SHPËRNDAJE

Ikja

“Henley and Partners” ka krijuar një indeks të dhënash në lidhje me kufizimet e vizave nga vende të ndryshme, që rendit vendet anembanë botës bazuar mbi lirinë e të udhëtuarit që gëzojnë qytetarët e këtyre vendeve, teksa ka edhe rezultate surprizuese.

Ndërkohë që vende të tilla si Korea e Veriut dhe Kuba mund të ishin ndër të fundit, si vende me kufizimet më të mëdha të të udhëtuarit lirshëm, këto dy vende renditen në vendet 86 dhe 69 respektivisht, nga 94 pozicione që janë gjithsej (kuptohet që për pasaporta të barazvlefshme jepet vetëm një renditje), shkruan “top-chanel”.

Secili vend ka edhe një sasi pikësh të dhëna nga firma e konsultimeve globale “Henley and Partners”, e cila është e specializuar në planifikimet e çështjeve rezidenciale dhe të shtetësisë.

Pikësimi është llogaritur bazuar mbi rregullat e lëshimit të vizave nga të gjitha vendet dhe territoret në botë, si dhe numrin e vendeve që shtetasit e këtij vendi mund të vizitojnë pa pasur nevojë për një vizë.

Për fat të keq, shqiptarët renditen ende larg vendeve të para, konkretisht me Shqipërinë në vendin e 45-të, me lëvizshmëri të barazvlefshme me Republikën Domenikane dhe Grenadës, ndërkohë që Kosova renditet edhe më keq, duke vërtetuar shprehjen e kryeministrit Edi Rama se “BE-ja ka krijuar një ishull të Kosovës në hapësirën europiane), pasi renditet në vendin e 87, në të njëjtat nivele me Iranin dhe Republikën Demokratike të Kongos (Kinshasa). E çuditshme, por e vërtetë, Kosova është më e kufizuar edhe sesa Korea e Veriut.

Vendet me “pasaportën më të fuqishme” janë Finlanda, Gjermania, Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Në vend të dytë renditen Kanadaja dhe Danimarka, ndërsa “podiumin” e plotësojnë Belgjika, Franca, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Luksemburgu, Holanda, Portugalia dhe Spanja. Nga vendi i parë e deri tek i treti ndahen me vetëm 1 pikë vlerësim.