SHPËRNDAJE

 

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismail Kurteshi në një intervistë eksluzive për Presheva.com flet për rëndësinë e protestës së 1 shtatorit, a do të kaloj ratifikimi për demarkacionin si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës!
Presheva.com: Cilat janë motot dhe rjedhat e protestës së 1 shtatorit?

Ismail Kurteshi: Qëllimi i protestës së 1 shtatorit është pengimi i ratifikimit të demarkacionit në formën që aktualisht i është ofruar Kuvendit. Kthimi i kësaj çështjeje në rishqyrtim nga një komision i ri me përbërje nga ekspert vendor, të propozuar nga pozita dhe opozita. Synim i organizatorit është që protesta të jetë masive dhe paqësore. Shpresojmë që pushtetarët nuk do t’i provokojnë protestuesit dhe do ta marrin seriozisht mesazhin e qytetarëve të cilët moto të protestës natyrshëm do të duhet ta kenë: “Demarkacioni nuk kalon”.

Presheva.com: Çka do të ndodhë nëse Kuvendi ratifikon demarkacionin?

Ismail Kurteshi: Përkundër presionit të madh që po ju bëhet deputetëve edhe publikisht nga Presidenti, Kryeministri, “ekspertët” e shitur dhe disa zyrtarëve servil, bazuar në deklarimet e një numri të konsiderueshëm të deputetëve të partive në pushtet dhe deputetëve të pavarur, demarkacioni kështu si është, nuk do të kalon. Shumica e deputetëve e kanë kuptuar se pesha e përgjegjësisë është e papërballueshme prandaj demarkacioni nuk do të kalon.

IsmailKurteshi-02
Presheva.com: Jeni ndër ata të paktit që keni folë në Kuvend për Luginën, Çka mendoni për diskriminin e shqiptarëve atje?

Ismail Kurteshi: Në prill të vitit 2015, pas vizitës së Komisionit Parlamentar të Arsimit në Luginë, pjesë e të cilit kam qen edhe unë, pata deklaruar se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë. Në nëntor të vitit 2015 në një konferencë regjionale në Tiranë, mbi sigurinë në Ballkan e pata ngritur çështjen e teksteve shkollore që atëherë i pati bllokuar Serbia. Kjo çështje pat hy edhe në konkluzionet e konferencës, si çështje që duhet të zgjidhet. Edhe në një konferencë të Evropës jug – lindore, të mbajtur në Sofje në qershorin e këti viti e kam hapur problemin e mohimit të të drejtës së nxënësve shqiptar të Luginës. Serbia po e realizon pa pengesë pastrimin etnik në Luginë kurse dy shtetet shqiptare po e ndihmojnë integrimin e Serbisë në Evropë. Shqiptarëve të Luginës po ju mohohet e drejta për t’u pajisur me dokumente personale, kurse shumë vendbanimet e tyre po pasivizohen, Lugina është pjesa më e pazhvilluar në Serbi dhe askush nuk e ngrit zërin.

Presheva.com: Cila do të ishin ndihmat urgjente që mund ti ofroj qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë?

Ismail Kurteshi: Qeveritarët e Kosovës takohen shpesh në Bruksel me zyrtarët e lart të Serbisë, ku përherë i trajtojnë vetëm çështjet e brendshme të Kosovës. Asnjëherë nuk hapet çështja e shqiptarëve të Luginës. As Qeveria e Shqipërisë nuk po angazhohet sa duhet për të drejtat e shqiptarëve të Luginës. Qeveria e Kosovës do t’i ndihmonte më së miri shqiptarët e Luginës sikur negociatat me Serbinë t’i kushtëzonte me respektimin e parimit të reciprocitetit, kurse Shqipëria shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës duhet ta ngrit në OKB. Dy shtetet shqiptare duhet ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera të jetës së shqiptarëve të Luginës. Ndryshe edhe komunat e Preshevës dhe Bujanocit, herët apo vonë do t’i përcjell fatkeqësia e Medvegjes e cila pothuaj se është pastruar nga banorët e saj autokton. Problemi i shqiptarëve të Luginës duhet të jetë temë e përhershme në tavolinat e bisedimeve jo vetëm me Serbin por edhe me përfaqësuesit e vendeve perëndimore e më gjerë. Edhe shqiptarët e Luginës, të dëbuar nga Serbia në vitin 2001 e që as nuk po ju krijohen kushte për kthim as nuk po ndihmohen këtu në Kosovë po ballafaqohen me shumë probleme. Një pjesë e tyre kanë mbetur qytetar të askujt, Serbia nuk i pranon e Kosova nuk ju lëshon dokumente dhe kështu ata janë të privuar nga të drejtat e tyre elementare. Dy shtetet shqiptare janë të obliguara të kujdesen për shqiptarët jashtë këtyre shteteve, në të kundërtën pastrimi etnik nuk do të kenë alternativ. Ndërgjegjësimi i shteteve shqiptare duhet patjetër të ndodh. /presheva.com/