SHPËRNDAJE

Kosova ka pranuar 22 gola në nëntë ndeshje në Grupin I në eliminatoret për Botërorin “Rusia 2018”.
Kosova kërkon t’i mbyllë me rezultat pozitiv kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”, duke parë statistikat jo të mira që regjistron pas nëntë ndeshjeve.

Të besuarit e Albert Bunjakut do të kenë sonte përballë një Kombëtare që po shkruan histori, Islandën, e cila prin në Grupin I.

Pas nëntë ndeshjeve në Grupin I, Kosova renditet e fundit me vetëm një pikë, teksa ka pësuar tetë humbje me radhë.

Kombëtarja jonë ka pranuar 22 gola në nëntë paraqitje, por qëndron më mirë se disa Përfaqësuese tjera që ka vite që garojnë në gara ndërkombëtare, për dallim nga Kosova që ishte hera e parë dhe historike pas pranimit në UEFA e FIFA vitin e kaluar.

Skuadra që ka pranuar më së shumti gola në këto eliminatore është San Marino me 51, e ndjekur nga Gjibraltari 43, Lihtenshtjan 35, Armenia 26, Kazakistani 26, Malta 25 – ndërsa Kosova ndanë vendin shtatë dhe tetë me Moldavinë, me nga 22 gola të pranuara.

Kurse sa i përket golave të shënuara, Kosova ka realizuar tre gola, aq sa kanë shënuar edhe Gjibraltari, Letonia e Malta.

Vetëm, Andorra (2), San Marino (2) dhe Lihtenshtajn (1), kanë shënuar më pak se Kombëtarja e Kosovës.

Për shkak të këtyre statistikave jo të mira, “Dardanët” do të tentojnë që të befasojnë sonte Islandën, për t’i mbyllë me një buzëqeshje eliminatoret e Botërorit të Rusisë, historike për Kosovën.