SHPËRNDAJE

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka përsëritur edhe një herë kërkesën e Bashkimit Evropian (BE) që autoritetet kosovare të pezullojnë menjëherë taksën e vënë ndaj mallrave nga Serbia, duke tërhequr vëmendjen se kjo tarifë pengon Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Ndërsa nuk deklarohet për njëanshmërinë e BE-së.

Kocijançiq, në një intervistë për KosovaPress ku ka folur edhe për rolin e ekipit negociator në dialog dhe liberalizimin e vizave, ka kërkuar nga të dyja vendet që të sigurojnë një ambient të favorshëm për dialogun.

Ajo thotë se BE-ja pret që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka për qëllim të promovojë bashkëpunim dhe pajtim mes të dy palëve, t’i ndihmojë ato që të shënojnë progres në rrugën evropiane dhe të përmirësojnë jetët e popujve. Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane”, thotë ajo.

Duke folur për situatën e brishtë që është krijuar tash e një kohë, ajo thotë se vendimi i autoriteteve kosovare i nëntorit të vitit të kaluar për të vendosur tarifa ndaj produkteve të importuara nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia nuk ka ndihmuar në krijimin e ambientit të nevojshëm për vazhdimin e dialogut.

“Siç është thënë vazhdimisht, Bashkimi Evropian së bashku me shtetet anëtare dhe SHBA-të i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës t’i pezullojë menjëherë tarifat në mënyrë që të lejojë vazhdimin e shpejt të dialogut. Status quo-ja nuk është opsion dhe nuk ka opsion për vazhdimin e menjëhershëm të Dialogut mes palëve. Tarifat, jo vetëm që qëndrojnë në rrugën e dialogut, por edhe në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës”, thekson ajo.

Ajo ka thënë se BE-ja mirëpret përfshirjen e ekipit negociator, si përkushtim të palës kosovare në normalizimin e procesit të dialogut. Teksa nuk ka dashur të komentojë rreth qëndrimeve të palëve në dialog.

“Bashkimi Evropian e mirëpret rolin dhe përfshirjen e ekipit negociator si demonstrim i prioritetit që autoritetet kosovare janë duke treguar për normalizimin e procesit. Bashkimi Evropian ka parë që Kuvendi ka miratuar Ligjin për Dialogun dhe Platformën e Dialogut. Si ndërmjetësues, BE-ja nuk komenton rreth qëndrimeve individuale të palëve të dialogut. Marrëveshja përfundimtare mund të arrihet vetëm përmes negociatave”, shprehet ajo.

Derisa më 21 mars 2018, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që thuhej të ishte kusht për liberalizimin e vizave, kjo nuk ndodhi.

E pyetur nëse iu është bërë padrejtësi në lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës, si qytetarë evropianë, Kocijançiq thotë se i takon Parlamentit dhe Këshillit Evropian të miratojë propozimin e Komisionit për udhëtim pa viza.

“Komisioni e ka prezantuar propozimin për heqjen e vizave për Kosovën në vitin 2016, me kuptimin se deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do t’i ketë ratifikuar dy kritere të pazgjidhura: Ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe Forcimi i dhënave të saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Tashmë i takon Parlamentit dhe Këshillit Evropian të miratojnë propozimin e Komisionit për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës udhëtim pa viza”, thotë ajo.

Derisa Serbia po vazhdon të bëjë propagandë kundër Kosovës, duke penguar edhe anëtarësimin në INTERPOL, lobon kundër tërheqjes së njohjeve nga vendet që na kanë njohur ndërsa askush nuk po e parandalon atë, zëdhënësja e BE-s thotë se të dyja vendet duhet të sigurojnë një ambient të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga veprimet që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

“Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë një ambient të favorshëm për Dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit. BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen menjëherë ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre evropiane”, thotë ajo.

Megjithëkëtë, Kocijançiq, ndonëse e pyetur, nuk potencon nëse do të duhej të kishte rezultat më të mirë dialogu Kosovë-Serbi.

“Ashtu siç kanë thënë qartë Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënkryetari i BE-së: Dialogu Beograd-Prishtinë ka të bëjë me të gjitha elementet që janë të nevojshme për normalizimin e plotë të raporteve, të gjitha çështjeve të pazgjidhura, përfshirë ato delikate dhe të komplikuara. Një marrëveshje e ardhshme ligjërisht e detyrueshme e Dialogut Beograd-Prishtinë e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe qëndrimin e BE-së, si dhe të kontribuojë për mirëqenien, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, ka thënë Kocijançiq.

Ndryshe, Serbia vazhdon të paraqesë dëm të madh për popullin e Kosovës. Vetëm vitin që shkoi, ky shtet ka ndalur dhjetëra qytetarë në kufirin në Merdar, ndërkohë që ata që lejohen të kalojnë nga Kosova duhet të paguajnë tabelat provizore, derisa nuk u njihen as dokumentet dhe pajisen me fletë të posaçme për hyrje në kufi.

E përkundër kësaj, BE-ja vazhdon të bëjë presion mbi palën kosovare për pezullimin e taksës, duke mos dashur të deklarohet nëse po tregohet e njëanshme në këtë mes.