SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i dorzoi sot presidentit Hashim Thaçi platformën përfundimtare që e mandation atë për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

Në faqen e tij personale në rrjetin social Facebook, Thaçi është shprehur se:

“Sot e pranova nga kryeministri Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar. Kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike. Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje.” HTH

Thaçi beson se kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.