SHPËRNDAJE

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta masive kundër shkëmbimit të territorit të vendit me Serbinë.

Kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, teksa ka përmendur protestën e 29 shtatorit të vitit të kaluar, ka thënë se ajo do të përsëritet në rast se cenohet territori i Kosovës, raporton KTV.

“Presidenti Thaçi me njerëzit e tij po këmbëngulin në pazaret me territor, le ta dinë se nëse përpiqen të na vendosin para aktit të kryer me ndonjë marrëveshje që prek territorin e Kosovës, protesta jo vetëm që do të përsëritet, por do të jetë edhe më e madhe”, ka thënë Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes në mbledhjen e Këshillit të Përgjithësim të kësaj partie ka kritikuar qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Duke përmendur grevën e mësimdhënësve dhe privatizimin e Telekomit, ai ka thënë se qeverisja aktuale vetëm është duke e keqësuar gjendjen ekonomike e sociale në Kosovë.

Por, e tërë kjo situatë, në të cilën ndodhet vendit, sipas Kurtit, do të ndryshojë me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet.

Ai ka thënë se partia e tij është duke u rritur vazhdimisht dhe se, sipas tij nëse vazhdon me këtë trend, Vetëvendosje do të jetë partia më e madhe në Kosovë.