SHPËRNDAJE

Si mund të bëhesh një narkotrafikant? Këtë gjë e tregon Franko, një ish-shpërndarës, i cili transportonte drogë për llogari të një bande shqiptare – nga Holanda në Vareze të Italisë.

“Gjithçka filloi në vitin 2005, kur kisha nevojë për para pasi kisha blerë një shtëpi dhe nuk mund të përballoja kredinë në bankë. Një shqiptar, me emrin Leonard Smakaj, më propozon që të shkoj me të në Amsterdam, me makinën e tij, tip Jaguar, por pa më treguar motivin e udhëtimit. Transportuam pothuajse 10 kilogramë kokainë, dhe mora si shpërblim tre mijë euro.”

Franko është njeriu i cili i ka treguar Guardia di Financas në Vareze për aktivitetin trafikant të bandës që drejtohej nga shqiptari Smakaj dhe shtetasi rumun Daniel Popa, dy bosët e drogës të arrestuar në operacionin “Malësori” në vitin 2011.

“Dy të huajt nuk janë alienë, por sipërmarrës në kompani të ndryshme bashkë me italianë në territorin tonë. Rumuni zotëron kantiere ndërtimi ku fsheh drogën, gjithashtu është ortak së bashku me një italian në një agjenci për pasuritë e patundshme, e vendosur në një qendër historike në Vareze”, ka thënë Franko për policinë.

Me metoda të thjeshta, droga ndonjëherë transportohej e fshehur edhe në parakolpin e makinës.

“Gjatë vitit 2009, një i njohur më kërkon që të transportoj sërish drogë për shqiptarin. Leonard Smakaj së bashku me një shqiptar tjetër, që e quanin Toni ‘qerosi’, morën makinën time dhe u rikthyen pas 3-4 orësh. Vura re se ishte bërë një ndryshim në automjetin tim, te mekaniku i cili ishte i besuar i shqiptarit Smakaj”, thotë italian Franko, i cili ka bërë dhjetëra rrugë shpeshherë edhe me prindërit në mënyrë që të mos krijonte dyshime.

“Kur arrija në Amsterdam, qëndroja në një hotel në qendër të qytetit, ndërsa Smakaj, i shoqëruar gjithmonë nga i njëjti taksist dhe një person tjetër, vinte dhe merrte makinën”, tregon i penduari.

Jeta e Frankos ndryshoi shpejt, nga udhëtimet për marihuanën dhe kokainën deri te heroina.

“Kur fillova të transportoja heroinë, poshtë ndenjëseve të mia në automjet gjendeshin edhe pushkë, pistoleta dhe automatikë, të njëjtë si ato ta karabinierëve”, shpjegon italiani.

Pas një operacioni Franko arrestohet nga policia dhe sot ndodhet në burg nën mbrojtje. /SHO/