SHPËRNDAJE

Shtetasit kosovarë do të mund t’i gëzojnë përsëri pensionet e tyre të pleqërisë dhe të invaliditetit në vendin e tyre të origjinës, pas miratimit të Marrëveshjes bilaterale mbi sigurimet shoqërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës që u bë më 1 qershor të këtij viti.

Më 29 shtator 2017, «Age et Migration » në kuadër të EPER-it (HEKS), organizoi një seancë informative mbi zhvillimet e negociatave për një marrëveshje të re mbi sigurimet shoqërore në mes të Zvicrës dhe Republikës së Kosovës.

Pas shfuqizimit të marrëveshjes me ish-Jugosllavinë nga pala zvicerane, kosovarët që nga viti 2010 nuk patën mundësi t’i gëzojnë pensionet e tyre të pleqërisë dhe të invaliditetit në vendin e tyre të origjinës.

Mungesa e kësaj marrëveshjeje mbi sigurimet shoqërore në mes të dy vendeve u cilësua si një padrejtësi nga shumë shtetas kosovarë me qëndrim në Zvicër, të cilët mbajnë lidhje të forta me vendin e tyre të origjinës.

Për të debatuar rreth kësaj teme, ishin të ftuar dy intervenues për të dhënë shpjegime të përgjithshme mbi negociatat e mbajtura mbi këtë çështje, dhe për t’u përgjegjur në pyetjet e të pranishmëve : Salih Sefa, konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë dhe Bashkim Iseni, drejtor i platformës albinfo.ch.

Iseni paraqiti një përshkrim kronologjik të rrjedhës që nga shfuqizimi i marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore e deri te fillimi i negociatave në mes të dy shteteve, gjithnjë duke u mbështetur në deklaratat e personave kompetent të publikuara në albinfo.ch.

Ndërsa Sefa, në cilësi të njërit nga pjesëmarrësit në zhvillimin e negociatave, bëri një paraqitje të përgjithshme mbi këtë marrëveshje, duke tërhequr vëmendjen publikut mbi procedurat e mëtutjeshme dhe pozicionimin e dy shteteve, para miratimit dhe hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje.

Konsulli Sefa veç tjerash konfirmoi disa informata të rëndësishme. Sipas tij, kosovarët do të mund të gëzojnë përsëri të drejtën për pensione të pleqërisë dhe të invaliditetit pas ratifikimit të marrëveshjes bilaterale në mes të dy shteteve; Personat të cilët i kanë tërhequr kontributet e tyre nga arka e kompensimit në Zvicër, nuk do të kenë të drejtë të kenë pension të pleqërisë ose të invaliditetit; Marrëveshja nuk do të ketë efekt retroaktiv për periudhën që nga shfuqizimi i marrëveshjes së mëparshme e deri në ratifikimin e marrëveshjes së re mbi sigurimet shoqërore.

Nga të dy intervenuesit njëkohësisht u përmend roli i diasporës, posaçërisht i ekspertëve shqiptarë në fushën e sigurimeve sociale, duke mos u harruar edhe roli i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër dhe autoriteteve zvicerane në anën tjetër, për inicimin e negociatave mbi sigurimet shoqërore në mes të dy shteteve.

Më në fund, qytetarëve ju përkujtua se pas ratifikimit të marrëveshjes bilaterale, gëzimi i pensionit të pleqërisë dhe i invaliditetit në shtetin e origjinës është e drejtë e tyre që mund të realizohet pranë Arkës zvicerane të kompensimit në Gjenevë, pa nevojë angazhimi të ndonjë avokati.

Për informata më të hollësishme mund ta kontaktoni : Luljeta Krasniqi Hajzeraj, bashkëpunëtore e projektit « Age et Migration », EPER,Chemin de Bérée 4A,CP 536,1001 Lausanne,në telefonin direkt +41 21 623 40 13 ose në mob.077 498 35 70.