SHPËRNDAJE

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, që ishte rezultat i bisedimeve Kosovë-Serbi, që nga koha e marrëveshjes për IBM, shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci paguan jo më pak se 32 milionë euro vetëm për një vit, në emër të policave të sigurimit për automjete për të hyrë në Kosovë. Për muaj të tërë, duke iu përgjigjur kritikave për një vendim të tillë (të cilin natyrisht e respektonin vetëm shqiptarët nga Kosova Lindore, e jo edhe serbët që hynin në Kosovë), Qeveria deklaronte se është e pamundur të hiqet kjo taksë. Natyrisht, siç u dëshmua edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit, vendimi për heqjen e taksës nuk ishte i pamundur, por dikujt (më saktësisht, kompanive të sigurimit të lidhura me pushtetin) u shkonte përshtati vendimi i tillë. Fjalët e premtimet e shumta për Kosovën Lindore nuk munguan, mirëpo asnjëherë nuk u ndërmor as hapi më i vogël për të arritur, apo së paku për të kërkuar atë që quhet reciprocitet i të drejtave për shqiptarët që jetojnë në ato vise.

Se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë as nuk e kanë ndërmend ta shtrojnë si çështje reciprocitetin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, u dëshmua edhe gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive, të mbajtur së fundi në Prizren. Ky takim, i cilësuar nga vetë Thaçi me ministrat e tij si ‘historik’ (siç e cilësuan si ‘historik’ edhe çdo veprim të tyre gjatë viteve të fundit), nuk dha përkrahje konkrete politike për shqiptarët e Kosovës Lindore, por rezultoi me një lëmoshë prej 100 mijë eurosh (50.000 euro nga secila Qeveri) të ndara për maternitetin në Preshevë. Në fakt, shumë zyrtarë nga Presheva konfirmuan këto ditë se materniteti në Preshevë tanimë është i kompletuar dhe në prag të inaugurimit falë mjeteve vetanake dhe donatorëve të tjerë. Por, edhe sikur ky të ishte vetëm hapi i parë i përkrahjes për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nuk mjafton dhe nuk është veprim aspak serioz. Në fakt, një veprim i tillë vetëm dëshmoi mungesën e përkushtimit të të dy qeverive për të ndihmuar shqiptarët e asaj ane, të cilët janë lënë të vetmuar të përballen me terrorin serb. Vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës pa pikë problemi ndau edhe 13 milionë euro për veriun e Kosovës. Kjo ndihma për Preshevën më shumë ngjasonte në disa vendime që Qeveria i merr kohë pas kohe për ndihma simbolike për vende që preken nga tërmetet apo katastrofat e tjera natyrore. Pra kaq ishte, një simbolikë. Një përkushtim krejt ndryshe e kishte treguar edhe Qeveria shqiptare para disa vitesh kur kishte ndarë hiq më pak se 400 mijë euro ndihmë për Graçanicën. Për Preshevën nuk patën më shumë. Në fakt, nuk patën më shumë vullnet as përkushtim, sepse buxhet kanë që të dyja Qeveritë, nëse ky vullnet e përkushtim do të ekzistonte.

Tani mbetet të shpresojmë që krijimi i fondit të përbashkët për Preshevën të mos mbetet vetëm një premtim në letër siç kanë mbetur edhe shumë marrëveshje të tjera të nënshkruara në mes të të dyja vendeve. Në fakt, sikur krijimi i këtij fondi të merrej seriozisht nga të dyja qeveritë, as ndarja fillestare buxhetore që u bë, nuk do të ishte aq e vogël. Pra kjo tregon se është nisur mbrapsht. Por, mbi të gjitha, vëllezërit e motrat tona në Kosovën Lindore kanë pasur nevojë të dëgjojnë që ajo deklaratë që u nënshkrua nga të dy kryeministrat së paku përmban një përkushtim, që ndër të tjera do të thoshte: se do të angazhohen që të ndërpritet diskriminimi i tmerrshëm dhe segregacioni ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc; do të angazhohen për të kërkuar reciprocitet të plotë për të drejtat e shqiptarëve në ato tri komuna, të ngjashme me të drejtat që u akordohen pakicave në Kosovë; se do të angazhohen jo vetëm për ndihmë financiare, por edhe politike, kulturore e arsimore në këto tri komuna; se do të angazhohen për të ndërprerë dëbimet e vazhdueshme të shqiptarëve nga ato treva. Këto janë vetëm pak çështje që ka qenë e mundur të përfshihen në deklaratën e nënshkruar nga të dy kryeministrat. Por kjo nuk u bë. Prandaj e tëra që pritet të realizohet është lëmosha që u dha për maternitetin edhe ashtu të përfunduar. Me kaq, Qeveria Thaçi sërish do të harrojë për shqiptarët e asaj ane. Njëjtë do të harrojë (siç ka harruar edhe deri më tani) edhe për kontributin që shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhanë për lirinë e Kosovës dhe përballjen dhe vështirësitë e vazhdueshme që ata kanë me pajisjen me dokumentacion të Kosovës. Të mos harrojmë gjithashtu se procedurat për marrjen e nënshtetësisë së Kosovës për qytetarët e Kosovës Lindore janë të njëjta me shtetasit e të gjitha shteteve të tjera, si psh: kinezë, nigerianë apo pakistanezë. E tëra që Thaçit i intereson është që takimi i Prizrenit të cilësohet si ‘historik’, por jo edhe nëse kjo histori do të shënojë ndonjë rezultat konkret.

 

Nga: Vjosa Osmani-Sadriu

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane)