SHPËRNDAJE

Nuk kaloi në Parlamentin e Kosovës, Rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që presidentit i shtetit, Hashim Thaçi të mos vazhdoj të negociojë me Serbinë në Bruksel.

Deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Vetëvendosjes, gjatë debatit për dialogun me Serbinë, deshën ta bllokojnë “idenë e proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilës në marrëveshjen finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të përfshihet edhe çështja, siç e ka quajtur ai, e korrigjimit të kufirit. Sipas opozitës, ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, ka si prapavijë ndarjen e Kosovës, edhe pse Thaçi këtë çështje e kishte mohuar në vazhdimësi”.

Jehona e kësaj seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Republikan të Kosovës, nuk kaloi pa prekur edhe ndjenjat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët më shumë se çdo hapësirë tjetër e etnikumit shqiptarë, është e ballafaquar me problemin e quajtur kufi.

Prandaj, korrigjimi i kufirit është i bazuar në idenë e qëlluar të Presidentit Thaçi, konform frymës së dialogut, paqes dhe vullnetit politik dhe historik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që ky problem të zgjidhet përmes rrugës së Brukselit.

Duhet ta kuptojnë deputete e LDK-së dhe VV-së, se Lugina e Preshevës nuk është Kodër e Çakorrit, as gurë e male që heshtin, por është Luginë që gumëzhinë me zërin e saj shekullor për t’i korrigjuar këta kufij artificialë, të cilët i sheh si pengesë për realizimin e qëllimeve të saj për bashkim me Kosovën, pjesë integrale e së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë të kaluarës.

Këta deputetë të të LDK-së dhe VV-së, kanë me dështuar rreth idesë së korrigjimit të kufijve, sepse propozimet e tyre i kanë të qëllimshme, me prapavijë dhe të motivuar nga inatet, që kalojnë madje edhe këta kufij që kemi ne në mes bashkëkombësve tanë.

Mjaft jemi mësuar të shohim dhe ndjejmë se si fluturuan dikur vezët, gazi lotsjellës në një Parlament, që asnjëherë nuk pushoi nga fishkëllima e pipëzave dhe brohoritjet “Zarfi”, për ish presidenten Atifete Jahjaga, pastaj “Pronto” për PDK-në e slogane të tjera, të cilat po mundohen të zgjerohen edhe me çështjen e dialogut dhe idesë së korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Populli i Luginës së Preshevës, gjithmonë, është kalitur me këso probleme të natyrës politike dhe ekonomike, ai, kërkon ndihmën institucionale të Prishtinës dhe Tiranës, jo me inate dhe përçarje, por me një unitet, ngase e meriton, qoftë për të kaluarën e saj të lavdishme, qoftë për qëndrimet e sinqerta dhe vëllazërore, që ka ndaj dy shteteve amë.

Rruga jonë është e drejtë dhe do të fitojë, karshi të gjitha bllokadave që I dalin përpara, sepse këtë rrugë e kemi gjet të trasuar nga të parët tanë, që u sakrifikuan në favor të mbrojtjes së gjuhës, traditës dhe zakoneve shqiptare, thuhet në reagimin e Nexhmedin Saqipit, Koordinator i shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës.