SHPËRNDAJE

“Letër rrëqethëse”, kështu po cilësohet nga qeveritarët serbë përmbajtja e Kapitullit 35 të Bashkimit Evropian në negociata për anëtarësimin e Serbisë, të cilin propaganda qeveritare e trumbeton si kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Debati i njohur rreth “Kosovës ose BE-së” në Serbi është rikthyer në opinionin publik serb me nxitjen e vet Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që ngritin teoritë që nga presioni i BE-së (lexo Gjermaninë) dhe deri në “skenarin turk” për kinse mungesë vullneti politik për anëtarësimin e Serbisë në BE. E përderisa disa syresh besojnë naivisht sërish në grackën se Serbia është para faktit të kryer për të zgjedhur “ose BE-ja, ose Kosova”, Vuçiqi realisht po e vazhdon politikën “Edhe BE, edhe Kosovë”, duke e rritur presionin jashtë dhe brenda Serbisë.

Ky presion i duhet në raport me Brukselin për të fituar më shumë hapësira veprime në të ardhmen ndaj Brukselit dhe për jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Si “teknokrat pragmatist” që paraqitet, Vuçiqit i duhet edhe Brukseli, edhe Kosova, sepse që të dyja po i shërbejnë aktualisht pushtetit të tij. E përderisa dialogu i Brukselit nuk po prodhon rezultate dhe anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është çështje e nesërme, Kosova duket se është tema që i nevojitet edhe Brukselit, edhe Serbisë për ta ushqyer realisht lidhjen e tyre midis tyre, të “rrezikuar” nga mungesa e rezultateve dhe nga gjeopolitikat (problemet e BE-së, ndikimi i Rusisë, Turqisë etj…). Prandaj edhe “presioni/aleanca mirëmbajtëse” është i ndërsjellë, Brukseli me Kapitullin 35 me kinse nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia e Beogradi me presionin e neonacionalizmit serbomadh duke e aktivizuar pos tjerash edhe presidentin “pro-rus”, “Vojvodën” Nikoliq, Kishën Ortodokse Serbe, si dhe segmentet e tjera neofashiste të shoqërisë serbe, të cilat e rikthejnë madje edhe diskursin e “luftës civile” në Serbi në rast njohje të pavarësisë së Kosovës sikurse në vitet e “demokratëve” të Zoran Gjingjiqit.

Mirëpo, Serbia e sotme nuk është as ajo e Millosheviqit dhe as Serbia e Gjingjiqit. Ish-krahu i djathtë i Sheshelit, Vuçiqi i konvertuar në “konservator pro-evropian” e ka sot mbështetjen e opinionit publik serb (madje edhe neonacionalist) dhe kontrollin e sistemit shtetëror (civil dhe ushtarako-policor), e është edhe partner/aleat i Brukselit. Në këtë kuptim, regjimi i tij autoritar në Serbi dhe bashkëpunues me Brukselin është plotësisht konsistent në synimet e tij e ajo është që t’i homogjenizojë serbët në rajon për nevojat e tij politike dhe për ta avancuar njëkohësisht statusin e serbëve në Ballkan, duke shpërfaqur njëkohësisht “stabilitet rajonal”, si parakusht për mbështetjen e Brukselit.

Ngritja e temës së “patates së nxehtë” të Kosovës nga tabloidët e tij mediatik është në funksion të fitimit të një legjitimiteti të ri politik për veprimet e mëtejme të tij politike, e jo në funksion të prishjes së marrëdhënieve me Brukselin. Prandaj, edhe nuk e mbështet zyrtarisht referendumin të kërkuar nga neonacionalistët serbë (të nxitur heshturazi nga ai) për plebishit dikotomik “BE-ja ose Kosova”, rezultati i të cilit – në Serbinë e sotme ku po rehabilitohen figurat emblematike të fashizmit çetnik serb – do të ishte me shumë gjasë: “Po Kosova, jo BE-ja”, por e luan në momente të tilla kartën e presionit me zgjedhje eventuale të reja parlamentare, që kanë për synim ta forcojnë edhe më shumë pozitën e tij negociuese në raport me vendimmarrësit ndërkombëtarë perëndimorë, për të përfituar më vonë edhe më shumë nga procesi i anëtarësimit eventual të Serbisë në BE (duke marrë parasysh problemet brenda BE-së lidhur me zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin shantazhues të Serbisë “neutrale” në binomin Perëndim-Rusi) dhe nga Kosova. Në këtë këndvështrim, lidhur me Kosovën, projekti i tij është që ta shtyjë edhe më shumë zyrtarizimin e Serbisë brenda Kosovës në bashkëpunim me Brukselin, tani nëpërmjet jetësimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë (“Zajednica”), si “kompromis” i tij për ndalimin e mosdestabilizimit të Kosovës-Ballkanit Perëndimor nga neonacionalizmi serbomadh serb, të cilit i takon(nte).

Më këtë Serbi në Kosovë, njohja e mëvonshme eventuale e “pavarësisë” së Kosovës nga Serbia (që si e tillë nuk do të ishte e pavarur dhe sovrane) do të mundë të paraqitej si më e “pranueshme” për neonacionalizmin serbomadh, të cilin po e “amortizon” kinse regjimi i Vuçiqit, duke e vërë realisht atë në jetë, me metodë dhe kornizë tjetër për qëllim të njëjtë e ku Qeveria serbe do të kremtonte suksesin e politikës së saj: “Edhe BE-ja, edhe Kosova”, ndërsa Brukseli: “evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.