SHPËRNDAJE

Deputetët pritet të japin votën e tyre vendimtare për marrëveshjen e Brexit të kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May të martën e ardhshme.

Dhe po atë ditë, më 15 janar, sipas mediave britanike, një ministër i Brexit këmbëngul se qeveria ende pret të fitojë mbështetjen e parlamentit, pavarësisht presionit të fortë nga të dyja anët e argumentit. Kwasi Kwarteng, tha se ai ende beson se May do të fitonte votën, duke hedhur poshtë idenë se kryeministrja po përgatitej të kërkonte përsëri miratimin e deputetëve nëse humbet herën e parë.

I pyetur nëse kryeministrja do të kërkojë lëshime të reja nga BE-ja dhe do të kthehet në parlament nëse ajo humb, Kwarteng ka thënë: “Plani është të fitojë votimin të martën ose kurdo që ndodh. Plani dhe fokusi, si dhe objektivi është të fitojë votën”. Ndryshe, sipas mediave, votimi duhej të ishte zhvilluar në muajin dhjetor, por kryeministrja u detyrua ta anulonte për shkak të mungesës së mbështetjes për marrëveshjen e arritur prej saj me Bashkimin Europian.

Britania duhet të largohet nga Blloku Europian në 29 mars, por fakti që May nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për ujdinë e saj, ka alarmuar liderë të biznesit e investitorë, të cilët i druhen mundësisë se një Brexiti pa marrëveshje. Një sondazh i realizuar në muajin shtator tregonte se tani, numri i britanikeve që dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së është më i madh se ai i atyre që përkrahin shkëputjen.