SHPËRNDAJE

Lazarat

Lazarati rikthehet sërish në faqet e kronikave të zeza, kur ka kaluar një vit nga operacioni i madh antikanabis, gjatë të cilit policia ndërhyri në fshatin e pashkelur nga forcat e rendit dhe shkatërroi qindra parcela me lëndë narkotike.

Mëngjesi i djeshëm e gjeti Lazaratin në “luftë”, pasi persona të paidentifikuar qëlluan mbi fugonin e oficerëve të policisë të forcave RENEA. Nga kjo breshëri plumbash mbeti i vrarë 31-vjeçari Ibrahim Basha, si dhe u plagosën dy të tjerë, Jetmir Isaj, 33 vjeç dhe Perlat Hamitaj, 27 vjeç. Dy efektivët e plagosur ndodhen në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku janë jashtë rrezikut për jetën.

Si ndodhi shkëmbimi i zjarrit
Në orët e para të mëngjesit të datës 24 qershor, rreth ora 02:30, në fshatin Lazarat, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të planizuara me shërbim në vendin e quajtur “Kazinoja”, mbi ish-Pularinë te kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë. Gjithashtu, një grup tjetër forcash policore ndodheshin me shërbim te kryqëzimi i përroit të Kordhocës. Sipas informacionit të policisë, ata janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat, nga persona të paidentifikuar.
Në orën 04:44, grupi tjetër i FNSH-së, që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e bukës” Kordhocë, njoftoi se nga qendra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u ngrit grupi i drejtimit dhe u morën masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e personave, të cilët kishin qëlluar forcat e policisë. Megjithatë për të realizuar ndërhyrjen, forcat e policisë kanë pritur mbërritjen nga Tirana të Repartit të Eleminimit dhe Neutralizimit të

Elementëve të Armatosur (RENEA).
Djemtë e RENEA-s vlerësohen edhe si trupa më e aftë policore në përballimin e situatave, si ajo e krijuar mëngjesin e djeshëm në Lazarat. Me mbërritjen e forcave RENEA, në fshatin e njohur tashmë ndërkombëtarisht, në orën 09:00 filloi operacioni për kapjen e grupit e personave të armatosur, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Drejtorisë Policisë Qarkut Gjirokastër. Gjatë operacionit për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës u konstatua një automjet tip “Benz” ngjyrë të bardhë pa targa, i cili mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë.
Pas ndërhyrjes së forcave RENEA u bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit, Xhulio Ilirjan Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera, me mjetin tip “Volsvagen” me targa MB 060 AA. Në këtë kohë, në vendin e quajtur “Pularia”, në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA. Nga kjo breshëri plumbash, punonjësi i policisë Ibrahim Basha, si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër, ndërsa punonjësit e policisë Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj janë çuar në Spitalit Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë, për një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Arrestimet dhe sekuestrimet e armatimeve në Lazarat
Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip “Benz” ngjyrë të bardhë pa targa, së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Gjatë këqyrjes në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër, në këtë automjet janë gjetur, arsenal armësh, si një automatik kallashnikov, një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm, ndër ta edhe fishekë mitrolozi, një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparate celulare, si dhe tre qese farmaceutike, të dyshuara si lëndë narkotike kokainë.

Gjithashtu gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve nga fshati Lazarat, si edhe u shpallën në kërkim 21 të tjerë, ku disa prej tyre u vetëdorëzuan më vonë. Ndërkohë, deri në mesnatë, forcat e policisë mbajtën në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhej te ish-Pularia në fshatin Lazarat. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mësohet është hartuar një plan opereacional, për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur, të cilët qëlluan punonjësit e policisë. Në ndihmë të forcave të policisë mbërritën edhe grupe të tjera të FNSH dhe të RENEA-s, si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për të realizuar transportin. Burime të pakonfirmuara, bëjnë me dije se policia pritet të ndërhyjë nga mali i Sopotit për t’u futur në Lazarat.

Operacioni në 2014-ën
Operacioni i parë policor që vuri nën kontroll Lazaratin u zhvillua nga data 15 qershor 2014 e në vijim gjatë këtij muaji, për rivendosjen e rendit në këtë fshat dhe kontrollin e territorit për lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundraligjshme. Këto veprime të policisë hasën në kundërshtimin me armë zjarri nga disa banorëve të këtij fshati, ku 16 prej tyre, të njohur si “grupi i zjarrit”, janë arrestuar dhe çështja e tyre ka kaluar në gjykatë. Si epiqendër e kundërshtimit me armë zjarri u bë magazina e të pandehurit Razip (Gate) Mahmutaj, e cila për nga pozicioni ishte dominante në raport me lëvizjet e policisë së shtetit, nga fshati Derviçan në drejtim të Lazaratit.

Nga kjo pikë rezultoi se në mbështetje të tij erdhën afërsisht 40 persona të armatosur, të cilët në orët e para të mëngjesit të datës 16 qershor 2014 bënë një rezistencë të armatosur prej disa orësh. Më 17 qershor 2014 policia mundi të arrestojë Razip (Gate) Mahmutaj dhe të vendosë kontrollin në Lazarat. Si rezultat i kontrolleve të kryera nga policia u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mbi 500 armëve të zjarrit, tonelatave me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, municioneve luftarake, etj. Prej një viti, policia ka qenë prezent në këtë fshat.

Vijon operacioni për kapjen e personave të armatosur në Lazarat
Pas vrasjes së një efektivi policie dhe plagosjes së dy të tjerëve, policia u tregua e vendosur për kapjen dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë personave, të cilët goditën punonjësit e policisë. Policia e Shtetit ka angazhuar më shumë se 400 forca të RENEA-s, FNSH dhe policisë lokale, në operacionin për kapjen e personave që qëlluan me armë mbi efektivët e RENEA-s paraditen e djeshme. Policia ka vendosur postblloqe dhe të gjitha hyrje-daljet në këtë fshat dhe bën kontroll të imtësishëm për çdo automjet që qarkullon.
Policia ka shpallur si të dyshuar për sulmin dhe që aktualisht lëvizin të armatosur në brendësi të fshatit Lazarat 21personave ku shumica e tyre janë rreth moshës 18-25 vjeç, nga të cilët 12 përfunduan në pranga, duke u arrestuar apo vetëdorëzuar. Policia e Shtetit u përsëriti thirrjen shtetasve të mësipërm të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse. Policia iu drejtua edhe banorëve, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat, për të bashkëpunuar me forcat e policisë.
Policia paralajmëroi se nëse grupi i armatosur do t’i kundërpërgjigjet me armë, ajo është e vendosur t’i asgjësojë. Pas publikimit të listës së të kërkuarve në medie, disa prej tyre u vetëdorëzuan, ndërsa të tjerë u kapën nga policia. Të ndaluarit po pyeten nga prokurorët Adnan Xholi dhe Edvin Kandili. Të vetëdorëzuarit kanë rrëfyer në Prokurori se nuk kanë lidhje me ngjarjen në Lazarat. Nuk janë bërë ende publike dëshmitë e personave të ndaluar.

Dëshmia e të ndaluarit nga policia
17- vjeçarit iu sekuestruan në makinën pa targa që drejtonte armë zjarri, municione, si edhe tri qese farmaceutike me lëndë narkotike të dyshuara si kokainë Xhuliano Malo, 17-vjeçari i cili u ndalua nga policia menjëherë pas incidentit ku mbeti i vrarë një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë, mësohet se ka thënë detaje të rëndësishme në ambientet e komisariatit në Gjirokastër. Dyshohet se i riu, i identifikuar si Xhuliano Malo, drejtonte një automjet tip “Benz” ngjyrë të bardhë pa targa, ku u gjetën dhe u sekuestruan armë zjarri, fishekë dhe 3 qese farmaceutike me kokainë. I marrë në pyetje nga policia, 17-vjeçari ka rrëfyer detaje tronditëse për blutë e Gjirokastrës.

Ai ka treguar se grupi i zjarrit përbëhet prej 15 personash, të cilët zotërojnë 6 snajper të sofistikuar që i kanë blerë së fundmi dhe një sasi të konsiderueshme municionesh. 17vjeçari ka deklaruar se ky grup është i ndarë në minigrupime dhe ndodhen në brendësi të Lazaratit. Sipas rrëfimit të adoleshentit ata kanë edhe banesa në pyll në malin e Sopotit. Nisur edhe nga kjo dëshmi forca të shumta policore nisën pikërisht nga ky drejtim krehjen e zonës. Vijimi i operacionit të policisë mbrëmjen e djeshme u ndërpre për shkak të errësirës dhe të rrezikshmërisë së zonës. Gjatë natës, fshati Lazarat u mbajt i rrethuar dhe i blinduar, duke mos u tërhequr asnjë forcë policie.

Gjatë natës u vunë në funksion kamera termike, si dhe pajisje të tjera të teknologjisë amerikane. Policia dyshon se këta persona, të cilët mendohet të jenë të moshës nga 15-25 vjeç janë shpërndarë në shtëpi të fshatit dhe një pjesë janë fshehur në mal, dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë për shkak se janë të armatosur.
Në profilin e tij në “Facebook”, Xhulio shfaqet në shumë foto me miqtë e tij, të cilët po ashtu kanë të njëjtën moshë me të. Me aq sa mund të shuhet në profilin e tij, ai ka pozuar edhe me armë në dorë si edhe pranë bimëve të kanabis. Nga profili i tij dallohet se i përket fesë myslimane dhe është praktikant i saj. Policia nuk ka bërë ende të ditur se cila ishte lidhja e 17-vjeçarit me armët dhe municionet e gjetura në makinën që drejtonte ai si edhe lidhja me lëndën narkotike të dyshuar si kokainë.

Mediat e huaja flasin për vrasjen e oficerit
Ngjarja tragjike në Lazarat, ku një pjesëtar i forcave RENEA humbi jetën gjatë një aksioni policor, është raportuar në disa prej medieve më të rëndësishme ndërkombëtare, si agjencia “Reuters”, por edhe “Daily Mail”, “Fox News” e të tjera.
Duke pasur në fokus, efektivin Ibrahim Basha, ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura, i cili ka shërbyer në Afganistan, agjencitë e ndryshme theksojnë sigurisht se ngjarja ka ndodhur në një zonë të famshme për kultivimin e kanabisit, që gjeneronte miliarda euro në vit, të shkatërruar pas operacionit masiv të një viti më parë.
“Reuters” vë në dukje se, pavarësisht kufizimit të ndjeshëm të prodhimit të lëndës narkotike, Lazarati vazhdon të mbetet një zonë e rrezikshme, ku banorët shquhen për mosbindje ndaj forcave të rendit, ndërsa të dyshuarit për ngjarjen tragjike të së mërkurës mendohet se janë pjesë e grupeve që një vit më parë i bënë rezistencë me armë policisë gjatë operacionit. (Shekulli)