SHPËRNDAJE

Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe deputeti popullor nga Presheva, Riza Halimi kanë arritur të hënën, në mbrëmje, marrëveshje për përfshirjen “indirekte” të PVD-së në qeverinë e ardhshme të Serbisë. Sipas marrëveshjes, një kopje të së cilës e ka siguruar “presheva.com”, edhe pse ajo nuk është për opinion, PVD-ja nuk do të futet drejtpërdrejtë në qeveri, por do të “koordinohet” me SNS e Aleksandër Vuçiqit lidhur me veprimet që kanë të bëjnë me rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; si dhe me çështjet e minoriteteve.

Marrëveshja e firmosur nga krerët e SNS dhe PVD, nënvizon se vendimet lidhur me veprimet e mëtejme të Trupit Koordinues për Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë, duhen të merren me konsensus midis dy palëve. « PVD nuk do të përfshihet në qeveri », ka pohuar nënkryetarja e SNS ; Zorana Mihajloviq duke pranuar megjithatë se “bisedimet me deputetët e minoriteteve do të jenë të vazhdueshme dhe koherente”.

Kësisoj, pritet që Trupi Koordinues të ketë në të ardhmen dy bashkëkryetarë, njëri nga SNS dhe njëri nga radhët e PVD-së.

“PVD nuk do të futet në qeveri, por do të kontribuoj në fushën ekzekutive lidhur me çështjet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka nënvizuar nga ana e tij Riza Halimi, duke iu shmangur pyetjes lidhur me ndonjë marrëveshje eventuale. Por sipas dokumentit të siguruar nga « presheva.com », pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Halimi është edhe çështja e ligjit të ri për Këshillat Nacionale, ku « garantohet se nuk do të cenohen kompetencat e tanishme të Këshillave Nacionale dhe se do të ruhet sistemi i tanishëm zgjedhor ».

Çështja e tretë për të cilën janë pajtuar Vuçiqi dhe Halimi është çështja e pushtetit lokal të Bujanocit. Sipas marrëveshjes, partitë politike serbe të Bujanocit që po i mbajnë në pushtet PD e Nagip Arifit dhe LPD e Jonuz Musliut do ta ndërrojnë partnerin e tyre, duke bashkëqeverisur në të ardhmën me PVD-në e Riza Halimit. Një burim anonim i afërt me qeverinë e re serbe i ka shpjeguar të dielën së përditshmës « Danas », se bisedimet midis Vuçiqit dhe Halimit janë “inkurajuar dhe lehtësuar” nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore të akredituar në Beograd.