SHPËRNDAJE

Lëvizja Besa përmes një kumtese për media thekson se do të përkrahin kandidaturën e profesorit Blerim Reka për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se si parti opozitare konsiderojnë se zgjedhjet presidenciale nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, pasi sipas tyre, shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet.

“Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët përkrahin kandidaturën e Prof. Dr. Blerim Rekës për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si parti opozitare, konsiderojmë se zgjedhjet presidenciale në vend nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet.

Për arsye parimore, e përkrahim kandidaturën për President të profesor Rekës. Përvoja e tij e pasur akademike dhe diplomatike vetëm do ta fuqizonte funksionin e Presidentit të shtetit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa. Më herët përmes rrjeteve sociale profesori universitar Blerim Reka njoftoi se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale si kandidat i pavarur.