SHPËRNDAJE

Liqeni artificial i Ujmanit ose siç njihet ndryshe Gazivoda është shtrirë mes dy shteteve, Kosovë- Serbi.
Uji i këtij liqeni, furnizon të gjithë Kosovën, mbanë me energji elektrike Trepçën, dhe i sjell mbi 6.5 milion euro të ardhura në vit, Serbisë.
Beteja për kontrollin e Ujmanit, sapo ka nisur…
Mbi Ujman patrullojnë ushtarët amerikanë të KFOR-it, për shkak se aty ekzistojnë struktura paralele serbe dhe fshihen një pjesë e mirë e kriminelëve të luftës.
Këtë vit, për herë të parë, liqenin e kanë shëtitur Presidentët Thaçi dhe Vuçiç, një shfaqje kjo, që i paraprin bisedimeve për korrigjimin e kufijve.
Nëse Serbia merr Ujmanin, atëherë Kosova humbet përgjithmonë pavarësinë e saj financiare dhe një konflikt i ri do të ndizet në Ballkan.

Liqeni i Ujmanit furnizohet nga Serbia dhe Mali i Zi dhe ka një sipërfaqe mbi 12 km katrorë, me një thellësi prej 105 m dhe shtrihet 75% e tij në territorin e Kosovës. Pjesa tjetër e liqenit shtrihet në territorin e Serbisë por përveç aspektit natyror Ujmani ka një rëndësi jetike për ekonominë e Kosovës.

Uji i liqenit të Ujmanit shërben për ujitjen e 20 mijë hektarëve tokë bujqësore të Kosovës si dhe për fabrikën e Ferronikelit në Drenas. Ujmani është ndërtuar midis viteve 1979-1984 nga kompania e ndërtimit Hidroteknika dhe është projektuar nga kompania e Nergoprojket me seli në Beogard.

Penda e Ujmanit ka kushtuar afër 90 milion dollarë ku 45 milion dollarë janë marr kredi në Bankën Botërore dhe janë paguar nga Serbia, ndërsa 45 milion dollar të tjera janë derdhur nga fondi i Kosovës si pjesë e Republikës së ish-Jugosllavis. Prishtina përfiton rreth 10 milion euro në vit ndërsa Serbia merr në mënyrë ilegale 6.5 milion euro energji elektrike. Të ardhurat për Serbinë nuk shkojnë për investime por shkojnë për ti fuqizuar strukturat paralele në veri të Kosovës.

Strukturat paralele janë institucione të pushtetit të Serbisë të cilat funksionojnë dhe ofrojnë shërbime brenda teriritorit të Kosovës.