SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, nuk ka vdekur ndonëse projekti ka dështuar.

Kurti këto deklarata i ka dhënë në intervistën e tij për gazetën gjermane, Süddeutsche Zeitung, të parën si kryeministër i Kosovës.

I pyetur nëse plani për shkëmbimin e territoreve ka ngelur përgjithmonë jashtë tryezës së dialogut, Kurti është përgjigjur “Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla për shkëmbimin e tokës do të hapnin kutinë e Pandorës”.

Në intervistë u prek dhe marrëveshja për lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Mynih të Gjermanisë.

Kurti është shprehur edhe një herë se negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraardhëse, dhe se ekzekutivi aktual nuk ka qenë i përfshirë.

“Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e ka parë variantin përfundimtar të marrëveshjes për linjën hekurudhore.