SHPËRNDAJE

Kryetari i komunës së Kamenicës z.Qëndron Kastrati po qëndron për një vizitë zyrtare në Komunën e Bujanocit. Ai fillimisht u takua me kryetarin e komunës së Bujanocit z.Nagip Arifi i shoqëruar nga zv.kryetari i tij z.Musliu dhe kryetari i Kuvendit Komunal z.Ramadani.

Gjatë takimit të dy delegacioneve, z.Kastrati uroi kryetarin Arifin për zgjedhjen në detyrë të re, dhe çmoi angazhimin e tij për arritjen e një koalicioni gjithëshqiptarë në Bujanoc, i cili dha shembullin më të mirë edhe në Mal të Zi, e që do të ketë ndikim edhe në trevat tjera të banuara me shqiptarë. Gjatë fjalës së tij, kryetari Kastrati tregoi gatishmërinë e tij për t’i përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës në dialogn Kosovë – Serbi.

Gjithashtu, u diskutua edhe për problemet e përbashkëta mes dy komunave, si problemet me menaxhimin e situatës Covid 19, mos ardhja e bashkatdhetarëve në vendlindje që ka ndikuar negativisht në ekonomitë lokale të të dy komunave. Kryetari Kamenicës premtoi avancimin e bashkëpunimit mes komunave Bujanoc, Kamenicë dhe Gjilan që të krijojnë një agjendë të përbashkët.

Në anën tjetër, kryetari Arifi falemnderoi kryetarin Kastrati dhe delegacionin e tij për vizitën. Ai elebaroi situatën politike në komunë të Bujanocit, gjendjen e shkaktuar nga pandemia Covid 19, si dhe mundësinë e bashkëpunimit më të madh mes komunave që problemet e përbashkëta që na preokupojnë të gjejnë zgjidhje. Përveç, bashkëpunimit institucional, u diskutua edhe për bashkëpunimin e sektorit joqeveritar, e cila mund të ndihmojë dukshëm në realizimin e projekteve në fusha të ndryshme.