SHPËRNDAJE

Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Albert Prenkaj, dhe ai nga pala malazeze i udhëhequr nga Ivan Lekoviq, drejtor i Përgjithshëm i Bilaterales kanë mbajtur një takim të rregullt pune për konsultime politike dy-palësh, ashtu siç edhe parashihet me marrëveshjen e përbashkët të dy ministrive respektive.

Takimi u zhvillua në Podgoricë, ndërsa temat, që u trajtuan kanë përfshirë marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik, vlerësimin e gjendjes në lëmin e raporteve kontraktuale ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin në kuadër të integrimeve në NATO dhe BE dhe bashkëpunimin multilateral dhe rajonal.

Gjatë këtij takimi, të dy drejtuesit e delegacioneve, Prenkaj dhe Lekoviq, kanë vlerësuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, janë shumë të mira dhe që nga konsulta e kaluar kanë shënuar progres, që mund të vërehet përmes kontakteve të shumta e të rregullta, vizitave të drejtuesve më të lartë shtetëror si dhe mbështetje reciproke. Në të njëjtin takim është konfirmuar edhe gatishmëria dhe interesimi i ministrit të jashtëm të Malit të Zi, Darmanoviq për vizitë zyrtare në Prishtinë, gjatë gjysmës së parë të muajit mars.