SHPËRNDAJE

Kryetari i Alternativës për ndryshim Shqiprim Arifi ka ftuar qytetarët të votojnë listën nr.5 për zgjedhjet lokale në Medvegjë.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Medvegjës!

Dita e Diel është momenti i kthesës nga humnera dhe në drejtim të rrugës pozitive të shpresës, meqë së bashku do t`ia dalim edhe në këto kohëra të vështira. Ne jemi aty me ju në Medvegjë që të marrin fund shtypja sistematike e shqiptarëve dhe sistemi pushtues i kastës politike që ka përçarë e sjellur disfata të njëpasnjëshme.

Muharrem Salihu është aty me ju në Medvegjë për të mbaruar Epokën trishtuese të lajkatarëve për pushtet që janë fatëkeqësi e vendit. Ka vite të tëra kur ka filluar shlyerja e shqiptarëve nga listat civile, ndërkaq tani Komuna e Medvegjës ka mbetur me një numër më të vogël historik me Shqiptarë në rrezik për t`u pastruar etnikisht. Mbijetesa e Shqiptarëve në këtë Komunë është komponenti më vital i interesave kombëtare dhe identitetit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, andaj është i patjetërsueshëm fillimi i ri politik i bazuar në interesat dhe perspektivat e përgjithshme shoqërore të Shqiptarëve të kësaj ane.

Po përsëris, dita e Diel është momenti kur secili qytetar i Komunës së Medvegjës duhet të merrë konkluzione të thjeshta për të votuar një fillesë prosperiteti.

Është kjo lista 5, Muharrem Salihu! Votoni meqë pa Medvegjë nuk ka Preshevë, pa Medvegjë nuk ka Bujanoc.

Jemi një!