SHPËRNDAJE

Khabib Nurmagomedov ka thënë se pret së paku nëntë muaj pezullim për shkak të përfshirjes së tij në incidentet e UFC 229. Kampioni i UFC-së në kategorinë e peshave të lehta u përlesh me stafin e Conor McGregorit, pas fitores ndaj yllit të famshëm irlandez. Momenti kur Khabib Nurmagomedov e detyroi Conor McGregorin të dorëzohet.

Ylli nga Dagestani doli nga ‘Tetëkëndëshi’ dhe e sulmoi kolegun e McGregor, Dillon Danis, që më pas u shoqërua me incidente të tjera brenda dhe jashtë ‘Tetëkëndëshit’. Para Vitit të Ri, babai i Nurmagomedovit, Abdulmanap, kishte thënë se Komiteti Atletik i Shtetit të Nevadës (NSAC) do ta suspendonte djalin e tij me nëntë muaj dhe me gjobë prej 500.000 dollarësh (439.840 euro). Ndërsa tash, edhe vet Khabib ka thënë se beson se do të qëndrojë jashtë për nëntë muaj, edhe pse mendon se mund të pezullohet deri në 12 muaj.

“Të jem i sinqertë, nuk di asgjë për rikthimin tim. Duhet të presim. Në javën e ardhshme, në fund të këtij muaj, në fund të janarit, ata do të marrin një vendim për të ardhmen time”. “Ndoshta do të më japim nëntë muaj ose një vit. Nuk e di”, ka thënë Nurmagomedov për Submission Radio.

Më tej, 30-vjeçari ka deklaruar se deri sa ta dëgjojë vendimin e NSAC nuk do të mendojë për kundërshtarin e ardhshëm.