SHPËRNDAJE

Ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiq tha sot se që nga futja e masave të reja tregtare nga Qeveria e Kosovës, kamionët me mallra kryesisht kthehen për në Serbi sepse sipas tij “askush nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga Dogana e Kosovës”.

“Nuk e di nëse do të ketë raste individuale (transferimi i mallrave), është e vështirë të parashikohet në këtë moment, por sigurisht nuk do të ketë tregti serioze sepse pengesat formale janë të një natyre të tillë që ta parandalojnë atë”, tha Ljajiq në një prononcim për Radio Evropën e Lirë, transmeton Klan Kosova.

Të shtunën, më 30 maj, Qeveria e Kosovës prezantoi masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pa e emërtuar shtetin, të cilat nuk i adresohen Republikës së Kosovës”, dhe përmbajnë çdo element që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës “.

“Me të ashtuquajturat masa reciproke, vendosja e mallrave nga Serbia në Kosovë është zyrtarisht e kufizuar dhe e ndaluar, sepse kushtet janë të tilla që asnjë kompani nga Serbia nuk mund t’i përmbushë ato”, tha Ljajiq, duke shtuar se masat e reja “nënkuptojnë ndërprerjen e të gjithë tregtisë” mes Beogradit dhe Prishtinës, transmeton Klan Kosova.