SHPËRNDAJE

Allahu thotë:

“(E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajtë në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pa fe, djajt ishin të pa fe, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thonin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bëj i pa fe!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejen e All-llahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për çka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.” (1)

Allahu thotë: ”… e magjistari nuk do të ketë suksese kudo qoftë.” (2)

Transmeton ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: ”Largojuni shtatë mëkateve shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i dërguari i Allahut? Tha: shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti (domethënë ikja nga fronti kur takohet me mohuesit)dhe shpifja ndaj grave të ndershme myslimane”. (3)

Komenti:

Magjia është prej mëkateve të mëdha që asgjëson vepruesin e saj dhe e shkatërron atë në dynja dhe ahiret, magjistari i cili kërkon ndihmë nga djajtë dhe afrohet tek ata me adhurim, pos Allahut është mohues politeist, nuk lejohet të shkohet tek ai ose të kërkohet ndihmë prej tij.

Dobitë:

1. Ndalimi i magjisë dhe se ajo është prej mëkateve shkatërruese.
2. Magjia është prej gjërave që e prishin Islamin, (4) , duke u bazuar në fjalën e Allahut: ”Ne jemi vetëm sprovë, ti mos u bëj i pa fe…”, sepse kjo nuk bëhet përveç se me adhurimin e djajve.
3. Ndalimi i shkuarjes tek magjistarët apo bashkëpunimi me ata.

Fusnota:

1) Bekare: 102
2) Ta Ha: 69
3) Buhariu 5/393 hadithi nr. 3766, Muslimi 89.
4) E ka permendur Muhamed b Abdulvehab në librin e tij “Nevakidul-Islam el-Ashere”.

Përktheu: Hoxhë Valdet Kamberi