SHPËRNDAJE

 
Sidoqoftë, intervista që zhvilluam me zotin F.S. rreth veprimtarisë time letrare u emitua disa herë në radiotelevizionin lokal dhe shumë bashkqytetarë që nuk kishin patur rastin të më takonin, erdhën të ma zgjatin dorën. Mungonte vetëm zoti H, që prore s’ kishte ”dëgjuar” për mua dhe tre vite më vonë do më shtrinte në tabutin e të vdekurve.
Prit, o vëlla, se hala jam gjallë. Nëse veç ishit ngushtë për ca franga, mundeshti t’ ia falnit zonjës Filane oborrin e babës tuaj e jo oborrin e babës tim.
Ka gjasa që, duke e ndjekur rrjedhën e kësaj përralle, keni filluar ta pyesni veten përse unë – krejt papandehur – kalova nga vetja e parë në veten e dytë dhe po insistoj që këtu e tutje, edhe ju të më bëni shoqëri. Po, zotëri, dua të vini me mua, të paktën deri sa të mësoni për plagët që m’ i keni shkaktuar gjatë këtyre katër vjetëve të fundit. Mos harroni se gjatë kohës që ju keni ngrënë kumbulla, mua m’ u kanë mpirë dhëmbët.
Atë ditë ishte e enjte, data – njëzet e tre prill – dhe unë, pas shumë orvatjesh që të flisja e ta qortoja dikend, e zura Fatmirin e ngratë, një nëpunës të Bashkisë, dhe për herë të parë mësova që ju, me fjalë të hallkut, më kishit fshirë nga lista e të gjallëve. Për mendimin tim, Fatmiri u soll si burrë dhe, duke më dëftuar qysh qëndronte puna, nuk i shkeli dispozitat ligjore. Përkundrazi, nëse dikush e ka shndërruar fjalën ” gjykatë” në ”shtëpi publike” jeni ju. Atë shkelje flagrante s’ do ta bënte as një gjykatës i korruptuar nepalez, edhe pse rrogat e tyre janë goxha të ulta.
Të gjitha mund t’ i mendoja, po që do të vinte një ditë dhe një bashkqytetar i imi, një gjykatës qeveritar, do t’ u jepte alibi katër individëve të kriminalizuar për ta shembur shtëpinë ku janë shkruar tregimet e para të Luginës, ate s’ e kisha menduar. Sikur ta bënte atë gabim një jurist nga Novi Sadi apo Smedereva – gjë që s’ ka ndodhur deri tani – ndoshta edhe do ta falja. Se njeriu që është i huaj në një vend dhe s’ i njeh palët e një konflikti nuk fajsohet lehtë. Aq më tepër nëse janë përmbushur obligimet formale. Po ju? Nga cila lagje e Nju Jorkut jeni, o vëlla? Qysh është e mundur që s’ luajtët aspak nga vendi për ta verifikuar çeshtjen? Apo e donte puna ashtu? Ju s’ e kishit as dhjetë minuta larg shtëpinë e babës tim. Sikur të shkonit deri te vila ”Letafet” dhe ta pyesnit cilindo shqiptar të asaj lagje, që nga Agim Staneci e deti te Bejtulla Selimi, secili do t’ ju dëftonte se Sali Filani, përpos meje, djalit më të madh, ka lënë edhe nja gjashtmbëdhjetë nipa e mbesa tjera. Njëmend, ca prej tyre jetojnë jasht vendit, por shumica janë në Preshevë, Miratoc, Ҫukarkë e fshatrat tjera të Luginës. A nuk ju duket e çuditshme që një gjykatës shtetëror, si zotrote, i lindur dhe rritur në Preshevë, gjykon vetëm me ndihmën e akteve që ia kanë dorëzuar bota për shqyrtim? A nuk ju duket qesharake që ju, nëpunës i një gjykate themelore, nuk morët mund ta verifikoni gjendjen faktike, por aty për aty vendosët t’ ia falni oborrin, shtëpinë dhe krejt pronën e tim ati një personi që ishte ndarë prej tim ati dyzet vjet më parë dhe jetonte në shtëpinë e saj? Nëse ju, zoti gjykatës, ishit aq të lodhur nga puna, pse s’ gabuat t’ ia jipni oborrin tuaj, por ia dhatë oborrin dhe kopshtin e babës tim? Apo edhe ju, si Judas Iskarioti, e shitët shpirtin për ca franga dhe menduat se ai që ua solli zarfin me pare ishte djali i babës tim? A ishit të ndërgjegjshëm se duke bërë tregti me mallin e një qytetari të Preshevës, që kurrë s’ ka qenë i arrestuar apo burgosur në jetën e tij, i shkilnit ligjet e një shteti që – gjoja – ka synime evropjane?
Sa për dijeni, dua të ju njoftoj se ai që ju ka futur në lojë, kur kishte mësuar që e përbuzja veprimtarinë e tij të flliqur, i kishte thënë një mikut tim se do bënte çmos të shiste vajza të mitura serbe dhe kushdo që do ta pyeste mbi gjenezën e tij, do t’ i thonte që është im nip… Unë, zoti gjykatës, jam njeri si të tjerët dhe nuk i dua kriminelët. Kjo vlen për të gjithë anëtarët e familjes time, duke filluar nga djali im e deri te nipat e kusherinjtë më të largët. Nuk mërzitem se më quajnë shpirtlig e zemërkazmë. Unë s’ jam polic dhe nëse Policia serbe e le të lirë, ai miku le të shesë jo vetëm gjimnaziste serbe, po dhe armë, amfetaminë, heroinë, kokainë e derra të Kriva Pallankës. Unë jam tejet i kënaqur me jetën time. Pa sa për individë që ndiqen për mashtrime e vepra penale, them se janë djem e vajza të prindërve të tyre. Sa herë që një nënë i then gjunjët mbi postaqe dhe përpiqet ta mashtrojë edhe të Madhin Zot, puna ngec në gozhdë. Mos sot, nesër. Mos nesër, pasnesër. Por një ditë, vetë krimi ka për t’ i zënë për veshi.
Me pak fjalë: s’ kam arsye ta ulë kokën, se ate që e kam patur në shpirt, e kam thënë qysh në moshën 21-vjeçare. N’ daç me shkrim, n’ daç me gojë. Që nga mosha e re jam përpjekur të mësoj, të studjoj dhe të jetoj nga djersa e ballit dhe, deri më sot, askujt s’ ia kam rekomanduar vjedhjen, plaçkitjen apo shitjen e qenieve njerzore. Ai tip veprimtarie me të cilën po merret i lartpërmenduri nuk e nderon asnjë shqiptar dhe – nëse keni bërë kabull të mirni ryshfet – nuk do t’ ia shihni hajrin. Kjo, ç’ është e drejta, s’ më hynë në punë, se shteti ka organe të veta dhe, herëdo kurëdo, do t’ i kapë fajtorët me radhë. Por ajo që me vendimin tuaj ma keni mbyllur derën e babës dhe – indirekt – i keni përjashtuar edhe 16 nipa e mbesa të tim ati, nuk ju nderon aspak. Këte po e them dhe jam i gatshëm ta them në cilindo emision të radiotelevizionit lokal, shtetëror apo shqiptar, sa herë që të jetë nevoja. Dhe gjithmonë do të flas me letra në dorë.

7.
Një fjalë e urtë thotë – se njeriu ´nuk ushqehet me rreze dielli. Unë mundem të shkruaj me javë e me muaj dhe të mos nxjerr asgjë në pah, sepse avokati që po më duhet nuk do përshkrime, hiperbola, paralelizma e metafora, por fakte. Ku isha unë gjatë kohës kur zonja Filane, bashk me pjellën e saj, shtronte plane për ta përvehtësuar truallin e të parëve të mi? Me çka merresha unë, kur ai kryeshiniku i saj, që bluan si çakalle mulliri, bënte çmos për ta zhgulur njërin nga numrat që pushteti i kishte vënë në derë të babait? A kisha unë ndonjë shenjë, qoftë edhe paralajmërim, se zonja Filane, duke pirë çaj e kuvenduar me ato delihojkat e saj, po e vriste mendjen qysh të ma punonte mua – dhe nipërve e mbesave të mia – pa e diktuar askush? Kjo duket absurde por është qind për qind e vërtetë, nëse merret parasysh se dy vëllezërit e dy motrat e mia kanë vdekur, dhe shumica e trashigimtarëve të brezit të dytë jetojnë larg vendlindjes. Cili prej tyre, përpos meje, kishte guxim, interes apo dëshirë të merrej me një shtëpi të cilën ajo e kishte shndërruar në ”shupë”? Fëmijët e saj ishin hazdisur aq keq sa s’ i lenin kushërinjtë e tyre as të hynin në shtëpinë e gjyshit të tyre, jo më të kërkonin diçka.

8.
Unë, zotëri, s’ kam vrarë njeri, që ta di si arsyeton një kriminel apo një grup kriminilesh para se t’ ia marrin jetën dikujt. S’ e di nëse pajtoheni me mua, por jam i sigurtë se egziston një dallim midis dëshirës për ta vrarë një të huaj – që ndoshta ta ka dhunuar motrën, ta ka vrarë babain apo ta ka pushtuar atdheun – dhe dëshirës për ta vrarë një njeri të afërt – që, nëse e do nevoja – ta zgjatë dorën dhe t’ i falë gabimet. Që t’ i drejtohesh një gjykate, siç është rasti i të lartpërmendurës, dhe ta shlyesh trashigimtarin e parë të asaj familje vetëm e vetëm se ai, me kuletën e tij donte ta riparonte një shtëpi përdhese, ku mund të shkonin fëmijët e tij – dhe fëmijët e vëllaut të tij – duhet një thes i madh pafytyrsie.
Me dhjetra herë, me qindra herë, e kam pyetur veten se ku e gjetën ata aktorë gjithë atë guxim që të ju ngatrrojnë edhe juve n’ atë intrigë. A ishte ajo ide e zonjës Filane, e birit të saj apo e të bijave që poashtu po thirren se janë motra të mia?
Kjo është ajo çeshtja që më ka preokupuar që nga ajo e enjtja e mallkuar e datës 23 prill, kur fola me zotin Fatmir. Ky është ai lëmshi gordik të cilit s’ po ia gjej dot fijen. Se ta quash ”lapsus juridik” vendimin që ju e keni marrë dhe nënshkruar në një datë – për mua të panjohur – më duket shumë e pabesueshme. Mos provoni të ma lyeni kokën me kos, se në një shtet, ku të të drejtat e njeriut – si ato politike, ekonomike e kulturore – janë shkelur vite me radhë, gjykatësit e rangut tuaj janë të kujdesshëm dhe, për ta ruajtur faqen e tyre, përpiqen të mos hanë ryshfet.
Mu për ate, dua t’ ecim me hap të ngadalsuar, ashtu siç bëjnë qytetarët evropjanë, dhe t’ ua kujtoj se ata tre hajdutët e Filane Fistekut, që me dorën tuaj e çuan pisllëkun deri në fund dhe po ndiqen nga drejtësia serbe, tani po enden nëpër Zvicër, kurse unë e ti, se cjepër të lidhur para kasaphanës, po e hamë buzën me dhëmbë. Unë i zhgënjyer – ju të kënaqur. Unë bashk me vëllezërit e motrat e mia – kopila, kurse Filane Fisteku – grua e dytë e babës tim.
Kështu ndodhë kur njeriu, qoftë edhe burrë i respektuar si ju, e harron betimin profesional dhe hynë në pazar me kriminelë që nga vegjëlia kanë kultivuar urrejejte kundër gjyshit, gjyshes, xhaxhallarëve dhe hallave të tyre. Të stërvitur nga një qenie patologjike, që natë e ditë flet me veten, ato dallandyshet e saj kurrë nuk mësuan se njeriu, qoftë edhe miliarder, duhet të derdhë djersë për kafshatën e bukës. Ato s’ morën mund të arsimohen eta kërkojnë një punë të hajrit por, me ndihmën e ca parave të pista, që ia morën një kushëriri dhe s’ ia kthyen kurrë, u shndërruan në lajkatare, shpifëse, dembele e ”kodoshe ” profesionale.
Mos paç punë me ata kriminelë, zotëri. As me to, as me atë matrapazin, vellanë e tyre. Ata, kur donë të ju futin në grusht, përnjeherë e vënë në lëvizje imagjinatën e tyre të bujshme dhe nxjerrin lloj lloj shpifjesh, ofendimesh, shantazhesh e të pavërtetash tjera. Ata s’ janë si ne, budallenjtë, që gdhihemi herët në mëngjes dhe turremi në punë. Ata flenë deri më drekë dhe zgjohen pastaj si afaristë të përsosur. Ata s’ kanë besë, sepse trurin e tyre e ka zaptuar frangu, ajo valutë e mallkuar zvicerane, e cila, sipas tyre, edhe sadistin, grabitqarin apo vrasësin më të poshtër e nxjerr nga burgu. Mos i pyet shumë, se aty për aty ta bëjnë kokën daulle. Sot të premtojnë pyje e pallate, nesër kanë harruar çdo gjë. Këta janë, me pak fjalë, njerëzit që ju futën në kutinë e shkrepsës dhe, duke ju mashtruar se asnjëri nga bijt e bijat e prinderve të mi s’ janë gjallë, donin të përvehtësonin çdo gjë të të parëve tonë. Pa marrë parasysh se kjo – konform ligjit – ishte vepër penale dhe antiligjore.
S’ ka nevojë të them se ata ia hynë kësaj punë me bindje të plotë se isha plak dhe brenda pak viteve do të vdisja dhe ai ”masllahat” do të mbyllej përgjithmonë. Kush prej nipërve apo mbesave të mia do të guxonte t’ i drejtohej një gjykate?

9.
Ka treqind e sa ditë që po e kërkoj një fillim të mirë, një fillim të shkurtër, një fillim modest, për ta përshkruajtur rolin që keni luajtur në jetën time. Mjerisht, nuk ia kam dalë si duhet dhe jam tepër i hidhëruar që ky krijim letrar, ndryshe nga përrallat e moçme shqiptare, nuk po i veshë gjymtyrët autentike. Rrëfimet e vjetër janë të thjeshtë dhe, rëndom, përbëhen nga tre vëllezër, një mbret, një bijë mbreti dhe disa rivalë që luftojnë për ta fituar dashurinë e saj, por nuk ia dalin dot qëllimit të kanë vënë para vetes.
” Po ky i juaji,” thoni ju.
Ky s’ ka mbret, zotëri. Se sikur të kishte mbret, ai, me të marrë vesh për vendimin që keni marrë në Gjykatën Themelore të Preshevës, do të ju suspendonte nga detyra dhe do t’ ua vente prangat në duar. Edhe juve, edhe atyre tjerëve. Mjerisht, ashtu nuk ndodhi, sepse ju, një nëpunës i regjur i epokës titoiste, i rrethuar nga butakë e ryshfetxhinj tjerë, e dinit mirë se qeveria e Beogradit, e lodhur nga allishverishet tuaja, kishte vendosur ta shpërngulte gjykatën në Bujanoc dhe juve të ju gjuante në shportë. Rrjedhimisht, ju mundeshit të merrnit çfarëdo vendimi dhe, nëse s’ qëllonte ndonjë abdall si unë, që gërmon nëpër plehurishte, amaneti i prindërve të mi do të përfundonte në varr. Dhe ashtu bëtë, se e rrasët zarfin në xhep dhe e shitët emblemën e të parëve të mi. Këtu e tutje s’ ka fistekë në Preshevë, po qorrdainj.
“ Jeni të padrejtë me mua,” do thoni. “ Familjet tona as janë vrarë, as janë prerë me njëra tjetrën.”
Gaboheni, zotëri. Është e vërtetë se unë deri më 23 prill të vitit të kaluar, s’ ua kam ditur as emrin, por nga ajo ditë e mallkuar, ju, me krejt bagazhin që keni mbledhur nëpër vite, m’ u prezantuat si matrapaz. Dhe mos u prekni, se këto fjalë s’ po ua drejton një axhami që merret me shitjen e gjinazisteve serbe apo dy mashtruese që po flenë me dy langaraqë për hir të ”letrave”, por një 76 vjeçar që, me sakrifica të mëdha e punë të ndershme, ka nxjerrë 34 gjenerata në dritë. Në mesin e tyre s’ ka vetëm juristë e burra të ndershëm, po dhe poetë, shkrimtarë, gazetarë, doktorë të shkencave e akademikë të nderuar. Për të qenë më i ri se unë, ju duhej të bënit çmos që ta gjenit një adresë, të më kërkonit falje dhe ta fshihnit atë turp në tokë, por ju preferuat të kundërtën. Dhe ju kuptoj, se proceset gjyqësore në Republikën e Serbisë janë të gjata. Sikur t’ ishte gjallë Ciceroni i ngratë, ai do ta preferonte më shumë Serbinë se sa Romën, për arsyen e thjeshtë se në Serbi kontesti shtyhet me dekada dhe avokati s’ ka nevojë të punojë shumë. Këndej nga jetoj unë ai duhet të punojë pak më shumë dhe të jetë pak më i ndershëm.

10.
Unë, zoti gjykatës, s’e kam njohur Farah Dibën, Indira Gandin apo Jovanka Brozin, por e njoh Filane Fistekun dhe ju siguroj se ajo vetë, pa përkrahjen e një ”juristi”, kurrë s’ do t’ ia hynte asaj ndërmarrjeje të pistë. Bash përkundrazi, në një fshat të humbur si Presheva, ku shumica dërmuese e njerëzve janë të pa punë, ajo do t’ ishte pak më e kujdesshme. Paçka se, falë një kushëririt tonë të largët, me të cilin ato dallandyshet e saj e kishin vaj, ajo mendon se edhe krimet shlyhen me franga në dorë.
A është e vërtetë kjo punë? Nuk është, po ashtu i duket zonjës së lartpërmendur. Unë e kam cekur edhe më parë – se kriminelët janë tekanjozë dhe të paparashikueshëm. Me këte dua të them se ajo që – bashk me nënshkrimin tuaj – e mori edhe pronën e prindërve të mi, mundej të gjente këshilltarë sa të duash. Si nga ana e motrave, ashtu dhe nga ana e dajallarve. Ҫ’ është e drejta, ajo ka avokatë edhe në mëhallën e saj, se n’ atë pjesë të Serbisë Jugore, si rezultat i i roberisë shekullore, dyfytyrsia është shndërruar në virtyt të lartë moral. Bashkqytetarët e mi, ne vend se ta përvehtësojnë burrërinë e një Idriz Seferi, Abdullah Krashnice apo Ibrahim Kelmendi, e kanë përvehtësuar një mit të dyshimtë oriental dhe sikur krenohen që janë dhelpnakë, dallaverxhinj e hipokritë dhe fama e tyre është shkruar në derë të Stambollit.
Kjo më duket qesharake. Ata që po i shiten popullit si trima të mëdhenj e politikanë të aftë e kanë dëshmuar veten si turreca dhe shumë të ngjashëm me heronjtë e romaneve soc-realiste. Folju sa të duash, shkruaju sa të duash, qortoj sa të duash, se ata e mbajnë kokën në brekë. As të japin, as nuk të japin të drejtë, por ta dëftojnë Gjykatën, të cilën ju, gjykatësit shqiptarë, e keni shndërruar në Pazar të Korçës. Ai që ju jep më shumë, atij ia mbaroni punën. Të gjithë, të ndershëm e të pandershëm, bëjnë sikur nuk të kanë parë, sepse në Preshevë ka vdekur guximi qytetar dhe fjala demokrati është poaq e mjerë sa dhe ajo gjëja e gjimnazisteve të ngrata serbe, që e shesin për njëzet dollarë në natë. Kush s’ i ka ditur këto punë, mund t’ i mësojë nga artikujt e botuar që dalin në Serbi… Jo në Suedi apo Gjermani.

11.
Që t’ ua them të drejtën, jam i konfunduar. Ju s’ mund të jeni aq i trashë, sa të ju mashtrojë një grua e paarsimuar, dhe ditë për ditë po e pyes vetveten nëse jeni të ndërgjegjshëm se ”nami” i vendimit tuaj ka mbërritur deri këtu, në Rethimno. Mbase pikërisht për këtë arsye po e pyes veten:
Qysh është e mundur që ju, pasardhës i malësorve të Karadakut, jeni bërë shkas i një tragjedie familjare? Mos po ju duken normale ato qenie që e kishin patur ëndërr ta shembnin shtëpinë e gjyshit dhe gjyshes së tyre? A keni parë ndonjë vajzë shqiptare, serbe apo bullgare që do ta gëzojë shtëpinë, oborrin dhe pronën e të parëve dhe të ëndërrojë për shembjen e asolles së tyre?
Do të thoni: sikur ta dija që kështu qëndronin punët, do të vendosja ndryshe.
Jo, vëlla. Ҫkado që të thoni tani, ajo është – fjalë goje. Mua më ka mbetur hatri aq shumë, sa do të kisha dëshirë që Serbia të ishte vërtetë shtet ligjor dhe t’ i ndiqte shkelësit e ligjeve. Unë kam mentuar që ne, shqiptarët e asaj zone, jemi më të ndershëm. Qysh si djalë i ri, kur shtrihesha n’ atë shtëpinë që zotrote ia fale zonjës Filane, mua më qante zemra për ata malësorët e ngratë që zbrisnin nga Buhiçi, Staneci e Kurbalia për ta shitur drunj dhe për ta blerë një bukë furre. Ajo, që ju keni mbaruar një fakultet, dhe kurrë s’ e keni lexuar një tregim nga ata që kam shkruar, e quaj lëshim personal. Si mos qofsha gabim, nga ajo kohë kam shkruar nja njëmijë a dymijë faqe dhe kurrë s’ i kam sharë apo qortuar ato qenie të varfëra. Bash përkundrazi, kam qenë krenar t’ i marr në mbrojtje, sepse e kam ditur që ata njerez janë objekte të dhunës, shfrytëzimit e padrejtësisë sociale. Nëse s’ kam arritur më shumë, me shembullin tim personal, jam orvatur t’ i dëftoj botës se të gjithë qytetarët e Luginës, pa marrë parasysh gjuhën, kombësinë apo besimin fetar, janë njerëz të ndershëm, të cilët, për fatin e tyre të keq, edhe sot nuk kanë liri e të drejta njerëzore. Kaq thjesht qëndron puna.
Të parët tanë, edhe pse ishin analfabetë, kur ballafaqoheshin me një vjedhje, plaçkitje apo vrasje, thoshin kështu:
”Ai që di të bëj poçe, bën edhe vegja.”
Ka gjasa që ju, duke e shpalosur këtë rrëfim, do ta ndieni veten të habitur se unë, edhe pse kanë kaluar 1500 e sa ditë nga vendimi juaj, ende s’ e kam harruar padrejtësinë që ma keni bërë në agun e vitit 2012. Mua, pra, po më duket normale, zoti gjykatës. Mos harroni se viti ka dymbëdhjet muaj dhe muaji ka tridhjetë ditë dhe dita ka njëzetekatër orë. Po ta shumëzoni shifrën 1530 me shifrën 24 do t’ ju dalë numri i saktë i orëve që unë, pa marrë parasysh moshën, sëmundjet e kohëpaskohshme dhe hallet e përditshme, ju kujtoj nga disa herë në ditë dhe e lus të Madhin Zot që një ditë ta përjetoni edhe vetë zhgënjimin tim. Edhe ju që ua dhatë kazmën, edhe ata që e shembën shtëpinë e prindërve të mi. Që do të vinte një ditë si kjo dhe unë, shoku i Sinan Stanecit, Sabri Ajdinit, Raif Bajramit, Bejtulla Osmanit, Halit Halimit, Nebih Islamit, Demir Behlulit e shumë të tjerëve, do të shkoj në lagjen time dhe – në vend të shtëpisë që ka lënë im atë, ta shoh një vendparkerim dhe – n’ atë vendparkerim disa makina, me të cilat një kodosh i voziste ”vranjankat” e mitura, ate s’ e kisha menduar kurrë. Nëqoftë se egziston një libër ku janë të përmbledhura ligjet e atij shteti, ju siguroj se ju, me vendimin tuaj, e keni inkurajuar shkeljen e tyre. Pa marrë parasysh dëshmitë që janë shtruan para jush, ju e keni ditur se prapa tyre fshihej një dobiçllëk i madh.
Këtu dua të ndalem pak dhe t’ ua dëftoj një ngjarje që s’ ka të bëjë me juve.
Edhe pse kishin kaluar tre vjet nga vendimi që kishit marrë në Preshevë – dhe asnjëri prej nesh s’ kishte dijeni për atë gjyq të fshehtë – unë, sipas porosisë së një kushëriri të largët, doktor i shkencave dhe shumë i respektuar, e tumira me gjithë qejf propozimin e zotit H. E. – njërit nga miqët më të dashur – që të shkonte deri në Preshevë dhe t’ i njoftonte atë langaraqët se s’ kisha pretendime tjera pos ta çoja amanetin e prindërve në vend dhe, ndonëse e kishin shembur, ta ndërtoja prapë shtëpinë e prindërve aty ku ka qenë dhe ashtu siç ka qenë. Si zoti H. E. ashtu dhe miqët tjerë e dinin dhe e dinë se nuk pritoj t’ ia zgjas dorën njeriut që kërkon falje.
Ҫuditërisht, ajo pala tjetër, në vend se të kërkonte falje e ta mbyllte atë plagë, gjithnjë e gënjente veten se – me vendimit tuaj në xhep – do t’ i shpëtonte ndjekjes penale dhe askush prej nesh nuk të merte vesh për bartjen, gjegjësisht për vjedhjen e fshehtë të pronës së tim ati.
Po për të dalë nga situata duhej gjetur një viktimë. Cila ishte më e përshtatshme? Aty për aty e kishin gjetur. Ajo më e përshtatshmja ishte zonja V, partnerja ime nga Shqipëria, e cila, sikur të mos ishte për mua, kurrë s’ do të shkilte në Preshevë. Jo se nuk e do Preshevën, por sepse vuan nga ankthi dhe s’ i do zënkat. Ajo ka shtëpinë e saj në Fier dhe nuk ka ndjerë nevojë të përzihet aty ku s’ e ka vendin.
Jo, jo. Ajo që kërkoja unë s’ bëhej kurrëqysh. Kështu nuk thonte ajo që e kishte hedhur pronën e babës tim mbi vete, por i biri i saj, që para njeriut të panjohur donte të dukej djalë azgan, i ndershëm dhe trashigimtar i vetëm i babait tim. E keqja është se ai gallof është lindur nja tri vjet pas vdekjes së tima ti dhe ai kurrë s’ e ka njohur.
” Jo, jo, s’ kam probleme me axhën, po me atë shoqen nga Shqipëria,” paskësh thëneë. ” Përndryshe, djalit të tij do t’ ia bëj vetë një shtëpi.”
Edhe një herë, si shumë herë tjera: Filane Fisteku shtiret grua e mjerë, që s’ ka të drejta me folë para burrave, ndërsa rolin e saj e merr ai papagalli, që ka mbaruar Shkollë Fillore të Krimeve dhe tani po fshihet nëpër katundet e Zvicrës. Thash – që ka mbaruar Shkollën Fillore të Krimeve – se t’ ishte ndonjë kriminel i regjur, ai do ta kuptonte me kohë se e jëma, kur pranoi ta zaptonte pronën e huaj, nuk e kishte ndërmend ate, por ”çikat” e saj, të cilat një vakt deklaronin se “çika është shtëpi e huaj dhe mbarre është të kërkojnë hise nga vëllai”, po tani po e thonë të kundërtën. Ҫ’ është e drejta, njëra prej tyre, qysh në moshën dhjetëvjeçare ia kujtonte axhës së vet, atij të voglit që ishte në Gjermani, se oborri dhe kodra ishin të tyret. Axha i vogël, tek se jetonte në Gjermani, s’ kishte më ça kërkonte ne Preshevë. Rrjedhimisht, në vend se t’ ia piqnin zotit H. E. një kafe dhe pastaj të kërkonin mendimin e tij, ata filluan ta fërfëllonin nëpër kodra e nëpër brigje.
Pastaj Filane Fisteku ikën te një kojshi dhe mysafirin ia le atitj kërriçit të saj. E ai nuk është i lehtë, se Perendia e ka jaradisur papagall të madh. Ai aty qesh, aty qanë. Aty betohet, aty pendohet. Aty shtiret trim e komandant i UCPMB-s, aty dirset nga frika se dikush do t’ ia këpusë ata veshët e mëdhenj. Aty shtiret fukara e bythëjashtë, po pak më vonë bëhet pronar i nja dhjetë “kurvave” serbe. Deri sa zotrote lodhesh dhe e mallkon vetveten që je ulur me te. Sepse ai e ka xhepin plot me euro, po kurrë s’ ta blenë një kafe.
M’ erdhi keq për mikun tim, por kjo ishte përpjekja e parë dhe e fundit për të zgjidhur atë çeshtje me njerëz të arsyeshëm e të kulturuar. Kjo mbase nuk do të ndoshte, sikur ta dinin se një ditë hajnia e tyre do të dilte në dritë.

12.
Ndryshe nga rrëfimet që kam shkruar dikur, zoti gjykatës, ky rrëfim një edhe mungesë tjetër. Ky s’ ka dialog.
Siç po e shihni, kam nxirë nja tridhjetë e sa faqe duke shtruar data, citate, përshkrime, argumente e kundërargumente, por s’ kam marrë asnjë përgjigje. Sikur të ndodhte kjo në kohën e Titos apo Millosheviqit, që ishin tifozë të “rregullit” dhe “plaçkës”, unë s’ do të mirja mund t’ ua shtroja asnjë pyetje.
Paçka se kjo shkelje ligjore ka ndodhur në kohën e Prezidentit Tadiq dhe Gjykata që mori atë vendim, në bazë të vendimit që ishte marrë, duhej – të paktën – të më furnizonte me një kopje të dëshmive dhe akteve që janë shtruar. Aq më tepër që kështu bëhet në të gjitha shtetet e Evropës Demokratike. Qysh mund të drejtohem te ndonjë avokat kur s’ kam gjë në dorë? Vetë mungesa e dialogut në këtë rrëfim dëshmon se ju, pa marrë parasysh nënshkrimin që e keni hedhur në letër, asnjë herë s’e keni hapur gojën për dëshmitë që keni patur në dispozicion.
Ne, pedagogët, e kemi një parim: shkojmë nga e njohura të e panjohura. Duke u nisur nga të dhënat që kam në dorë – dhe të cilat s’ ua kam fshehur lexuesve shqiptarë – prindërit e mi ishin analfabetë dhe s’ dinin ta shkruanin emrin e tyre. Se të dinte im atë, ai nuk do të shkonte te Sabri Ajdini e ta luste për ndihmë, por do t’ ulej në Kafen e Tozës dhe vetë, me dorën e vet, do ma shkruante testamentin e tij. Ai vdiq në shtator të vitit 1977. Asnjëri prej tyre, si im atë, ashtu dhe nëna, nuk kanë qenë aq të trashë sa t’ i mohonin evlatët e tyre për qejfin e një nuse që më shumë i ka ofenduar, se u ka dhënë ujë të pijnë. Janë nja shtatë kaseta që dëshmojne se e lartpërmendura bënte çmos për të future pyka midis pleqëve.
Po le të sygjerojmë se prindërit e mi e donin aq shumë të lartpërmendurën Filane, saqë ia falën edhe shtëpinë, edhe oborrin, edhe pronën. Ku u katandisën, atëherë, dëshmitë dhe Gjykata Themelore, që gjithnjë ishte gjithnjë në Preshevë, nuk mori mund ta njoftonte askend. As nipat dhe mbesat e mia që janë me shtëpi e familje në Preshevë dhe rrethinat e saj.
Unë, zoti Gjykatës, nuk jam dallaverxhi. Se t’ isha i tillë, nuk do të merja mund të kërkoja avokat, por do të vija me zarf në dorë dhe, ashtu siç ju bleu zonja Filane, do të provoja të ju blej edhe unë. Por duke qenë se e kam Zotin dhe gjysmën e preshevarëve dëshmitarë, nuk po ndiej nevojë të ju me pislluqe, por po dal me fakte në dorë.
Ka qenë ditë e mërkurë, data 6 maj 2013, kur unë, me “kopjet e planeve” që m’ i kishte dërguar im atë, hyra në katin e parë të Bashkisë së Preshevës dhe këkova të flas me ndonjë nëpunës të Kadastrës. Nëpunësja, një vajzë e re shqiptare, më priti me buzëqeshje dhe më tha se hyrja ishte në anën e kundërt, nga rruga Marshal Tito, kati përdhes.
Nëpunësi i kadastrës, zoti R. I. më priti me përzemërsi të madhe. Pjesërisht se është vetë i këndshëm nga natyra, pjesërisht se m’ i ka njohur si prindërit, ashtu dhe vëllezërit dhe pjesërisht se kjo ishte hera e parë që po kuvendonim me njëri tjetrin. Fundja, arsyeja pse kisha lakuar te ai ishte t’ ia dëftoj “kopjet e planit” dhe ta pyesja mos kishte fare ndryshimesh.
“ Jo, zoti Selman,” tha zoti R. “ Prona për të cilën keni ardhur të pyesni, me përjashtim të 325 metrave katror, që janë në emër të kunatës tuaj, gjithnjë qëndron në emër të Sali Filanit, gjegjësisht të babës tuaj. Pse po pyesni? Mos do ta shisni?”
“ Jo, jo,” i thash. “ Përkundrazi, unë jam i interesuar që ta ruajmë ashtu siç ishte dhe t’ i kujtojmë prindërit me atë respekt që meritojnë. Edhe pse im atë ishte modest dhe s’priste gjë prej askujt.”
Shtrohet tani pyetja: Nëse ajo shtëpi, ku u lindëm ne, të pesë fëmijët e Sali Fistekut, oborri i saj dhe kopshti përballë saj ishin gjithnjë të regjistruara n’ emrin e tim ati, qysh ndodhi që ato – pa e ditur njeri – u bartën n’ emër të Filane Fistekut?
13.
Jam shtrirë këtu, në cepin e një bregdeti të huaj, dhe po e ndjek vrapin e dallgëve të detit. Në këtë orë të ditës, të gjithë banorëet e Kretës, si vendasit, ashtu dhe të huajt, janë shtrirë nën çadra dhe po pijnë lëngje freskuese, por unë s’ kam mallë as për lëngje, as për uzo, sepse një gjë e tillë do ma shuante zjarrin që po më zien në shpirt. Sytë e mi, si langojt që i qepen malit, iu kanë qepur asaj vijës së padukshme, që e ndanë Kretën nga Kontinenti, dhe orvaten ta matin çdo meter të asaj grope që gjendet nën lëkurën e detit.
Jo, zoti gjykatës. Distanca midis asaj humnerës që e ndanë Rethimnon nga Selaniku dhe kësaj tjetrës që keni hapur në shpirtin tim është shumë e vogël. Madje, shumë më e vogël seç mendoni ju. Unë mundem të vdes edhe nesër, por padrejtësinë që ma keni bërë nuk do t’ ua falë. Do të shkojnë vite, do të shkojnë edhe dekada, por do të vijë një ditë kur e vërteta, njësoj si dielli, do të dalë në mejdan..
Edhe dy javë mbushet një motmot që kam folur me Fatmirin. Ai më sygjeroi ta gjeja një avokat, edhe ate, jo cilindo avokat, po një avokat të ndershëm. Sido që po e vras mendjen, unë s’ po e shoh thelbin e propozimit të tij, se padrejtësia që ma keni bërë mua është gjak që nuk falet. Jo një gjykatë themelore e Serbisë, por asnjë gjykatë e botës nuk mundet të më kompnezojë për dymbëdhjetë vjetët që kam humbur rrugëve për ta sendërtuar një amanet prindor. Askush, dhe më së paku im atë, nuk më ka detyruar që ta bëj atë me dhunë. Kam dashur ta bëj vetë, sepse është në interesin e të gjithëve, si të atyre që janë në vendlindje, ashtu dhe atyre që po rriten larg vendlindjes, dhe s’ e kam kursyer as kohën, as mjetet, por falë kontributit tuaj, të gjitha përpjekjet e mia shkuan huq.

( vazhdon )

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi