë të gatshme e të thjeshta për t’u gatuar.

Të dyja këto zgjedhje janë të varfra me fibra ushqimore.

Gjithashtu, vështirësia për të përtypur me dhëmbë ose për të gëlltitur ushqime të forta bën që të moshuarit të detyrohen të hanë ushqime të buta të cilat janë të varfra me fibra.

 

PËRDORIMI JO I MJAFTUESHËM I LËNGJEVE

Kërkimet kanë treguar se rritja e sasisë së lëngjeve të marra nuk bën lehtësimin e konstipacionit në të gjitha rastet, por shumë njerëz raportojnë se lehtësohen shumë në jashtëqitje nëse pinë lëngje si p.sh. ujë dhe lëngje frutash.

Ata gjithashtu shmangin dehidrimin.

Lëngjet shtojnë ujin në zorrë duke i bërë feçet më të buta dhe më të lehta për të lëvizur.

Njerëzit që kanë probleme me kapsllëkun duhet të shtojnë sasinë e marrjes së lëngjeve në ditë.

Disa lëngje që përmbajnë kafeinë si kafeja apo Coca-Cola mund të ashpërsojnë simptomat duke shkaktuar dehidrim.

Alkooli është një tjetër pije që shkakton dehidrim.

Është e rëndësishme të pihen lëngje që hidratojnë trupin sidomos kur njerëzit konsumojnë kafeine apo alkool.

 

MUNGESA E AKTIVITETIT FIZIK

Mungesa e aktivitetit fizik mund të çojë në kapsllëk edhe pse si fenomen është akoma i panjohur.

Për shembull kapsllëku ndodh pas një aksidenti ose gjatë një sëmundjeje kur jeni të detyruar të rrini regjim shtrati dhe s’mund të bëni ushtrime fizike.

Mendohet se mungesa e aktivitetit fizik është një ndër arsyet e kapsllëkut te moshat e vjetra.

 

MEDIKAMENTET

Disa ilaçe që shkaktojnë kapsllëk janë:

ilaçet kundra dhimbjes;

antiacidet që kanë në përbërje alumin dhe kalcium;

ilaçet e hipertensionit;

ilaçet kundra sëmundjes së Parkinsonit;

antispastikët;

antidepresantët;

mjekimi me hekur;

diuretikët;

antikonvulsantët.

 

NDRYSHIMET NË MËNYRËN E JETESËS

Gjatë shtatzënisë gratë mund të kenë kapsllëk për shkak të ndryshimeve hormonale ose për shkak të shtypjes që bën mitra (uterusi) mbi zorrët.

Mosha gjithashtu mund të ndikojë në rregullsinë e lëvizjes së zorrës.

Për shkak të ngadalësimit të metabolizmit, zorrët kanë aktivitet muskular më të dobët.

Për më tepër, njerëzit bëhen kaps kur udhëtojnë për shkak të ndryshimit të dietës dhe rutinës ditore.

 

SËMUNDJE TË VEÇANTA

Sëmundjet të cilat shkaktojnë kapsllëk janë ato neurologjike, metabolike, endokrine dhe situate sistemike të cilat prekin sistemin e organeve.

Këto çrregullime mund të ngadalësojnë lëvizjen e feçeve nëpër zorrë, rektum dhe anus.

Kushtet që mund të shkaktojnë kapsllëk janë:

çrregullime neurologjike; skleroza multiple;

sëmundja e Parkinsonit;

pseudo-obstruksione të zorrëve kronike idiopatike;

hemorragjitë cerebrale; dëmtime të shtyllës kurrizore; situatat metabolike dhe endokrine;

diabeti;

ureja në gjak (uremia);

sasi e tepruar e kalciumit në gjak (Hiperkalcemia);

kontroll të dobët të glicemisë; sasi e pakët e hormoneve të tiroides (Hipotiroidizmi); çrregullimet sistemike;

Amyloidosis;

Lupus dhe Skleroderma.

 

PROBLEME ME ZORRËN DHE REKTUMIN

Obstruksionet intestinale (bllokim i zorrëve), dëmtime të indeve, divertikulozat, tumoret, striktura (ngushtimi) kolorektal, sëmundja e Hirschsprungut ose kanceri mund të komprimojë, shtrëngojë ose ngushtojë zorrët dhe rektumin duke shkaktuar kapsllëk.

 

PROBLEME ME FUNKSIONIN E ZORRËVE

Dy llojet e kapsllëkut janë konstipacioni me shkaqe të panjohura (idiopatik) dhe konstipacioni funksional.

Sindromi i zorrës së irritueshme me shenja mbizotëruese të konstipacionit është i kategorizuar më vete.

Kapsllëku me shkaqe të panjohura (idiopatike), nuk i përgjigjet mjekimeve standarde.

Ai mund të jetë i lidhur me probleme funksionale të zorrëve ku përfshihen kontrolli hormonal, nervat dhe probleme të muskujve të zorrës së trashë, rektumit dhe anusit.

– Kapsllëk funksional do të thotë që zorra është e shëndoshë por nuk funksionon siç duhet. Nuk shkaktohet nga sëmundje organike.

Zakonisht është rezultat i dietave të varfra dhe mënyrës së jetesës.

Ai ndodh si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Inercia kolonike, tranzit i vonuar dhe mosfunksionim i muskujve të dyshemesë pelvike janë tri arsye për formimin e kapsllëkut funksional.

Inercia kolonike dhe vonesa të tranzitit shkaktohen nga rënia e aktivitetit muskular të zorrës.

Këto sindroma mund të prekin komplet zorrën e trashë ose mund të lokalizohen në pjesën e poshtme të zorrës, në sigmë.

Mosfunksionimi i dyshemesë pelvike mund të vijë si rezultat i dobësisë së muskujve të legenit që rrethojnë anusin dhe rektumin.

 

INJORIMI I NEVOJËS URGJENTE PËR TË DEFEKUAR

Njerëzit të cilët injorojnë nevojën për jashtëqitje (defekim) duke e ndaluar një ndjesi të tillë çon në kapsllëk.

Disa njerëz e vonojnë jashtëqitjen për shkak se nuk duan të përdorin tualetet jashtë shtëpisë.

Të tjerë e injorojnë për shkak të stresit emocional ose janë shumë të zënë me punë.

Fëmijët e injorojnë për shkak të trajnimeve stresuese higjienike ose se nuk duan të ndërpresin lojërat.

 

ABUZIMI ME LAKSATIVËT

Laksativë quhen medikamentet të cilat ndihmojnë jashtëqitjen (defekimin).

Mendimi se njerëzit duhet të defekojnë përditë ka bërë që disa njerëz të përdorin laksativë.

Edhe pse njerëzit ndihen të lehtësuar nga përdorimi i laksativëve ata duhet të rrisin dozat për shkak se trupi me kalimin e kohës krijon varësi ndaj tyre.