SHPËRNDAJE

Bujanoc

Nga: Valon GASHI

Shqiptarët e Luginës së Preshevës prej vitesh luftojnë diskriminimin e politikës serbe, e shumëkush, duke mos parë kurrfarë zgjidhjeje në horizont nuk ka pasur mundësi tjetër përpos largimit. Papunësia e lartë, mosintegrimi në shoqëri, burgosjet, zhdukjet, pengesat për të përdorur tekstet shkollore në shqip dhe flamurin kombëtar, janë vetëm pak nga problemet që hasin mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Me aq sa munden, shqiptarët e kanë ngritur zërin e tyre, një zë që mbërrin gjithnjë e më i mbytur në Tiranë e Prishtinë. Në ndonjë rast përfundon në rubrikën “Rajon”, në mediat dhe portalet online, ku të gjithë shprehen “Në mbështetje të Preshevës”, ndonëse pak vepra bëhen në terrenin praktik…
Që kur jam vendosur në Tiranë, në çdo takim me politikanë, deputetë, shkrimtarë apo kolegë gazetarë, jam përpjekur të paraqes dhe theksoj problemet më jetësore që hasin shqiptarët e atjeshëm.
Ndaj, në këtë fillimshkurt, teksa ulem përpara kompjuterit në një prej redaksive të Tiranës, për të shkruar këto radhë, një koleg gazetar, i njohur në Shqipëri, më pyet se si po shkojnë punët në Preshevë… E kot ta mohosh një ndjenjë ngazëllimi, e pashmangshme në kësi rastesh, sa herë që dikush të pyet për vendlindjen. E kot të shpjegosh edhe një tis trishtimi, që të kaplon sa herë që vendlindjen e zapton e keqja.

-Ja, në Bujanoc, udhëheqësit politikë shqiptarë, për të ruajtur postin e tyre bëjnë pakt me “djallin”,- nisa t’i rrëfej ngjarjen e djeshme në qytetin tim.
Kolegu u step, më hodhi një vështrim të mbushur me habi, sikur të tregonte se ku është çudia në këtë mes.
-Gjithë politikanët bëjnë pakt me djallin!- ma ktheu me vendosmëri.

Gjysmë e vërteta e tij më bëri të reflektoj.

Po, është e vërtetë, madje, edhe më shumë se kaq: “Për interesat e veta, djalli citon biblën”!
Mirëpo, ç’taksirat kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që të vuajnë nga interesa të tilla të ulëta?
Për ata që s’janë në brendësi të zhvillimeve, për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, ja se cila është e vërteta e plotë…
Shqiptarët, në seancën e kuvendit komunal në Bujanoc, vetë propozojnë dhe janë po ata që i kundërshtojnë propozimet e tyre. Me një sjellje dhelparake, duke sajuar gjithfarë dredhish, i hedhin tutje këto propozime, ndonëse kanë forcën më shumë se kurrë për t’i vendosur prej shumicës së votave.
Le të kthehemi pas, në vitin 2011.

Asokohe, Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Lëvizja e Progresit Demokratik e Jonuz Musliut, kishin pushtetin vendor në Bujanoc, së bashku me serbët në koalicion. Ndërkohë, Partia Demokratike e sapo formuar nga Nagip Arifi, kishte propozuar në kuvend, që sheshi i qytetit të Buajanocit të merrte emrin nga “Karagjorgje Petroviç” në “Skënderbe”.
E kotë të ndalem tek krenaria që shfaq në sytë e çdo shqiptari, përmendja e Heroit Kombëtar! E pritëm plot gëzim e lumturi këtë ide; nga të mëdhenjtë gjer tek të vegjlit. Pakkush e kuptoi se kjo qe një taktikë, me lajtmotiv uljen poshtë të shqiptarëve, pasi në fund të fundit, propozimi nuk mund të kalonte pa shumicën.
Pas zgjedhjeve të vitit 2012, pushteti u ndërrua pjesërisht dhe vetëm nga shqiptarët. Më shumë se sa emri i partisë nuk pati ndonjë ndryshim kushedi çfarë! Partia Demokratike, nga opozitë, kaloi në pozitë dhe PVD anasjelltas. Kjo e fundit tanimë po kthehet me propozimin e partisë në pushtet, duke kërkuar që sheshit t’i vihet emri i Skënderbeut. Sheshi dhe rruga kryesore në Bujanoc, aktualisht mbajnë emrin “Karagjorgje Petroviç”.
Partitë shqiptare në pushtet, PD dhe LPD, me arsyetimin se emrin e Heroit Kombëtar nuk po e pranon Beogradi, pra, qeveria qendrore, kanë propozuar që nga emri aktual, që ky shesh të marrë emrin “Nënë Tereza”. Sipas arsyetimit të dhënë, ky emër do të ishte më i pranueshëm për të gjithë, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Mirëpo, këtë emër nuk e votuan serbët me të cilët janë në qeverisje lokale e që kishin marrëveshje paraprake; nga ana tjetër PVD me këmbëngulje kërkon emrin e propozuar së pari… Është krijuar kështu një qerthull, një lojë a farsë politike, që nis me Skënderbeun dhe mbaron me Nënë Terezën. Po luhet me dy emra të ndjeshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi, prapëseprapë, vendimin përfundimtar e merr Ministria për Pushtet Lokal e Qeverisë së Serbisë.

Të kesh shumicën shqiptare në kuvendin komunal, ku serbët kanë pakicë në vendimmarrje, mirëpo kjo mos t’i pengojë këta të fundit që të fitojnë karshi shqiptarëve!
Edhe më tej, serbët rrinë duarkryq e shohin shqiptarët se si kapen duke u ofenduar mes tyre, pa rezultate përfundimtare e të shumëdëshiruara për komunitetin!
Më thoni, çfarë mund të quhet një estradë e tillë?! Dhe ku ta gjesh të jetë një estradë, tekefundit, skeçet dhe parodia gjithnjë shkaktojnë argëtim. Por kjo situatë shkon më tepër se kaq: është fyese, për krejt shqiptarët, që rrinë e ndjekin në pafuqi se si politikanët fyejnë emrin e nobelistes Nënë Tereza dhe Heroit Kombëtar Skënderbeu…
Presim e presim, jo pa të drejtë, nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. U kërkojmë mbështetje politike, ekonomike, sociale… Por sa mund të na ndihmojnë shqiptarët e tjerë, në një kohë kur ne s’denjojmë të ndihmojmë vetveten?

Për ne pak rëndësi ka se cilin nga dy emrat do të marrë ai shesh, përballë më kryesores: Skënderbeu dhe Nënë Tereza, cilido qoftë prej tyre, na bën të ndjehemi shqiptarë në atë shesh! Ndaj, përse nuk u bëtë bashkë kësaj here, për ta ndryshuar emrin, me që në të dy rastet ju tradhtuan serbët në koalicion? Përse nuk i bashkuat këto 30 duar (vota) dhe t’i tregoni se jemi të fortë, se ne i duam këto emra… Përse i zini ngushtë dhe ata pak këshilltarë shqiptarë që kanë dinjitet në kuvend?
Ndërkohë që ne ngremë pyetje, politikanët që na përfaqësojnë (me gjasa nuk e dinë datën e lindjes apo të shuarjes së Skënderbeut dhe Nënë Terezës; fali Zot, pak dinë dhe për veprën e tyre), pra, ne shtojmë pikëpyetjet, ata vazhdojnë punën…

Ta gëzojmë sheshin “Karagjorgje Petroviç”! Nën udhëheqjen e tij, Serbia filloi qëndresën e fortë kundër Perandorisë Otomane, e, me sa duket, vështirë se do të thyhet nga ca palopolitikanë shqiptarë, duke përdorur të njëjtin emër në mes…