SHPËRNDAJE

Kosova konsiderohet vend i sigurt prandaj qytetarëve të saj nuk u jepet azili në vendet evropiane. E, është më rëndësi që Kosova të mos jetë vend transit, për ata që nga lindja dëshirojnë të migrojnë në vendet perëndimore. Kështu është thënë nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, në një takim në Mitrovicë.
Më qëllim të rritjes së vetëdijesimit për procesin e liberalizimit të vizave, Ministria e Integrimeve Evropiane, ka organizuar atje një takim ku kanë marrë pjesë zyrtarë komunalë dhe të tjerë të interesuar për këtë proces.

Në takim u vlerësua shumë më rendësi që qytetarët të jenë të informuar për këtë çështje.

Besnik Vesolli nga Ministria e Integrimit Evropian, ka shpjeguar se për procesin e liberalizimit të vizave duhet të merren edhe përgjegjësitë, siç është kthimi, riintegrimi dhe detyrat që dalin pas liberalizmit të vizave.

“Vendet e BE-së nuk jepin azil për shtetasit kosovarë, pasi për vendet e BE-së, Kosova konsiderohet vend i sigurt”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se migrimi në mënyrë të paligjshme sjell dëm, pasi 99 për qind e kërkesave për azil refuzohen.

“Kosova tashmë konsiderohet si një vendi i sigurt, ndërsa për probleme ekonomike nuk mund të fitohet azili”, ka thënë ai.

Ndërsa, Artan Duraku nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që të mos konsiderohet si vend transit nga shtetasit nga lindja. Sipas tij kjo do të ngadalësonte procesin liberalizmit të vizave.

“Është më rëndësi që Kosova të mos jetë vend transit, për ata që nga lindja dëshirojnë të migrojnë në vendet perëndimore”, ka thënë Duraku, teksa ka shtuar se brenda vitit pranohen rreth 5 mijë perona që duhet t`i riintegrohen.

“Ne bashkëpunojmë edhe me komunat. Si sfidë për ne është sigurimi i strehimit”, ka thënë ai.

Ndërsa, Mensur Beqiri, drejtor për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Mitrovicës, ka folur për punën që bënë drejtoria e tij në kuadër të procesit të gjithëmbarshëm të integrimit të Kosovës.

“Ne bëjmë monitorimin e proceseve në Komunë. Ne po ashtu çdo tre mujor raportojmë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Po ashtu nëpërmjet Zyrës për kthim dhe riintergim i shqyrtojmë rastet e të kthyerve”, ka thënë ai.

Në fund të takimit është shfaqur edhe dokumentari “Një jetë”, realizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, i cili shtjellon temën e migrimit ilegal.