SHPËRNDAJE

Lojtarët shqiptarë dhe droni me simbolet kombëtare më emocionuan aq shumë, duke ma kujtuar: fashizmin dhe gjenocidin serb, robërinë, rininë të pa rini, idealin, luftën dhe lirinë. Por, edhe grabitqarët e lirisë së kohës së sotshme.

Gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri ma kujtuan kohën në periudha të ndryshme kohore, jo edhe aq të largëta. Rastet të cilat më emocionuan, më detyruan të gjej pjesë të ditarit tim që kam shkruar ngjarjet në periudhat e mëposhtme, të cilat shkurtimisht pata dëshirë t’i kujtoj nëpërmjet këtij shkrimi së bashku me lexuesit.

Lufta kundër regjimit të Millosheviqit

Pak para luftës, në mars të vitit 1995, saktësisht më 6 mars, në Rr. “Dubrovniku”, në Prishtinë, unë dhe një shok imi, ishim duke shkuar në fakultet në Breg të Diellit. Në atë kohë mësonim në shtëpia private sepse Serbia na kishte privuar nga të gjitha të drejtat e njeriut që kanë qenë të përcaktuara me konventat ndërkombëtare. Por një moment dolën befasisht dy policë serbë dhe na ndalën. Thënë të vërtetën, nuk i pamë, sepse kishin qenë të fshehur në një qoshe të një rruge dytësore në anën e djathtë. Zakonisht i shihnim larg, dhe për të mos shkuar drejt tek ata, siç thonë në “gojë të ujkut”, me qëllim për t’u ikur maltretimeve psikike dhe fizike, shmangeshim në rrugë të tjera dytësore. Për t’u ikur nga “të zitë”, kështu i thirrshim policët e Millosheviqit, sepse shumë shqiptarëve ua kishin nxirë edhe jetën. Ne ishim studentë dhe kishim literaturë të fakultetit. Në radhë të parë, na i kërkuan letërnjoftimet, për të na legjitimuar dhe pastaj filluan me maltretimet. Sidomos maltretimet filluan kur në letërnjoftim lexuan vendlindjen tonë.

Ne të dy i takojmë të njëjtit vend, faktikisht jemi rritur bashkë. Së pari filloi kontrollimi i literaturës faqe për faqe. Pastaj filluan të na bënin pyetje shumë provokative, që ishte shumë vështirë për t’iu përgjigjur. As nuk ishim në gjendje t’u përgjigjeshim, e as mos t’iu përgjigjeshim. Ishim në një pozitë: “hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”. Unë e kuptoja dhe flisja gjuhën serbe shumë mirë, ndërsa shoku im nuk kuptonte pothuajse asnjë fjalë. Gjuhën serbe kam mësuar në shkollë, por e përmirësova në të folur, në konviktin e nxënësve dhe studentëve në Prishtinë, sa isha në shkollën e mesme, sepse më rastisi të banoj në një dhomë me pesë boshnjakë nga Novi Pazari. Njëri polic më intervistonte mua, ky ishte në moshë më i ri, rreth të dyzetave, i cili nuk e kuptonte/fliste gjuhën shqipe(së paku kështu paraqitej), ndërsa tjetri që ishte më i vjetër në moshë, e që e kuptonte dhe fliste gjuhën shqipe, e që ishte përafërsisht mbi pesëdhjetë vjeç, e intervistonte shokun tim. Ata na intervistonin në trotuar, në rrugën në fjalë. Në një moment polici që ishte duke më intervistuar mua, u kthy nga shoku im, të cilit ia bëri një pyetje, e të cilin nuk e kuptoj shoku im, me ç’rast polici pa një pa dy, e goditi në bark, e që për një çast e la pa frymë. Ndërsa, me shpejtësi u kthye nga unë, i mllefosur dhe shumë agresiv, më shtyu me sa kishte fuqi duke me përplasur në tjetrin trotuar dhe duke më mbështetur në një automjet të tipit Zastava 101, me ngjyrë të bardhë, dhe duke ma vënë armën e tij automatike në shpinë. Ashtu të mbështetur automatikun në shpinën time, e futi fishekun në tytë, u dëgjua shumë mirë kur e bëri një veprim të tillë.

Në këtë moment, nga shtëpia që kisha përball, doli një grua rreth të gjashtëdhjetave, me flokët e shkurtra kaçurrela dhe të thinjura, e cila u bërtiti në gjuhën shqipe: “çfarë po ju bëni këtyre fëmijëve, si nuk ju vjen turp”, polici serb për një çast u shpërqendrua nga fjalët e e zonjës, dhe e tërhoqi automatikun nga shpina ime. Ai bëri një hap nga zonja në fjalë dhe i tha në gjuhën serbe(po e them direkt në gjuhën shqipe): “hyn brenda në shtëpi se me ardhur aty, flokët t’i shkuli”. Pas këtij veprimi na maltretuan psiqikisht aq sa deshën ata vetë. Fiks për pesëdhjetë minuta na maltretuan dhe pastaj na liruan. Na liruan atëherë kur nuk kishin çfarë të na bënin. Nuk u kishte mbetur hap tjetër vetëm të na vrisnin. Ky ishte njëri nga tregimet që ma kujtoi ndeshja. Tregime të tilla, shumë më rrëqethëse, jam i sigurt, se ka shumë në mesin e shqiptarëve të Kosovës, sidomos në kohën e okupimit klasik nga Hitleri i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Bile, kjo ngjarje e treguar mbetet zero… Qëllimi i Millosheviqit ishte i qartë: sa më shumë trysni në popullin shqiptar, sidomos tek të rinjtë, që të iknin nga Kosova. Represioni serb nga okupimi klasik i Millosheviqit mbi Kosovën ishte i tmerrshëm. Kosova në mënyrë sistematike zbrazej nga makineria vrastare e tij. Kosova ishte vendi më i izoluar në Evropë. Kosova ishte burgu më i madh. Shqiptarët e Kosovës ishin njerëzit më të privuar nga të drejtat më elementare të njeriut. Unë, personalisht kam kaluar vitet e rinisë sime pa e shijuar rininë. Këtë drejtë ma kishte mohuar shteti i Serbisë me regjimin e Milloseviqit hitlerian. Më kujtohet se si gjyshi im, ndjesë pastë(vdiq në vitin 1994, në moshën 96 vjeçare) ma pati thënë se: Ju nuk e dini se ç’është Serbia. Ajo kurrë nuk e lëshon Kosovën pa luftë. Unë nuk dua të përjetoi edhe luftën e tretë. Dhe nuk e përjetoi.

Liria

Lirinë fillova ta ndjej qysh në javën e parë të muajit maj të vitit 1998, kur iu bashkëngjita radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte rasti dhe momenti për ta bërë një gjë tillë. Atëherë fillova të frymoj lirshëm. Atëherë e ndjeja lirinë.

Më 19 korrik 1998 u nisëm për në Shqipëri. Më 21 korrik të vitit 1998, rreth orës 04:00 të mëngjesit, për herë të parë në jetën time shkela në tokën e Shqipërisë, në Padesh. Ka qenë ndjejnë e veçantë. Ndjenjë e papërshkrueshme. Ka qenë ndjenjë e fuqishme e lirisë. Që edhe sot e kam të vështirë ta përshkruaj. Ishte kjo kohë kur shumë ushtarë të Zonës Operative të Shalës patëm marrë rrugën për në Shqipëri për t’u furnizuar me armë, për ta shkulur regjimin e Millosheviqit dhe shtetin e Serbisë njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Dhe për ta fituar lirinë, që më dukej më e ëmbël se çdo gjithçka tjetër.

Më 16 gusht të vitit 1998, gjatë kthimit nga Shqipëria, kaluam nëpër fshatrat Rezallë dhe Likoc të komunës Skenderaj. Këto fshatra ma kujtuan Vokovarin e Kroacisë. Më kujtuan pamjet televizive të Vukovarit të djegur nga Hitleri i Ballkanit, Millosheviq. Ende digjeshin shtëpitë e Rezallës dhe Likocit. Ende si sot më kujtohen krismat e tjegullave nga zjarri që kishte kapluar kulmet e shtëpive. Dhe kështu, rreth orës 02:00 në mesnatë, mbërritëm para derës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Likoc. Aty na pritën disa ushtarë dhe na sollën ushqim për të ngrënë. Por ajo që më bëri më së shumti përshtypje dhe që fuqishëm ma forcojë ndjenjën e lirisë, ishte muzika e cila dëgjohej nga brenda shtabit. Zëri i ishte ngritur në maksimum “në kup të qiellit”. Pas gjithë kësaj, morali, vullneti dhe motive i ushtarëve ishte në maksimum. I thashë vetës: Kjo është liria. Këtu ka marrë fund okupimi i Serbisë mbi Kosovën. Këto fjalë ja u thashë më zë të lartë edhe bashkëluftëtarëve, me të cilit ishim ulur në një rimorkio të traktorit. Në riomorkio të traktorit, sepse nga fshati Vojnikë, Shtabi i Përgjithshëm kishte organizuar që me traktorë të na shpërndajë nëpër Zonën Operative të Shalës. Kjo ishte një ndihmë e madhe për ne, sepse ne kishim bërë rrugë të gjatë në këmbë për një javë rresht, nga fshati Hoxhaj i Shqipërisë deri në fshatin Vojnikë të Skenderajt.

Më 22 shtator të vitit 1998, Serbia pati marrë ofensivë me mjetet me të rënda ushtarake, me ushtarë, policë dhe paramilitarë, duke sulmuar fshatrat e Qyqavicës. Unë dhe bashkëluftëtarë të tjerë nga togu i Zhilivodës, ishim caktuar në vijën e parë të frontit në Hamidi, fshat rreth 300 metra vijë ajrore nga fshati Plemetin, i banuar me qytetarë të nacionalitetit serbë, në të cilin ishin koncentruar forca të shumta millosheviqiane dhe të cilët kishin filluar sulmet të pareshtura në drejtim të fshatrave rrëzë Qyqavicës. Vija jonë frontale ishte shumë asimetrike kundër asaj makinerie vrastare milloesheviqiane simetrike. Ne ishim shumë të pabarabartë në atë betejë. Flitej se 26 mijë trupa serbë kishin rrethuar fshatrat në të dy anët e Qyqavicës. Por vullneti, morali dhe gjendja jonë emocionale ishte shumë më e fuqishme se sa që kishin forcat e Millosheviqit hitlerian. Sepse ne luftonim për liri dhe mbroheshim nga ajo makineri vrastare horroriane. Këtë gjendje, luftë frontale asimetrike, ma kujtuan futbollistët shqiptarë atë ditë më 14 tetor 2014, të cilët të rrethuar nga 32 mijë tifozë serbë, në mesin e tyre edhe strukturat kryesore të shtetit serb, siç ishte Nikoliq, luftuan si luanë të vërtetë kundër asaj makinerie raciste shtetërore, me shekuj të mbjellur thellë në shpirtin serb, sistematikisht nga programet e akademisë serbe kundër kombit shqiptar. Lojtarët shqiptarë dhe droni me simbolet kombëtare më emocionuan aq shumë, duke ma kujtuar: fashizmin dhe gjenocidin serb, robërinë, rininë të pa rini, idealin, luftën dhe lirinë. Por, edhe grabitqarët e lirisë së kohës së sotshme.

Grabitqarët e lirisë

Kush mund të jenë grabitqarët e lirisë së Kosovës? Kush tjetër përveç politikanëve të papërgjegjshëm të dalë nga lufta dhe politikanëve pacifistë të paraluftës. Kosova sot, pas 15 vjetëve, ende është e izoluar. Qytetarëve të saj u mungon liria e lëvizjes dhe liria e ekonomike. Liria ekonomike, në këto rrethana, ka përcaktuar rrugën e qytetarëve të Kosovës. Mënyra se si jetojnë qytetarët e Kosovës tregon suksesin e politikanëve tanë. Këta të fundit janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Këtyre të fundit nuk u mungon liria e lëvizjes dhe asnjë e drejtë. Kaluan disa muaj pas zgjedhjeve dhe ende politikanët e Kosovës nuk po gjejnë zgjidhje për t’i formuar institucionet e Kosovës. Papërgjegjësia politike e tyre i ka kaluar kufijtë normal të moralit. Politikanët po vuajnë nga mungesa e moralit si cilësi mistike. Ata janë duke vepruar si turmë.

Akbar S. Ahmad, në librin e tij, Postmodernizmi dhe Islami, ka shkruar: Morali, si cilësi mistike që mban lart esprit de corps (Fryma e grupit), është dëmtuar. Ky është dallimi që ndan një trupë të disiplinuar nga një turmë. Mund të themi lirisht se politikanëve tanë u ka munguar morali që nga fillimi i pasluftës. Ata u turrën fortë pas parasë. Ata panë paranë si të vetmin shpëtim. Ata kanë parë paranë si të ishte vetë Zoti. Një filozof i njohur (tani nuk më kujtohet emri i tijj) ka thënë:”Sikur mos ta kisha ditur se paraja prodhohet nga dora njeriut do të kisha menduar se paraja është vetë Zoti”(thënie që e kam dëgjuar nga prof. dr. Zejnullah Gruda). Se Kosova është në krizë morale tregon gjendja morale e politikanëve kryesorë të Kosovës. Kriza institucionale e Kosovës vjen nga dëshira e papërmbajtur e politikanëve tanë për pushtet. Nga dëshira e madhe për ta pushtuar dhomën me paratë qytetarëve. Ata të cilët e marrin pushtetin ata kapin çelësin e thesarit me para të qytetarëve të Kosovës. Thesarin me paratë e qytetarëve të Kosovës. Këtu përfundon kriza e politikanëve, por jo e qytetarëve. Dikush mund të thotë nuk janë të gjithë politikanët të njëjtë. Nuk ka dyshim se është ashtu. Ka politikanë të ndershëm dhe të moralshëm. Por fatkeqësisht, janë të korruptuar në shpirt. Kosova sot, po përballet me mungesë institucionesh. Arsimi, drejtësia dhe mjekësia, janë në krizë të thellë morale dhe profesionale. Se arsimi është në krizë u panë turmat e nxënësve në Prishtinë duke brohoritur me thirrje nacionaliste, duke menduar se po i revanshohen tifozerisë serbe dhe vetë shtetit serb.

Duke menduar se janë duke bërë patriotizëm. Patriotizmi fare nuk ka të bëjë me këto veprime dhe thirrje. Kjo definitivisht ka të bëjë me mungesë arsimimi. Patriotizëm ka qenë veprimi i Taulant Xhakës, Lilës dhe futbollistëve tjerë shqiptarë që me dinjitet, në momentin e duhur dhe të imponuar, mbrojtën simbolet kombëtare në atë front lufte totalisht asimetrike. Në çast mendova, se në këtë rast për herë të parë u përputhen realizmi i Makiavelit me idealizmin e Kantit. Personalisht, vetëm mendja të më shkojë, të mendoj për serbët sikur Serbia që mendon për ne shqiptarët, tmerrohem nga vetvetja. Serbia është në krizë të identitetit kombëtar dhe moral. Ajo po donë që e tërë bota demokratike të ndryshojë vetëm për të. Gjë që është e pamundur. BE-ja besoj se e ka kuptuar se Serbia nuk mund të menaxhohet/ndryshojë, duke ju kërkuar të tjerëve, duke iu bërë presion, në kë rast shqiptarëve të ndryshojnë për Serbinë. Ajo duhet të jetë shumë më e përgjegjshme në raport me politikat e saj karshi Serbisë. Ajo duhet ta ndryshojë Serbinë. Dhe jo e kundërta siç ka qenë deri më tani, kur Serbia ka bërë të ndryshojë BE-ja. Edi Rama për ta treguar fuqinë e tij politike, moralin dhe intelektin e tij, pavarësisht nga trysnia e paarsyeshme nga BE-ja, është dashur ta anulojë vizitën e tij në Beograd. Dhe urgjentisht duhet të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB. Ka arsye të plotë ta anulojë vizitën e tij në Beograd. Definitivisht nëse e bën një gjë të tillë, nëse e anulon vizitën, atëherë do ta mbronte dinjitetin e shtetit shqiptar. Për filozofin e madh Kant dinjiteti varet nga arsyeja (intelekti).

Si përfundim

Kosova sot, është shtet i njohur nga mbi 100 shtete të botës, ajo sot nuk ka nevojë për pseudonacionalizmin, pseudopatriotizmin dhe politikanë të pamoralshëm. Ajo ka nevojë për politikanë të moralshëm të ndershëm, të cilët ia kthejnë dinjitetin dhe lirinë e vjedhur nga politikanët e papërgjegjshëm grabitqarë, të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie, race, gjinie dhe religjioni. Këto mendime, më janë sjellë nëpër kokë, derisa isha duke e shikuar ndeshjen. Bile, çdo gjë që kisha para vetës, fara dhe çipsa, i kisha ngrënë, ndërsa lëvoret e farave kishin fluturuar nëpër tepih. E kisha bërë katrahurë me bërllok dhomën e ndejës në banesë. Ndërsa fëmijët dhe gruja ime, vetëm kanë shikuar ndeshjen pa bërë zë nga goja. Unë isha diktatori i shtëpisë dhe familjes në këto momente emocionuese. E tmerrshme. Por, e vërtetë.

Shkruan: Lulëzim Krasniqi