SHPËRNDAJE

Fondi prej 5 milionë eurosh, i quajtur Fondi Kombëtarë i Solidaritetit që do të jepej nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të ishte një shtyllë për zhvillimin e Luginës së Preshevës, kërkesë kjo e kahmotshme, e që është ripërsëritur edhe sot nga kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, një ditë para mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare.

Përmes një postimi në Facebook, Arifi ka thënë se megjithëse nuk janë ftuar të marrin pjesë në këtë mbledhje, presin që kërkesa e tyre për këtë fond të aprovohet.

“Edhe pse nuk jemi të ftuar prapë në takimin e dy Qeverive për shkaqe protokulare, presim që të aprovojnë zyrtarisht kërkesën tonë tani të kahmotshme, FONDIN Kombëtar të Solidaritetit, që NDRYSHIMI i filluar në vitin 2015 të marrë formë dhe tempo edhe më të avansuar, duke inkuadruar konkret motrat dhe vëllezërit tonë nga Kosova dhe Shqipëria që paguajnë taksat edhe për Preshevë”, shkruan Arifi.

Ai ka theksuar se Fondi në vlerë prej 5 milionë euro nga dy shtetet është një shtyllë e zhvillimit të Luginës në tërësi dhe një shembull i mirë edhe për Shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.