SHPËRNDAJE

shaip-shqiprim

Për rrugën e sukseseve të komunave shqiptare, në Luginë të Preshevës, merita u takon kryetarëve: Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi, të cilët, me veprimet e harmonizuara dhe të koordinuara mirë, po e drejtojnë vendin në rrugë të mbarë, duke reflektuar profesionalizëm në jetën institucionale dhe kthesa profesionale, në qeverisjen lokale.

Nga Sevdail Hyseni

Nga 150 komuna e 23 rrethe, sa ka Serbia, dy prej tyre udhëhiqen nga shqiptarët edhe atë në Bujanoc dhe Preshevë.
Këto dy komuna shqiptare, bëjnë pjesë në Rrethin e Pçinjit, jugu i Serbisë, i cili përbëhet prej shtatë komunash me mbi 159 mijë banorë, nga të cilët mbi 54 mijë shqiptarë.
Për dallim nga Bujanoci dhe Presheva, Komuna e Medvegjës, shtrihet në rrethin e Jabllanicës, me qendër administrative në Leskoc, e përbërë nga gjashtë komuna me mbi 216 mijë banorë, nga të cilët rreth 3 mijë janë shqiptarë.

Qeverisja e mirë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, një personalitet i shquar në fushën e të drejtave të njeriut, ka arritur që për dy mandate të qeverisjes me pushtetin komunal, me një ndërprerje katërvjeçare, ngase ishte zgjedhur deputet republikan në Parlamentin e Serbisë, ka arritur ta nxjerr komunën që udhëheq, në një sipërfaqe me ambient të volitshëm për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Karakteri dhe personaliteti i qëndrueshëm i një politikani si ky, Shaip Kamberi, duke i falënderuar edhe pozitës gjeostrategjike, që ofron Komuna e Bujanoci, ka bërë që pushteti lokal të shtrihet sa më afër qytetarëve, të jetë sa më transparent, sa më stabil dhe sa më përgjegjës.
Shaip Kamberi, ky politikan pragmatik, realist dhe praktik, ka arritur me përvojën e vetë në fushën e qeverisjes lokale, për një kohë të shkurtë, falë karrierës së tij shumëvjeçare politike në Partinë për Veprim Demokratik, të bëjë një kthesë profesionale në qeverisjen lokale.
Niveli i kënaqshëm i qeverisjes lokale, interesimi i shtuar, kohëve të fundit, i kompanive vendore dhe ndërkombëtare për të investuar në Luginë të Preshevës, rezultat, ky, që erdhi pas zhvillimit të Forumit të bizneseve serbo shqiptare në Nish, në të cilin merrnin pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama dhe disa kompani shqiptare, donatorëve ndërkombëtar, do ta bëjnë Bujanocin, të lirohet nga ngërçi politik e kolapsi ekonomik, që për shumë vjet rresht e kanë munduar, duke e kthyer në një zonë me shpresa të thyera e pa perspektivë.

Qasja pragmatike

Në një rrugë të mbarë dhe të suksesshme është duke shkuar edhe qeverisja lokale në Preshevë, të drejtuar nga Shqiprim Arifi, kryetar komune dhe udhëheqës i Alternativës për ndryshime në këtë komunë me mbi 98 për qind shqiptarë, me një kuvend qind për qind shqiptar e me një traditë të bujshme veprimtarish me interes shoqëror e kombëtar.
Shqiprim Arifi, me një edukim perëndimor dhe me një ekip perfekte të qeverisjes lokale, me karizmin e tij, të një politikani modern, ka shtuar kërshërinë e donatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ta nxjerrin Preshevën nga një provincë të prapambetur ekonomikisht, në një rajon me perspektivë, në proceset integruese evropiane.
Për rrugën e sukseseve të qeverisjeve lokale në Bujanoc dhe Preshevë, pa harruar edhe Komunën e Medvegjës, e cila në qeverisjen lokale ka një nënkryetar kuvendi, Florim Sahiti dhe disa resorë të tjerë, është treguesi i mirë i prognozës politike se Luginën e Preshevës e presin ditë më të mira, nga ato që kishte më parë me shumë turbulenca, të përfshira jo rrallë me klimë tensioni e acarimi.

Modeli i Bashkëpunimit

Është diçka e rrallë, madje edhe paparë në jetën politike shqiptare, të bashkëpunojnë mirë dy kryetarë komunash, të përkatësive të ndryshme partiake, qoftë edhe të jenë në koalicion. Bashkëpunimi i sinqertë dhe konstruktiv i Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit, ka bërë që këto dy komuna në Luginë të Preshevës, të drejtohen në vijë të duhur rreth përparimit në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Këto lëvizje politike, me një qasje dhe koncept të shëndosh qytetar, po gjejnë mbështetjen e vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
Për këto ndryshime, tashmë flasin hapur edhe mediet serbe e ato shqiptare, duke llogaritur edhe ato ndërkombëtare, se liderët institucionalë të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi, gjithnjë po e fitojnë simpatinë e elitës politike në Serbi dhe korit diplomatik ndërkombëtarë, si politikanë të kalibrit evropian, që po reflektojnë pragmatizëm dhe metodologji perfekte të komunikimit, me një stil perëndimor dhe praktik, për dallim nga liderët e tjerë institucionalë të deritashëm, të cilët kanë vuajnë nga komplekset për të qenë patriot të mëdhenj, me “bateria”, të cilëve akoma po u dhemb gjoksi, duke e rrahur në emër të një patriotizmi folklorik, për nevojat e tyre elektorale, personale dhe partiake.