SHPËRNDAJE

Nga qarqe të ndryshme serbe, lëshohet alarmi se në pranverën e këtij viti, do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e bashkë me to edhe zgjedhjet e rregullta për Këshillat Nacionale të pakicave në Serbi.
Klasa politike shqiptare e Luginës së Preshevës, kësaj radhe nuk e ka problem dilemën e (mos)daljes në këtë nivel të zgjedhjeve.
Edhe ashtu shqiptarët e Luginës, pjesërisht ishin pjesë të zgjedhjeve parlamentare të majit të vitit 2012, duke siguruar një deputet në Kuvendin e Serbisë, ndërsa që nga viti 2010 një Këshill Nacional, të administruar nga Serbia.
Për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, të cilat nuk kishin ndonjë jehonë spektakulare, ngase pjesëmarrja në to ishte më pak se simbolike, këtë vit, jo më larg se në këtë pranverë, zgjedhjet për deputet popullor dhe Këshill Nacional, do të jenë joshëse e atraktive për subjektet politike shqiptare. Ato veçse kanë filluar të shkunden nga gjumi dimëror, duke u pozicionuar dhe rreshtuar në krah të aktiviteteve paraelektorale.
Dikur disa parti shqiptare e kishin për turp të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe dhe në formimin e Këshillit Nacional, ndërsa tashti këto dilema kanë filluar të mos duken fare. 
Është një karakteristikë e mentalitetit të mbrapshtë të subjekteve politike shqiptare të këtij rajoni, të cilat nuk janë unike sa i përket organizimit në nivelin e këtyre zgjedhjeve dhe ky mosunitet mund t’i sjell ata para një dështimi total në zgjedhjet parlamentare dhe para një anomalie ekstreme të zgjedhjeve për Këshill Nacional.

Kalkulimet

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, spektri politik shqiptar mund të radhitet në dy lista, ngase ata nuk mund të merren vesh të dalin me një listë të përbashkët.
Dalja me dy lista mund tu sjell shqiptarëve fitoren e dy deputetëve, por edhe mund t’i lë me gishta në gojë.
Komuna e Preshevës ka disa vjet, që e mbanë mandatin e deputetit popullor, ndërsa Këshilli Nacional e ka selinë në Komunën e Bujanocit. Nuk është çudi që nga disa subjekte politike të rrjedh iniciativa, për ndërrimin e këtyre mandateve: deputetin ta marrin shqiptarët e Bujanocit, ndërsa kryetarin e Këshillit Nacional shqiptarët e Preshevës.
Këto privilegje deri tashti i ka gëzuar Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit e cila dikur e kishte edhe pushtetin lokal absolut në Preshevë dhe Buajnoc. Këto privilegje ekziston t’i humb me një organizim të mirëfilltë të subjekteve të tjera politike, të cilat në të kaluarën nuk kishin interes të ballafaqoheshin me këto nivele zgjedhore.
PVD për mos t’i humbur këto privilegje ka paralajmëruar në pranverë zgjedhje të reja në kuadër të këtij subjekti politik, madje edhe e ka filluar fushatën paraelektorale, me nismën e aktivizimit të të rinjve në këtë subjekt. Ndërrimet në strukturat udhëheqëse brenda kësaj partie, do të ndikonin në kthimin e imazhit që kishte dikur kjo lëvizje popullore. Me mobilizimin e PVD-së dhe shfaqjen e interesimit të partive të tjera për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare serbe, do të shtohet konkurrenca për një fushatë më të ashpër, më të organizuar dhe më shumë elektorale.

Interesi

Spektri politik i Luginës së Preshevës e ka kuptuar më në fund, peshën që kanë zgjedhjet parlamentare dhe Këshilli Nacional.
Lufta e subjekteve politike, për ta shtrirë pushtetin nga ai lokal në atë qendror, po bëhet gjithnjë më interesante, më atraktive dhe më joshëse.
Nuk është aspak turp për partitë, që deri dje kërkonin bashkim me Kosovën, të dalin me “bajrak” në dorë në zgjedhjet parlamentare serbe dhe të participojnë në një Këshill Nacional Shqiptar, të administruar nga Serbia. 
Nuk ka më tabu temë se po të dilet në zgjedhje parlamentare është tradhti kombëtare! Për një kohë të shkurtër partitë “nacionaliste” shqiptare u zhveshën nga patriotizmi idealist, për ta përqafur patriotizmin materialist.
Privilegjet që gëzon sot deputeti popullor dhe fondet e kompetencat e Këshillit Nacional, sado të reduktuara, u kanë vënë syze disa liderëve Luginas, që akoma u dhemb gjoksi duke e rrahur me brohoritjet: “Rroftë bashkimi me Kosovën!”, “Jo, zgjedhjeve parlamentare serbe!”, “Për një Këshill Kombëtar të mirëfilltë!” etj.
Interesi i partive politike për më shumë fonde e komoditete, marsin elektoral, të këtij viti, do ta presin me më shumë shi e vërshime oratorike, duke mbushur sheshet, rrugët e restorantet me materiale propagandistike, duke mos përjashtuar as fjalorin e premtimeve për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës.
Para interesit për më shumë publicitet, famë e privilegje, vepron e heshtur masa popullore e cila është ngopur me skamje, dhunë, arrestime dhe vrasje, nga shteti të cilit ia paguan taksat dhe kontributet e tjera, duke llogaritur edhe “votën”, çelësin e ndryshimeve.
Është krejt normale, kur thuhet se partitë politike e kanë me program luftën për pushtet dhe kjo u dëshmua me zgjedhjet e fundit në Luginë, të cilat qytetarëve të saj u sollën një pushtet pa dinjitet dhe pa autoritet.
Mirë që vjen përsëri marsi e bashkë me të vijnë erëra të reja freskuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë mësuar me halle e probleme shekullore, në këtë pjesë të Ballkanit.

Rama në Beograd

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, së shpejti do ta vizitojë Beogradin. Kësaj vizite nikoqiri, po i kushton një rëndësi të veçantë. Edhe më herët Rama ka shkelur në territorin e Serbisë, por kësaj radhe jo si opozitë, por si një burrështetas, i cili do të flas edhe për bashkëkombësit e tij, që jetojnë me probleme në Luginë të Preshevës.
Vizita e Edi Ramës në Beograd, do të ngjallë edhe spekulime nga qarqe të ndryshme serbe, për ndonjë pazar të vjetër, në stilin e lojës: “Ma jep këtë, ta jap atë!”.
Si do që të jetë Rama në Beograd do të sjell mesazhin e bashkëpunimit të shqiptarëve dhe serbëve, të popujve nga më të vjetrit në Ballkan, nga më të hasmëruarit, nga më të urryerit, të cilët jo rrallë gjatë historisë i kanë përcjellë lufta të rrepta dhe të ashpra.
Vizita e Ramës në Beograd, gjithashtu, se do të relaksojë marrëdhëniet e ngrira në spektrit politik shqiptar të Luginës së Preshevës, të cilët kanë pezulluar bisedimet me Beogradin, për shkak injorimit të kërkesave për Flamur e gjuhë amtare (zyrtare) dhe vazhdimit të arrestimeve dhe vrasjeve pa gjyq të shqiptarëve nëpër burgjet serbe.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, vizitën e Ramës në Beograd e shohin si një “aperitiv” për spektrin politik, para marsit elektoral, për një fushatë të “ndershme”, të “qetë”, “demokratike” e të “dinjitetshme!”.
 
Shkruan: Drilon Hyseni