SHPËRNDAJE

Sot në Reçak janë bërë homazhe në nderim të të rënëve të njërës prej masakrave më të mëdha kundër shqiptarëve të Kosovës.

Rruga e gjatë për te kompleksi i dëshmorëve në Reçak ishte mbushur me njerëz të shumtë që kishin ardhur për të nderuar sakrificën e të rënëve. Kryeministri Ramush Hardinaj tha se dëshmorët duhet të kenë nderim të përjetshëm. Kreu i ekzekutivit foli dhe për Gjykatën Speciale me ç’rast tha se Kosova e 17 shkurtit është e paprekshme. “Sot është dite respekti dhe nderimi për të gjithë te rënët në Reçak, janë qytetarë të Kosovës, civilë, familjarë njerëz që në shtëpitë e tyre janë vrarë në mënyrën më mizore. Mundi gjaku, vuajtjet e popullit tonë nuk kanë me humbur, as nuk kanë me u zhbë, Kosova e 17 Shkurtit është e paprekshme”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se kjo masakër është njëra ndër më të këqijat ndaj njerëzimit. Ai po ashtu bëri të ditur se me 21 janar do të filloj procesi i tranzicionit të ushtrisë. “Që nga ky vit, besoj prej 21 janarit do të fillojmë me procesin e tranzicionit do të kemi ushtrinë tonë e cila do të jetë e gatshme dhe do të ndërtoj kapacitetet e plota se si do t’i mbrojë qytetarët dhe vendin tonë”, tha ai. Në homazhe ishte i pranishëm edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i pari i kësaj partie, Albin Kurti tha se drejtësia është aq e vonuar sa ende nuk ka filluar. Sipas tij për këtë masakër nuk është gjykuar asnjë polic apo ushtarak serb.

Kurti përsëriti se Gjykata Speciale është e padrejtë, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Gjykata vendore që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Edhe sot e kësaj dite as drejtësia vendore, as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë më mizore popullsinë civile të pambrojtur dhe pa armatosur.

Gjykata speciale është e padrejtë sepse është një etnike dhe i dedikohet UÇK-së që ka bërë luftë të drejtë, ne kemi nevojë për gjykata normale, që gjykojnë krimet e paqës të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi Kurti. Megjithëse ishte i pranishmi kryeparlamentari Kadri Veseli nuk u deklarua për media.