SHPËRNDAJE

Nga ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari i Allahut ka thënë: ”Njeriu më afër Allahut është kur është në sexhde, andaj shtoni lutjet tuaja.”(2)

Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut: “Lutja mes ezanit dhe ikametit nuk kthehet.” (3)

Nga Sehl b Sad, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut: ”Dy lutje nuk kthehen ose rrallë ndodhë të kthehen mbrapsht, lutja gjatë ezanit dhe lutja kur palët armike ndeshen njëra me tjetrën.” (4)

Nga ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari i Allahut ka thënë: ”Zoti ynë zbret çdo natë në qiellin e dunjasë kur ka mbetur një e treta e fundit të natës dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet Mua, që unë t’i përgjigjem atij, a ka ndonjë që
më kërkon Mua diçka, që unë t’ia siguroj atë atij, a ka ndonjë që kërkon faljen Time, që Unë ta fali atë?” (5)

Nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: ”Vërtetë, natën ka një kohë në të cilën nëse myslimani i lutet Allahut për mirësi prej çështjeve të kësaj bote ose botës tjetër, Allahu ia përmbushë atë
dhe kjo ndodhë për çdo natë.” (6)

Komenti: Lutja ka çaste kur më shumë shpresojmë të na pranohet ajo se sa në raste tjera, myslimani duhet të kujdeset për shfrytëzimin e saj kohe dhe shtimin e lutjeve aty, prej tyre: koha e sexhdes, atëherë kur myslimani është më afër Zotit të tij, mes ezanit
dhe ikametit kur myslimani është në pritje të namazit, kur takohen me armiqtë në luftë, në fundin e natës, atëherë kur zbret Zoti ynë çdo natë.

Dobitë: 1. Ka raste kur shpresojmë në pranimin e lutjeve më shumë se sa në raste tjera. 2. Nxitja për shfrytëzimin e këtyre kohëve dhe përkujdesja për shtimin e lutjeve në të. 3. Prej këtyre kohëve: në sexhde, mes ezanit dhe ikametit, në fundin e natës dhe
kur të takohen me armikun në luftë.

Fusnota:

1) Teudihul-ahkam6/432, Gidhaul-elbab 2/513. 2) Muslimi 482, ebu Davudi 875, Nesaiu 1137. 3) Tirmidhiu 212, ebu Davudi 521, hadithin e ka saktësuar shejh Albani në Sahihul-xhami 3408. 4) Ebu Davudi 2540, imam Neveviu në Edhkar ka thënë 303, me isnad të saktë
dhe hadithin e ka saktësuar shejh Albani ne Sahihul-xhami 3079. 5) Muslimi, 758. 6) Muslimi, 757

Perkthim : Hoxhe Valdet Kamberi