SHPËRNDAJE

Në dy raste të ndara Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona dhe ka konfiskuar mbi 20 kg substancë narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Pas informatës dhe dyshimit të bazuar për transportimin e substancave narkotike nga Kosova për në shtetet perëndimore, drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik në bashkëpunim me zyrtarët policor të Pikës kufitare, Dheu i Bardhë, në pikë kalimin kufitar Dheu i Bardhë, rreth orës 08:00, kanë ndaluar një veturë “Mercedes”, në të cilën kishte qenë drejtuesi S. B. i lindur më 1977 me kombësi turke.

Pas kontrollit të veturës janë gjetur 17 paketime substancë narkotike e dyshuar të jetë e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 10 kg e 177 gr.

Veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të dyshuarit i është lëshuar vendimi mbi ndalim prej 48 orëve.

Po ashtu Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotike në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe njësitin K9, të njëjtën ditë me 22.03.2014 rreth orës 08:00, në pikë- kalimin kufitar në Merdar ka ndaluar një autobus nën dyshimin se në të gjendet substancë narkotike.

Pas kontrollit në autobus, në një çantë ishin gjendur 19 paketime substance narkotike e dyshuar të jetë e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 10 kg e 566 gr.

Substanca narkotike ka qenë ne pronësi të personit të dyshuar H. M. lindur më 1977 me dyshtetësi (kosovare dhe serbe), i cili ka qenë në autobus dhe është arrestuar nga policia.

Më vonë rreth orës 12:00, nën dyshimin për përfshirje në rastin e njëjtë është arrestuar edhe G. G. , i lindur më 1990, shtetas i Kosovës.

Me vendim te Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të dyshuarve ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.