SHPËRNDAJE

Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaqevë, pos që ka humbur durimin ai ka filluar të ndihet i zhgënjyer në institucionet qendrore tek të cilat thotë se ka pasur shpresë se do të merren seriozisht me problemin e vijës kufitare në Karaqevë.
Lenjani thotë se protesta e fundit nuk pati efekt, sepse hasi në vesh të shurdhër.

“Mesazhi kryesor i protestës ishte që Edita Tahiri të flas për Karaqevën në bisedimet e ekipit negociator. Ajo nuk foli asnjëherë dhe nuk na ftoi asnjëherë në takim”, thotë Lenjani.

Sipas tij, është e pakuptimtë edhe heshtja e Jakup Krasniqit.

“Kryeparlamentari na takoi vetëm sa për sy e faqe dhe kurrë nuk e foli asnjë fjalë për Karaqevën. Vërtet nuk i kuptojmë këto demagogji të politikanëve tanë”, shton ai.

Lenjani mendon se tani urgjente për Karaqevën mbetet sensibilizimi i Edita Tahirit dhe iniciativa e saj që ta diskutojë në ekipin negociator vijën kontestuese në Karaqevë.

“Pse jo, edhe Hashim Thaçi mund të vije në Karaqevë e të bëjë ‘selfije’ me banorët e rrezikuar nga tytat e xhandarmërisë serbe. Edhe ne jemi Kosovë dhe fotoja do të dukej bukur”, thotë me ironi Lenjani. /Rajoni Press/