SHPËRNDAJE

Pas largimit të Sandro Rosell, presidencën e Barcelonës e mori Josep Maria Bartomeu, i cili në daljen e pare publike si president i siguroi të gjithë se projekti aktual do të vazhdojë deri në vitin 2016. Ndonëse statuti i klubit e lejon diçka të tillë, ka edhe nga ata që janë kundër. Njëri prej tyre që del hapur është edhe ish-presidenti Joan Laporta, i cili i bashkohet kështu tifozëve apo aksionerëve të blaugranave, që emërimin e Bartomeut e konsiderojnë si mungesë morali, sepse ai nuk u votua për të qënë në krye të klubit. 

Përmes llogarisë së tij në Twitter, Laporta bëri thirrje për zgjedhje në fund të sezonit, duke shkruar: “Pas dorëheqjes së Rosell, mendoj se presidenti i Barcelonës, në këtë situatë ku mungon legjitimiteti dhe për shkak se nuk është zgjedhur nga aksionerët, duhet të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve në fund të sezonit. E gjitha kjo për të mirën e klubit”. 

Ndonëse njihen për rivalitetin e hapur mes tyre, Laporta pohoi se nuk gëzon nga situata që po kalon Rosell. “Gëzoj vetëm për atë që mendoj se është në të mirë të Barçës, kurrë për problemet e të tjerëve. Shpresoj që Sandro Rosell t’i zgjidhë para drejtësisë çështjet që e kanë prekur, pa pasoja për të personalisht dhe familjen e tij”.