SHPËRNDAJE

Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka organizuar sot dy tribuna me nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Preshevë dhe Bujanoc, në kuadër të realizimit të projektit “Dil dhe voto – Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar”, të cilin e mbështet Fondacioni për Shoqëri të Hapur “Soros” në Serbi. Qëllimi është që të motivohen të rinjtë nga Lugina e Preshevës, veçmas ata që kanë për herë të parë të drejtë vote, për të votuar në zgjedhjet të cilat do të zhvillohen të dielën më 26 tetor. Në tribunë kanë folur përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Bullgar dhe Këshillit Kombëtar Rom. Nxënësve iu janë paraqitur përvojat e minoriteteve të tjera në Serbi, lidhur me realizimin e të drejtave të minoriteteve nëpërmjet punës së Këshillave Kombëtare. Shembujt e praktikave të mira janë paraqitur nëpërmjet mundësive të ndryshme që ofrohen në fushën e të drejtave të minoriteteve, si dhe është përcjellur mesazhi lidhur me rëndësinë që këto të drejta të realizohen nëpërmjet institucioneve dhe legjislacionit përkatës.