SHPËRNDAJE

Një gazetë finlandeze shkruante këto ditë për Kosovën se këtij shteti ”më taze” në Evropë, megjithë pasojat katastrofale nga lufta e fundit, s’i ka mbetur tjetër veçse të shikojë nga e ardhmja. Turizmi për Kosovën është një koncept i ri, kurse vizitori do të mahnitet nga një natyrë madhështore, kulturë parahistorike, ushqime të shijshme dhe mikpritje të ngrohtë.

Autori i reportazhit kishte vizituar bukuritë e Bjeshkëve të Nemuna dhe ishte ulë e kishte dredhë duhan në një nga kullat e Dukagjinit. I mahnitur nga mikpritja dhe bukuritë joshëse të natyrës, ai kishte qëndruar larg kryeqendrës së Kosovës dhe stacionit të autobusëve prej nga mijëra veta po largoheshin në drejtim të Evropës Perëndimore me një shikim të panjohur se ku do të përplaseshin.

Për disa javë rresht ekranet televizive dhe rrjetet sociale sollën video e fotografi të panumërta me pamje nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, prej nga autobusët e stërmbushur niseshin në drejtim të Beogradit, kryeqytet i armikut shekullor të shqiptarëve. Nga këtu pastaj cak ishte Subotica, një qytet afër kufirit me Hungarinë dhe prej aty rrugëve të panjohura e ilegale drejt në Hungari. Prej këtu pastaj nëpërmjet kontrabanduesve kaluan një pjesë në Austri, shumë sish në Gjermani e Zvicër dhe vende tjera e kohëve të fundit edhe në Suedi.

Dhe, çfarë fati i keq! Të gjitha këto vende kanë bërë me dije se shqiptarëve të Kosovës nuk do t’ju pranohet azili. Deportimi masiv mund të ndodhë shumë shpejtë.

Sipas Agjensionit Suedez për Migrim, Migrationsverket, edhe në Suedi është vërejtur se në tre muajt e fundit është shënuar rritje e ndjeshme e të ardhurve nga Kosova. Flitet se numri i tyre arrin afër 700. Me qëllim të incizimit të situatës nga afër, Migrationsverket ka dërguar një ekspert të vetin në Kosovë. Pjesërisht për të parë ngjarjet e eksodit nga afër, e pjesërisht për të shpërnda sinjale se kot ia mësyjnë Suedisë.

Ndërkaq, gjatë muajit shkurt Kosovën e vizitoi edhe kryetari i parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin. Sipas burimeve të lajmeve ai kishte theksuar se mbështetja e Suedisë për Kosovën do të jetë afatgjate dhe e qëndrueshme. Dhe se relacionet e mira fqinjësore të vendeve në Ballkan janë çelës i mirëqenies. Por, këto nuk janë asgjë tjetër veçse fraza standarde diplomatike nga shumë diplomatë evropianë që mes mjeteve të informimit shpërndahen gjithandej.

Megjithëkëtë, njerëzit në Kosovë janë lodhur prej deklaratave boshe evropiane e edhe më shumë prej premtimeve shterpe të politikanëve vendës të të gjitha bojërave, nëse mund të thuhet se u ka mbetur ndonjë fije boje. Kosova vazhdon të mbetet larg BE-së dhe larg anëtarësimit në OKB. Gjithashtu edhe larg investimeve të huaja.

Ndaj, edhe po ndodhë eksodi nga Kosova. Eksodi më i madh që nga lufta e vitit 1999.

Pse?

Përgjigjen ekzakte askush nuk mund ta japë, por përgjigjja më e shkurtër që dëgjohet është: Jemi lodhur! Jemi zhgënjyer! Papunësia tepër e madhe! Ndoshta mbi 50 për qind e banorëve janë të papunë, pjesa më e madhe prej të cilëve të rinj të moshave nën 30 vjeç!

Përgjigjet tjera mund të jenë më të gjata dhe mund të gjenden te protestat e shumta e me karaktere të ndryshme që e përfshinë Kosovën. Shqetësimet sociale janë ekstreme, funksionimi i shtetit i brishtë; korrupcsoni e krimi i madh nuk po luftohet me efektshmëri etj.

Nëse Kosovës ju deshtë një ndihmë ushtarake në fund të viteve të ‘90-ta, atëherë Evropa duhet t’i hapë sytë mirë që të jetë e pranishme në Kosovë me mjete ekonomike e sociale në mënyrë që Kosova t’i kthehet vetvetes për t’u bërë vërtetë anëtare e BE dhe mos ta lë Kosovën që të hyjë ilegalisht në BE!

 

Shkruan: Shuquri Sejdijaj