SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Familja është e shenjët, kjo aspak nuk kontestohet, meqë edhe kafshët instiktivisht flijohen për familje, nganjëherë edhe më shumë se njerëzit.

Në periudhën e monizmit bërthama e familjes ishte shndërruar në një kult, duke i lënë mbrapa, më pak të vlefshme: Zotin, Atdheun, Kombin, kauzën dhe idealin për liri dhe pavarësi.

Duke u nisur nga këto parime ish-komuniste, disa predikues fetarë, pas lindjes së vështirë të pluralizmit tek shqiptarët, në emër të fesë, solidaritetit, bamirësisë dhe humanitetit thirren në familjen e shenjtë, propagandojnë për të më shumë se sa për shtet dhe institucione, të cilat na kanë munguar me shekuj. Ata thirren dhe propagandojnë kinse po i ndihmojnë familjet, që ato të lumturohen e të kënaqen, të jetojnë mirë sipas standardeve evropiane, e nga ana tjetër rebelohen ndaj institucioneve, duke i injoruar dhe përbuzur vazhdimisht.

Nëse nisemi nga këto vlerësime, duke vënë familjen mbi të gjitha, shqiptarët me vetëdije, apo pavetëdije, janë kthyer në mentalitetin e dikurshëm të fiseve. Me këto vese ato i sjellin shoqërisë sonë, dukuritë negative të bajraktarizmit, nepotizmit, familjarizmit dhe lokalizmit provincial.

Kauza

Kështu gabojnë ata shpeshherë, kur shkelin mbi kauzën kombëtare dhe fetare, për interesa të ngushta individuale dhe familjare, duke byllur sytë e veshët, para asaj që kemi mësuar dhe edukuar se njeriu për këto vlera duhet të flijohet, për të jetuar familja e populli në paqe dhe liri.

Pra, për të realizuar kauzën e ndërtuar mbi vlerat njerëzore, duhet dhënë të gjitha, duke mos kursyer më të shenjtën edhe jetën, e jo të pasurosh vetveten dhe familjen, në emër të Zotit, Atdheut e Kombit. E, mjerisht, disa shqiptarë, deri dje, kanë luftuar në emër të Zotit, Kombit dhe Idealit, e sot po i shfrytëzojnë ato për qëllime familjare, duke iu kthyer historisë prapa.

Dikur i kishim të fuqishme fiset, odat, por na mungonte shteti, ligji dhe institucionet, për të cilat flijuamë dhe sakrifikuam gjithçka në emër të kauzës kombëtare dhe të shtetbërjes. Tani nga influenca e qarqeve të ndryshme, liderizmi, përçarja, urrejtja, shantazhet, po i rrënojnë me vetëdije apo pavetëdije, duke rrezikuar vlerat dhe mekanizmat e ndërtimit të shtetit dhe institucioneve.

Injoranca

Si pasojë e këtyre dukurive negative, shfaqet një injorancë e tepruar, një shpërfillje e institucioneve dhe ligjit, për tu krijuar një mjegullirë politike dhe një mjerim ekonomik dhe nga kjo rrëmujë favorizohet individi dhe familja para kauzës dhe idealit.

Kështu, para udhëheqësve shtetërorë dhe institucionalë, dalin individët, duke marrë kompetenca e përgjegjësi, fitojnë simpatinë dhe përkrahje nga populli dhe me këtë delvalvojnë imazhin e të zgjedhurve tanë, shkelin votën dhe vullnetin politik dhe me këtë i rrënojnë vlerat e arritura brez pas brezi.

Kjo dukuri mund të krahasohet edhe me privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, të cilat po kalojnë në dorën private, ku pastaj, ai, individi i përvetëson për nevojat individuale dhe familjare dhe me këtë i rrënon pasuritë shtetërore dhe kombëtare për një rreth të ngushtë familjar.

Parimi

Shpesh na shpaloset përpara propaganda me moton: “Nëse nuk je për familje, nuk je as për shtet!”. Filozofia komuniste e ka thënë këtë sepse shteti është ndërtuar dhe njerëzit që e kanë ndërtuar dhe udhëhequr, ata edhe janë kujdesur për shtetin dhe kauzën, duke të udhëzuar: “Ti vetëm puno, ka kush mendon per ty dhe familjen!”.

Ndersa, me ngritjen e standardeve në Evropë në mungesë të edukimit shpirtëror, individin e kanë zvogëluar, duke e shndërruar në një robot pa shpirt e ndjenja, në një punëtor servil të klasave kapitaliste. Në këto ambiente borgjeze, pa dyshim se propagandohet për ngritjen dhe shenjtërimin e familjes, sepse ata më herët e kanë rrënuar familjen, dashurinë e prindërve e fëmijëve e kanë zëvendësuar me atë të kafshëve shtëpiake, pastaj e kanë rrënuar moralin shpirtëror, duke rënë në një krizë të pamëshirshme të vetëdijes njerëzore.

Porosia

Pasi që jemi populli i një race nga më të mirët në botë, me një bujari e fisnikëri të pa krahasueshme, nuk e kemi vështirë të vetëdijesohemi, duke punuar në favor të shtetit e institucioneve, për një bashkim dhe integrim kombëtar, kauzë kjo si “Amanet”, që na ndjek brez pas brezi.

Falë Zotit, që me punën tonë sublime kemi arritur të ndërtojmë institucione dhe të identifikohemi si shtete me vlera evropiane e standarde integruese, duke i treguar botës se kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë, në rrugëtimin e këtyre vlerave, duke luftuar izolimin dhe mangësitë e tjera negative që na prekin si komb e shoqëri shqiptare.

Sepse për integrime evropiane na nevojitet, domosdo t’i bindemi ligjit dhe institucioneve, ngase mekanizmat shtetërorë duhet të mbizotërojnë para intersave familjare, individuale, meqë ne jemi të përkohshëm, ndërsa Ligji dhe Shteti duhen t’na ruajnë autoritetin përgjithmonë.