SHPËRNDAJE

Në regjistrin e Ministrisë së Financave të R. Sërbisë mbi shlyerjen e detyrimeve financiare, raport ky që publikohet çdo ditë, në dokumentin (RINO-Registar izmirenja novčanih obaveza) sot është gjetur edhe llogaria bankare e Komunës së Bujanocit me një detyrim shlyerje në shumë prej 5.207.511 dinarë që në kundërvlerë është (44 mijë euro).

Sipas njohësve të çështjeve financiare, detyrimi RINO nënkupton se llogaria bankare e Komunës së Bujanocit mund të jetë në vështirësi të mëdha financiare, ngase kjo gjendje bllokon komplet transferet financiare ndaj komunës së Bujanocit, përveç atyre vetanake.

“Komuna e Bujanocit është në një kolaps financiarë i cili bllokon çdo transfer nga Qeveria, gjegjësisht nga Ministria e Financave, si dhe çdo transfer tjetër që vjen nga institucionet tjera dhe donatorët e huaj.

E gjith kjo gjendje kaotike financiare e pushtetit lokal në Bujanoc vjen si pasojë e mos shlyerjes së obligimeve ndaj institucioneve lokale që është themelues Komuna dhe shkollave, shpenzimet e të cilave, përveç pagave, mbulohen nga buxheti komunal” është shprehur bashkëbiseduesi ynë.

Të dhënat në RINO janë si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve bredna një periudhe prej 45 ditësh, gjegjësisht faturave të cilat institucionet e lartpërmendura ia faturojnë furnitorëve për gjërat e nevojshme.

Nëse raportin e datës së sotme e krahasojmë me atë të 24 marsit, të cilin gjithashtu e posedon presheva.com, detyrimet financiare të Komunës së Bujanocit të publikuara në RINO janë për 1.145.394 dinarë më të larta, që nënkupton se më 24 mars në regjistrin e shlyerjes së detyrimeve financiare Komuna e Bujanocit ka qenë në obligime financiare në shumë prej 4.062.117 dinarë.

Bashkëbiseduesi ynë gjithashtu ka potencuar se, “Ekziston mundësia që edhe pagat në fund të muajit nuk do të mund ti marrin punëtorët të cilët paguhen nga buxheti i komunës, duke patur parasysh se, përderi sa ekziston një obligim i pashlyer në RINO, ligjërisht nuk mund të ketë as transfer parashë nga MF-ja”

Se si do ti shlyej Komuna e Bujanocit këto detyrime dhe nëse gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në favor financiarë të Komunës së Bujanocit kjo mbetet të shihet?/presheva.com/