SHPËRNDAJE

Çdo mëngjes para se t’i përvilem punës “kliku” im i parë janë portalet e Luginës,sa për të parë se ç’kemi të re nga vendlindja ime e dashur.
Mëngjesin e 2 Tetorit bëra të njëjtin veprim,por sikur u ngulfata nga kafeja e mëngjesit kur pashë skenat vullgare nga salla e Kuvendit Komunal në Preshevë.
Të kuptohemi që në fillim,para se të keqkuptohemi,une jam anëtar aktiv i PVD-së që nga themelimi i saj.Anëtarët veteranë të PVD-së e dinë se kush jam unë.
Po kthehem prapë te kafeja ime e mëngjesit,kafe të cilën kurrë nuk arrita ta pi deri në fund sepse më mbeti në fyt nga skenat trishtuese që pashë në sallën ku më së paku pritet të shohim skena të tilla.
Të jeni të bindur se këto skena më së shumti na godasin neve mërgimtarëve,ndoshta dy ose trefish më tepër se sa e godasin një qytetar lokal.

Mbase për neve mërgatën si lajmi i mirë nga Lugina,poashtu edhe lajmi i hidhur ka peshë te dy ose trefishtë.Çdokush që është në mërgim e din se për çka po flas.

Është për keqardhje sjellja e këshilltarit të PVD-së në foltoren e Parlamentit lokal dhe vandalizmi i tij ndaj pronës publike.Frustrimi i tij është për çdo kritikë,dhe çdo tentim abolimi i sjelljes së tij është i rëndë dhe dashakeq për akëcilin që tenton ta mbrojë atë.
Bile bile,sjellja e të ashtuquajturit doktor,e bën krejt këtë situatë edhe më shumë për keqardhje.Një njeri që ka bërë betimin e Hipokratit të sillet në atë mënyrë është vërtetë e çuditshme dhe trishtuese.

Edhe më tmerrshëm u ndjeva kur djali im i cili ishte në punë,ma dërgoi videon e turpit dhe poshtë videos më kishte shkruar:”Babi çka po ndodh në Preshevë,kush është ai …Krasniqi?

Çka ti them djalit,si ta arsyetoj,si ta minimizoj atë skenë vullgare? U shtanga i tëri,krejt çka më erdhi në mendje në ato çaste ishte:”Ok babi,ndodhin këto skena edhe ne parlementet më të civilizuara se ai i Presheves,si në Japoni apo Korenë e Jugut…çka ti them tjetër?
Krejt për fund,këshilltarë të nderuar të Kuvendit Komunal të Preshevës,ju lutem,përkulem para jush,pa marrë parasysh se nga cili subjekt politik vini,tentoni t’i anashkaloni veprimet e dhunshme sepse asnje nga Ju nuk e ka marrë besimin e votuesve që të reflektoni dhunë në foltoren e Parlamentit. Për neve mërgatën më së paku keni ndikim Ju të nderuar këshilltarë,siç thot populli “ As n’xhep e as n’gji”.

Por neve na dhemb kur shohim skena të tilla,sepse e duam vendlindjen,e duam pa hile dhe presim që Ju të punoni dhe të veproni në parandalimin e zbrazjes së Luginës nga rinia jonë aq e devotshme që e kemi e jo të merreni me demolime të foltores së Kuvendit.
Mbes me shpresë se ky shkrim imi do të ndikojë sadopak në ndergjegjen Tuaj qytetare dhe parlamentare!

Me respekt:
Bekim Ferati
Sekretar i Shoqatës”Kosova Lindore” me seli në New York
United States of America