SHPËRNDAJE

Rita Ora njihej si një prej mikeve më të mira të DJ të njohur, Aviciit.

Ky i fundit u nda nga jeta më 20 prill të vitit 2018, pasi kreu vetëvrasje si shkas i problemeve të shumta me shëndetin mental, ngarkesës dhe stresit.

Ai la prapa një karrierë të pasur muzikore, teksa pas më shumë se një viti nga vdekja e tij, familja e të ndjerit ka organizuar një koncert gjigant në vendlindjen e tij, në Stokholm të Suedisë.

E ftuar speciale për të interpretuar në këtë natë ka qenë edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora, e cila kishte një bashkëpunim shumë të suksesshëm me Aviciin të titulluar “Lonely together”.

Rita ka performuar në këtë koncerti gjigant të mbajtur në kryeqytetin suedez, duke mahnitur publikun me interpretimin e saj.

Shqiptarja publikoi në rrjetin social Instagram video nga performanca e saj, duke falënderuar familjen e mikut të saj të ndjerë, që e organizuan këtë spektakël me qëllim të ndërgjegjësimit të njerëzve që vuajnë nga problemet me shëndetin mental.

“Unë dua të falënderoj familjen e Aviciit për organizimin e kësaj për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor veçanërisht brenda industrisë së muzikës. Shpesh suksesi mund të shihet si një përfaqësim që dikush po e bën mirë edhe mendërisht, megjithatë mund të shohim këtu që ka kaq shumë punë për të bërë”, ka shkruar Rita Ora.

Tutje në paragrafin shtesë, ajo ka shkruar arsyen që babai i Aviciit ka vendosur mbi organizimin e këtij koncerti.

“Ne dëshirojmë që ky koncert të ndihmojë në vendosjen e temës në rendin e ditës dhe t’i kushtojë vëmendje stigmës që rrethon sëmundjen mendore dhe vetëvrasjet. Politikat dhe mjetet janë të nevojshme për të zbuluar rreziqet dhe për të parandaluar vetëvrasjet, veçanërisht në mesin e të rinjve”, ka thënë Klas Bergling, babai i Aviciit.