SHPËRNDAJE

Barcelona këtë fundjavë përballet me Vallecanon në “Camp Nou” në Primera Divizion, me objektivin për të marrë tre pikët e për të ruajtur kryesimin e kampionatit. Në prag të një ndeshje Championsi si ajo me Man.City sigurisht që për mediat përbën më shumë interes përballja kontinentale, por trajneri Tata Martino kërkon t’i hedhë hapat një e nga një. “Këto ditë po flitet më shumë për ndeshjen me City-n sesa me përballjen me Vallecanon, e cila sigurisht mund të ketë më shumë interes për mediat por për ne parësor është takimi me Rayon në kampionat.

Duhet të mendojmë për të fituar këtë 90 minutësh dhe më pas për City-n. Sigurisht që një fitore në La Liga do të rriste akoma më shumë dhe moralin e skuadrës”. Ndaj madrilenëve nuk është grumbulluar Xavi Hernandez, që është lënë pushim për sfidën e mesjavës ndërsa rikthehet Neymar: “Neymar është stërvitur mirë gjatë këtyre ditëve. Po përmirësohet gjithmonë e më shumë dhe kjo duket qartë por dhe ai ashtu si të tjerët duhet të luftojë për të siguruar një vend në formacion”.

Trajneri argjentinas i blaugranave foli gjithashtu dhe për sfidën e Kupës së Mbretit duke konfirmuar se titullar ndaj los blancos do të jetë Sergio Pinto: “Nuk ka rëndësi nëse është finale apo jo, në këtë kompeticion ka luajtur gjithmonë Pinto. Ai ka qënë gjithmonë gati sa herë që ne kemi pasur nevojë për të dhe nuk përbën problem fakti se do të luajmë me Realin. Pinto besoj se e përballon shumë mirë presionin e një ndeshje të tillë”.