SHPËRNDAJE

Ndërsa Evropa diskuton me forcë për trajtimin e migrantëve, në Mesdhe ndodh një tragjedi pas tjetrës. Trafikantët vazhdojnë biznesin e tyre.

Në përpjekjet e tyre të rrezikshme për të kalur nëpër Mesdhe janë mbytur që nga fillimi i vitit të paktën 1,405 vetë. Numri i të vdekurve është 40 përqind më i lartë se sa mendohej më parë, raporton Organizata për Migrim (IOM) në Gjenevë. Ky rekord i ri përfshin gjithashtu fatkeqësitë e 19 dhe 20 qershorit, shpjegoi Julia Black nga qendra e analizës së të dhënave të IOM në Berlin. Sipas saj vetëm në këto dy ditë vdiqën të paktën 215 vetë.

Në këtë kontekst, ekspertja e migracionit Nicole Hirt kritikon bashkëpunimin e BE-së me Rojën Bregdetare të Libisë. “Rojet bregdetare përbëhen nga kryekomandantë të ndryshëm që e quajnë veten roje bregdetare për të marrë para nga Evropa,” tha ajo për agjencinë epd. “Ata vetë janë të përfshirë në kontrabandën me qenie njerëzore, kështu që i shpëtojnë refugjatët në mënyrë që t’i shesin”.

Autoritetet e Maltës i ndaluan ndërkohë anijes gjermane të shpëtimit “Sea Watch 3” që të dilte nga porti. “Ndërsa ne na pengojnë të largohemi nga porti, njerëzit po mbyten, dhe kjo nuk është vetëm e turpshme, po është vepër penale”, tha kapitenja Pia Klemp e organizatës joqeveritare Sea-Watch. Edhe anija shpëtuese “Dhelpra e detit” e organizatës së Regensburg Sea-Eye nuk lejohet të dalë nga porti.