SHPËRNDAJE

Shtabi për situata emergjente ka mbajtur mbledhjen e pestë me radhë të udhëhequr nga kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe morën pjesë institucionet përkatëse dhe policia lokale.

Në këtë mbledhje u aprovua kërkesa e komandës së Brigadës 4 të ushtrisë tokësore të Serbisë në Vrajës për pastrimin e rrugës nga fshati Lluçan deri në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit në vlerë prej 500 mijë dinarë.

Kjo kërkesë u paraqit edhe nga personeli i zyrës për investime dhe zhvillim Enver Ramadani i cili theksoi se ishte kërkesë edhe e banorëve të fshatit, shkruan portali Titulli, përcjell presheva.com.

“Na ka njoftuar edhe bashkësia lokale e fshatit Dobrosin se kjo rrugë paraqet problem për ta dhe se janë bërë aksidente të shumta, prandaj propozoj që aprovohet kërkesa për të ndarë mjete në vlerën e përcaktuar” tha Enver Ramadani.

Gjatë kësaj mbledhje u aprovuar edhe raporti i komisionit për dëmin e shkaktuar gjatë erërave në kulmin e fabrikës “Simpen” në Bujanoc.

Ali Asllani, nga shtabi emergjent paraqiti edhe problemin e gjarpërinjve në disa vendbanime të komunës së Bujanoci dhe propozoi të bëhet dezinfektimi i zonave në mënyrë që të bëhet largimi i gjarpërinjve.

Propozim i tijë u refuzua nga kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi pasi që këtë gjë mund ta bëjnë edhe bashkësitë lokale përkatëse me buxhetin e tyre./presheva.com/